Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Ligjit të Përtërirë

Moisiu sheh Tokën e Premtuar - RV

19/04/2018 08:30

“Fjalë për të mësuar si të duam”: kështu mund ta përshkruajmë librin, që mbyll Torah, ligjin e Zotit dorëzuar Izraelit. Sot, në ciklin tonë kushtuar Biblës, flasim për Librin e Ligjit të Përtërirë, duke iu referuar, si gjithnjë, meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”.

E po e fillojmë këtë reflektim nga fundi, nga kapitulli 34, ku përshkruhet një nga çastet kulmore të krejt Shkrimit Shenjt: vdekja e Moisiut. Prijësi i paepur i Daljes nga Egjipti qëndron në këmbë mbi mal e kundron Tokën e Premtuar, pa mundur të hyjë në të. Siç na kujton një “midrash” (tekst për interpretimin e Biblës) i famshëm hebraik, Moisiu kërkon me të gjitha mënyrat faljen për mëkatet e tij dhe mundësinë për të shkuar përtej lumit Jordan. Por falja nuk iu dha, ashtu si krejt brezit të dalë nga Egjipti.

Kjo është skena kulmore e një libri themelor, që në greqisht titullohet “Ligji i dytë”, ndërsa në hebraisht ka si titull thjesht “Fjalët”, pra, gjithë fjalët që Moisiu i tha Izraelit, para se të ngjitej në mal e të ndërronte jetë. Edhe për këtë arsye, së bashku me Levitikun, Libri i Ligjit të Përtërirë është teksti më pak dinamik i Pesëlibërshit. Gati-gati nuk ndodh asgjë, përveçse në kapitullin e fundit e, megjithatë, fjalët e Moisiut, që i kemi dëgjuar edhe në librat e mëparshëm, këtu paraqiten ndryshe e nuk kërkojnë vetëm veshë, por edhe zemër.

Në këtë libër, jemi para një tradite të vërtetë teologjike, asaj që quhet Tradita apo Shkolla deuteronomiste, e cila u përpoq ta përtërinte fenë e popullit hebraik. Bukuria e Librit të Ligjit të Përtërirë është zbulimi i veprës së Zotit në atë popull, i cili u përpoq ta kuptonte edhe më thellësisht ç’i kishte ndodhur më parë. Të krijohet përshtypja se në këtë libër Hyu ua rishpjegon, i rimotivon urdhërimet dhe ua rithemelon fenë izraelitëve. Izraeli zbulon zemrën, zbulon dashurinë. Këtij Libri, në kapitullin 6, i përket shprehja e mirënjohur “Shemah Israel – Dëgjo Izrael”.

“Dëgjo, Izrael! – shkruhet në këtë kapitull. - Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar; kur të biesh në shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja. Lidhi në dorën tënde si shenjë dhe le të jenë si vjerrës ndërmjet syve të tu! Shkruaji mbi ballëzinat e dyerve të tua dhe në dyer të tua!” (Lp 6,4-9).

 Kush dëshiron të kuptojë sot Izraelin, kush dëshiron të kuptojë “Besëlidhjen e Vjetër”, duhet të ndalet mbi këtë tekst e mbi këtë libër; duhet të kujtojë gjithë udhën e përvijuar nga Zoti, edhe përmes sprovave, të cilat i duheshin për të marrë vesh ç’kishin në zemër njerëzit. “Ligji i dytë” është ligji i zemrës, jo ligj i ri, por ndërgjegje e përtërirë, kult pa interes e pa shtirje.

Duaje Zotin dhe respektoi ligjet e Tij, thotë Ligji i Përtërirë. Ndiqi rregullat duke e dashur Hyun, respektoji ligjet vetëm nëse e do Zotin. Pikërisht për këtë arsye duhet lexuar Libri i Deuteronomit, i cili dëshmon se ligji i Izraelit nuk është kod gjykate, por pakt i vërtetë dashurie me Zotin, që kërkon ndryshimin e zemrës së ngurtë. Provë për këtë është vdekja e Moisiut në fund.

I etur për Tokën e Premtuar nuk mundi ta shohë. Duket si hakmarrje e Zotit, por s’është ashtu. Një koment hebraik e përshkruan vdekjen e Moisiut si puthje të Zotit për të. E madje, thuhet se ai nuk ishte i rrëgjuar e sytë nuk i ishin shuar. Moisiu nuk largohet nga kjo jetë, për shkak të lodhjes e të plakjes. I rezervohet vdekja e mirë, që secili do ta dëshironte për vete. Filozofi i shquar gjerman, Dietrich Bonhoeffer, e përshkruan kështu vdekjen e Moisiut:

“Në majë të malit rri Moisiu, njeri i Zotit, profet. Sytë e tij, ngulur, fiksuar drejt Tokës së Premtuar. ‘Kështu e mban o Zot premtimin, kurrë s’e ke ngrënë fjalën me mua. Për mua bëre gjëra të mrekullueshme, trishtimin e shndërrove në ëmbëlsi. Përmes velit të mortjes ma trego popullin tim, që shkon në festën solemne. Ti, që dënon mëkatet, por edhe i fal me dëshirë, Zoti im, oh sa e kam dashur këtë popull. E kam mbartur peshën e turpin e tij; e pashë shpëtimin e tij – s’kam nevojë për më shumë. Më kap, më mbaj! Shkopi po më rrëshqet; o Zot besnik, ma përgatit shtrojen e fundit’”.

19/04/2018 08:30