2018-04-19 12:40:00

Papa në Shën Martë: nuk mund të ungjillëzohet nga poltrona


Gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku nënvizoi se është Shpirti  Shenjt ai, që i shtyn të krishterët drejt ungjillëzimit, i cili ndërtohet mbi tri fjalë kyçe: “ngreju”, “afroju”  e “nisu nga situata”.

Për gjithë të krishterët ungjillëzimi është detyrë e mision. E këtë detyrë mund ta kryejnë duke kërkuar hirin e dëgjimit të Shpirtit Shenjt, për të qenë gjithnjë në dalje, gjithnjë pranë njerëzve, duke u nisur përherë jo nga teoritë, por nga situatat konkrete. Kështu u shpreh sot paradite Papa Françesku në Meshën e mëngjesit,  kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke reflektuar mbi fragmentin e  shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilin engjëlli i Tënzot i  thotë Filipit: “Ngreju e nisu drejt jugut, në udhën që zbret nga Jeruzalemi në Gaza; ajo është krejt e shkretë”.

Fara e Fjalës së Zotit

Françesku shpjegoi se pas martirizimit të Shtjefnit, shpërtheu një persekutim i madh kundër të krishterëve e dishepujt u shpërndanë në të katër anët… në Jude e në Samari. Por pikërisht kjo “stuhi persekutimi” - shtoi Papa - i nxiti dishepujt të shkelin përtej caqeve të zakonshme.

Siç bën era me farët e bimëve, që i shpërndan e i mbjell në të katër anët, ashtu bëri Shpirti Shenjt me Fjalët e Zotit: i shpërndau mbi supet e dishepujve e i mbolli larg. Ata u nisën e shkuan ku i fryu era e persekutimit, me fjalën e Zotit. Dhe e mbollën këtë Fjalë. E kështu, thënë me shaka, lindi “propaganda fide”. Pikërisht kështu. Nga një persekutim. Nga një erë. Që i shpërndau dishepujt në të katër anët, për të mbjellë farën e ungjillëzimit. E fragmenti që lexuam sot, i shkëputur nga Veprat e Apostujve, është shumë i bukur…Traktat i vërtetë ungjillëzimi. Kështu ungjillëzon Zoti. Kështu kumton! Kështu dëshiron Zoti që të ungjillëzojmë.

Tri fjalët e ungjillëzimit

Françesku nënvizoi, më tej, se ishte vetë Shpirti Shenjt, që e shtyu Filipin - e na shtyn edhe ne, të krishterët - për të ungjillëzuar. E ungjillëzimi mbështetet mbi tri fjalë kyçe: “Ngreju”, “afroju” dhe “ nisu nga situata”.

Ungjillëzimi nuk është plan i mirëmenduar prozelitizmi: “Të shkojmë këtu e atje e të bëjmë sa më shumë prozelitë…”. Jo! Është Shpirti Shenjt ai, që të tregon  ku duhet të shkosh për të përhapur Fjalën e Zotit, për të çuar emrin e Jezusit. E të nis me fjalët: “Ngreju e shko!”. Ngreju e nisu e shko në këtë e atë vend. Nuk mund të bëhet fjalë për ungjillëzim nga poltrona. Ngreju e shko! Në dalje. Gjithnjë. Shko! Tundu nga vendi! Nisu drejt horizonteve, ku duhet ta mbjellësh farën. Ta thuash Fjalën e Zotit.

Kjo, thirrja e Françeskut, i cili në vijim kujtoi shumë burra e gra, që lanë atdhe e familje për të shkuar në toka të largëta, të panjohura, edhe të egra e për të çuar atje Fjalën e Zotit. E shpesh u nisën krejt të papërgatitur fizikisht, sepse nuk kishin antikorpe për t’u bërë ballë sëmundjeve të atyre viseve, ku vdisnin të rinj, ose të martirizuar. Ishin - sqaroi Papa, duke kujtuar fjalët  e një kardinali - “martirë të ungjillëzimit”.

Kurrfarë teorie për ungjillëzimin

Nuk mund të ungjillëzohet në teori. Ungjillëzimi bëhet trup me trup, njeri me njeri. Ungjillëzuesi niset nga situata, jo nga teoritë. E kumton Jezu Krishtin e guximi i Shpirtit Shenjt e shtyn të pagëzojë. Shkon përtej, gjithnjë përtej… shkon, shkon, derisa e ndjen se e ka kryer veprën e nisur. Kështu bëhet ungjillëzimi. Këto tri fjalë janë kyçe për gjithë ne, të krishterët, që duhet të ungjillëzojmë me jetën tonë, me shembullin tonë e edhe me fjalën tonë. “Ngreju, ngreju!”; “Afroju!”, e “nisu nga situata!”, ajo konkrete. Metodë e thjeshtë, sepse metodë e vetë Jezusit. Kështu ungjillëzonte Krishti. Gjithnjë në ecje, për udhë gjithnjë. Gjithnjë pranë njerëzve e gjithnjë duke u nisur nga situatat konkrete, nga  konkretësitë. Nuk ka udhë tjetër për të ungjillëzuar, veç kësaj. Udhë, që duhet përshkuar me këto tri sjellje, të domosdoshme. Është vetë Shpirti Shenjt, që të shtyn të ngrihesh, të afrohesh e të nisesh nga situatat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.