Françesku priti sot në audiencë përfaqësuesit e Konfederatës Benediktine, që këto ditë kremton 125-vjetorin e themelimit. Papa u shprehu mirënjohjen për karizmat e Urdhërit dhe veprimtarinë e mikpritjes e të ungjillëzimit në manastiret dhe kuvendet e tyre.
“Do të dëshiroja të shpreh gjithë vlerësimin dhe mirënjohjen time për kontributin e çmuar, që sollën benediktinët në jetën e Kishës, në të katër anët e botës, për më se njëmijë e pesëqind vjet”.
Këtë theksoi Papa që, me rastin e fillimit të kremtimeve për 125-vjetorin e Konfederatës Benediktine dhe themelimin e Abacisë primaciale të Shën Anselmit, priti në audiencë, në Sallën Klementine, përfaqësuesit e degëve dhe institucioneve të ndryshme të Urdhërit, themeluar nga Shën Benedikti i Norcias,
125-vjetori i Konfederatës benediktine
“Në këtë kremtim të Jubileut të Konfederatës Benediktine - vijoi Françesku - nuk mund të mos kujtojmë impenjimin e Papës Leoni XIII i cili, më 1893, deshi t’i bashkojë të gjithë benediktinët, duke formuar një shtëpi të përbashkët studimi e lutjeje këtu, në Romë”. E, në vijim, duke iu drejtuar, ndërmjet tjerësh, abatit primat Gregory Polan, abatëve e abateshave, rezidentëve dhe bashkëpunëtorëve të Kolegjit dhe të Unibversitetit të Shën Anselmit, theksoi: “Falënderojmë Zotin për këtë frymëzim, sepse u krijoi benediktinëve të mbarë botës, mundësinë për një frymë më të thellë bashkimi me Selinë e Pjetrit e ndërmjet tyre”.
Papa, për mësimin e Shën Benediktit: në qendër, Zoti!
Duke hyrë në zemrën e përshpirtërisë benediktine, Françesku kujtoi moton e Urdhërit; “Ora et labora et lege” - “Lutu e puno e studio!”. Duke u ndaluar posaçërisht tek lutja, që ngjall në zemrat dëshirën për dhuratat mahnitëse të Zotit.
Më pas kujtoi edhe mësimet e Shën Benediktit që, në Rregullën e tij, kërkonte “të mos i kundërshtohej për asgjë Krishtit”. E kjo u krijoi benediktinëve mundësinë të jenë gjithnjë në praninë e Zotit, shembull pozitiv, nga i cili përfitoi mbarë Kisha në rrjedhë shekujsh,.
Papa, mirënjohës për kontributin e benediktinëve në fushën edukative
“Yll i ndritshëm” e quajti Papa Shën Benediktin, që vuri gjithnjë në qendër të jetës Zotin, ndërsa manastiret benediktine i quajti oaza mikpritjeje për njerëzit që e kërkojnë atë të Lumin!
Pasi i vlerësoi bijtë e Shën Benediktit për kontributin në fushën e dialogut ndërfetar dhe në atë edukative, në përfundim Françesku uroi që pikërisht kremtimet e Jubileut të themelimit të Konfederatës benediktine, të jenë rast i përshtatshëm për të reflektuar lidhur me kërkimin e Hyjit dhe të dijes hyjnore e, sidomos, për t’ua transemtuar pasurinë e pambaruar të kësaj dijeje, breznive të ardhshme.
All the contents on this site are copyrighted ©. |