2018-04-19 14:11:00

Fondacioni Centesimus Annus: imzot Martin, të varfërit paguajnë për korrupsionin


Që prej vitit 1993, kur u themelua nga Shën Gjon Pali II, Fondacioni Centesimus Annus – Pro Pontifice promovon studimin dhe përhapjen e Doktrinës shoqërore të Kishës. Pikërisht në 25-vjetorin e veprimtarive e duke ndjekur këshillat e Papës Françesku, Fondacioni vendosi të mbledhë në Romë e në Vatikan, nga 24 deri më 26 maj, në Pallatin e Kancelarisë e në Pallatin Apostolik, një grup ndërkombëtar drejtuesisht publikë, akademikë, sindikalistë, afaristë e profesionistë. Objektivi i konferencës ndërkombëtare “Politika e stile të reja jetese në epokën dixhitale” është të kërkojë rrugë për të interpretuar ndryshimet dhe risitë në fushën e ekonomisë e të teknologjisë. “Etika mbetet përmasë e vërtetë dhe e rëndësishme e sferës politike, shoqërore dhe ekonomike”, tha imzot Diarmuid Martin, gjatë paraqitjes së konferencës, në Sallën vatikanase të Shtypit.

Ekonomia të nxitë barazinë

Kryeipeshkvi i Dublinit u ndal në sfidat e sotme të Doktrinës shoqërore të Kishës: puna, emigracioni dhe familjet – edhe duke pasur parasysh Takimin botëror kushtuar atyre, nga 21 deri më 26 gusht, në kryeqytetin irlandez. “Është detyrë e ekonomistëve dhe e politikanëve – vërejti imzot Martin – të zhvillojnë e të eksperimentojnë modele të reja ekonomike, që nxisin barazi”, duke luftuar korrupsionin, çmimin e të cilit “e paguajnë sidomos të varfërit”.

Në konferencë, fjala e Bartolomeut I

Kryetari i Fondacionit Centesimus Annus – Pro Pontifice, Domingo Sugranyes Bickel, njoftoi se në konferencë do të flasë edhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I. Tema e ndërhyrjes së tij: “Agjenda e gjithë të krishterëve, për të mirën e përbashkët”. Anna Maria Tarantola, anëtare e Këshillit Administrativ të Fondacionit, paraqiti dy vëllimet më të fundit të tij, me temë: “Zhvillimi gjithëpërfshirës dhe reformat financiare: emergjenca globale dhe kërkimi i së mirës së përbashkët”, si edhe “Doktrina shoqërore katolike në veprim: të përballohen sfidat e epokës dixhitale”.

Pullë e Zyrës Filatelike të Vatikanit

 Pikërisht me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Fondacionit, Zyra Filatelike e Vatikanit emetoi një pullë, realizuar nga artistja Daniela Longo. Imazhi i paraqitur në të e merr frymëzimin nga “Adhurimi i Mbretërve Dijetarë” të piktorit të famshëm italian Domenico Ghirlandaio. Në një notë shpjegohet se ky imazh “është emblema grafike e ‘Procesit të Dublinit’: një sërë konsultimesh, organizuar nga Fondacioni, me pjesëmarrjen e ekspertëve të besimeve të ndryshme mbi temën e zbatimit praktik të parimeve etike të Doktrinës shoqërore të Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.