Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Vizitë e kardinalit Tauran në Arabinë Saudite

Kard. Tauran në Arabinë Saudite - RV

18/04/2018 08:00

Deri të premten, 20 prill, në Arabinë Saudite ndodhet një delegacion vatikanas, kryesuar nga kreu i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, i cili u prit nga princi Mohammad bin Abdurrahman bin Abdulaziz dhe nga Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Myslimane Botërore (LMB), shehu Muhammad Abdul Karim Al-Issa. Në mbretërinë saudite - vendlindja e Islamit dhe shtëpia e dy vendeve të shenjta për myslimanët, Meka dhe Medina – kardinali Tauran, përveçse me të krishterët e vendit, u takua të shtunën me Sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Myslimane Botërore.

         Gjatë mbledhjes u fol për takimet e mëparshme në Romë, të atij me Papën Françesku më 21 shtator 2017 e me vetë Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar. Kardinali nënvizoi se vendet e shenjta për të krishterët janë gjithnjë të hapura edhe për myslimanët e për besimtarët e feve të tjera, ashtu si edhe xhamitë janë të hapura për vizitorët. Kjo, nënvizoi, “është mikpritje shpirtërore, që na ndihmon në njohjen dhe miqësinë e ndërsjelltë, duke hedhur poshtë paragjykimet”.

Tema e fundamentalizmit

         “Në të gjitha fetë – pohoi kardinali, duke prekur një temë delikate – ka radikalizma. Fundamentalistët dhe ekstremistët, ndoshta, janë edhe njerëz të zellshëm, por, fatkeqësisht, devijojnë nga interpretimi i urtë dhe i qëndrueshëm i fesë. Gjithashtu, i konsiderojnë ata, që nuk e pranojnë këndvështrimin e tyre, si të pafe”, të cilët “duhet të kthehen në fenë e tyre, ose të eliminohen për ta mbajtur atë të pastër”. Janë njerëz të dhunës, në emër të fesë, përfshirë terrorizmin, vërejti kardinali. Binden përmes propagandës e kujtojnë se po i shërbejnë Zotit. Kështu, i bëjnë keq vetes dhe të tjerëve; prishin imazhin e fesë e të besimtarëve të tjerë, prandaj, theksoi kardinali Tauran, “kanë nevojë për lutjen e për ndihmën tonë”.

Rregulla të përbashkëta për ndërtimin e vendeve të kultit

         Pasi sqaroi se “feja mund të propozohet, por kurrë të imponohet”, se “mund të pranohet, ose të refuzohet”, kardinali Tauran, duke pasur parasysh problemet e së kaluarës, kërkoi rregulla të përbashkëta për ndërtimin e vendeve të kultit. “Të gjitha fetë – pohoi ai – duhen trajtuar njësoj, pa diskriminime, sepse ndjekësit e tyre, së bashku me ata që nuk besojnë, duhen trajtuar në mënyrë të barabartë”. Përndryshe, paralajmëroi, do të ushqehen islamofobia e kristianofobia. Sipas kardinalit, “liderët shpirtërorë kanë për detyrë ta shmangin vendosjen e fesë në shërbim të ideologjive”, duke pranuar se “disa nga besimtarët e tyre, si terroristët, nuk po sillen si duhet. Terrorizmi – theksoi kardinali Tauran – është kërcënim i vazhdueshëm, prandaj, duhet të jemi të qartë e të mos e justifikojmë kurrë. Terrorizmat duan të vërtetojnë se bashkëjetesa është e pamundur. Ne besojmë diametralisht të kundërtën”.

Zoti, që na ka krijuar, të mos bëhet arsye për ndarje

         Pluralizmi fetar, theksoi kardinali Tauran para Sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes Myslimane Botërore, “është ftesë për të reflektuar mbi fenë tonë, sepse çdo dialog ndërfetar i vërtetë nis me kumtimin e fesë së secilit. Nuk themi se të gjitha fetë janë njësoj, por se gjithë besimtarët, gjithë ata, që kërkojnë Zotin e gjithë njerëzit vullnetmirë pa fe, kanë të njëjtin dinjitet. Secili duhet të lihet i lirë të përqafojë fenë, që dëshiron”. Së fundi, kardinali kërkoi që myslimanët e të krishterët të impenjohen së bashku “që Zoti, i cili i ka krijuar të gjithë, të mos jetë arsye përçarjeje, por uniteti”.

18/04/2018 08:00