Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku në Shën Martë: Jezusi ndiqet për fe, jo për interes

Papa kremton Meshën në Shën Martë

16/04/2018 14:39

Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shën Martë, kujtoi se Jezusi nuk duhet ndjekur për interes, domethënë për mrekullitë që bën. Jezusi - nxiti Françesku - duhet kërkuar për fe, për të dëgjuar Fjalën e Tij. Prandaj duhet freskuar kujtesa, duke rikujtuar gjithnjë çka bëri e vijon të bëjë Zoti në jetën tonë, për t’iu pëgjigjur me shumë dashuri.

Mos e kërkoni Jezusin vetëm për mrekulli

Papa e mori shtytjen nga Ungjilli i sotëm, shkëputur nga Gjoni (Gjn 6, 22-29), në të cilin rrëfehet sesi, pas shumëzimit të bukëve e peshqve, turma deshi ta kurorëzonte Jezusin mbret. E mahnitur nga mrekullia, nisi  t’i shkonte për gjurmë jo vetëm për ta dëgjuar, por edhe për “interes”, sepse bënte mrekulli. Atëhere Jezusi u hoq mënjanë e, kur e gjetën, i qortoi: “Ju më kërkoni jo sepse patë shenja, por sepse hëngrët bukë e u ngopët”. Françesku, në vijim, vuri theksin mbi  aspektet lidhur me tekstin ungjillor: nga njëra anë turma e kërkonte Jezusin  për ta dëgjuar, sepse Fjala e Tij i hynte drejt në zemër. E ndiqte, pra, me e për fe, por nga ana tjetër, edhe për interes. Nuk ishin njerëz të këqij, por me një fe, e cila shoqërohej edhe me një farë interesi.  Prej këndej Jezusi i quan “njerëz fepaktë”.

Kërko dashurinë e Zotit!

Po kjo sjellje bie në sy kur Jezusi shëron të pushtuarin nga djalli në Gjerasë. Kur   njerëzit shikojnë se po u humbisnin derrat, mendojnë se kjo nuk u leverdiste, sepse me derrat humbisnin edhe paratë, prandaj i kërkojnë të ikë që aty. E, përsëri, ndodh e njëjta gjë me shërimin e dhjetë të gërbulurve: një i vetëm kthehet pas për ta falënderuar, ndërsa të tjerët, si shërohen, e harrojnë fare kush ua riktheu shëndetin. Prej këndej Jezusi i nxit të mos shikojnë bukën, që mbaron, por atë, që mbetet për jetën e pasosur, domethënë “Fjalën e Zotit dhe dashurinë e Tij”.

Shtjefni e ndjek Jezusin, pa llogaritur pasojat

Por ka edhe një mënyrë tjetër sjelljeje; sjellja e Shtjefnit që, siç shikohet në Leximin e Parë (Vap 6,8-15), fliste qartë, aq sa turma mrekullohej nga dija e tij. Ai e ndiqte Jezusin pa i peshuar pasojat: kjo më leverdisë, e kjo jo! Nuk kërkonte interesin e vet. Dashuronte. Dhe e ndiqte Jezusin i sigurt; e kështu edhe mbaroi. I ngritën kurthin e shpifjeve, e bënë të binte brenda në të dhe kështu e mbytën me gurë. E mbytën, por duke dhënë dëshmi për Jezusin.

Kujto çfarë bëri e bën Jezusi në jetën tënde

Si turma e Ungjillit, ashtu edhe Shtjefni, e ndjekin Jezusin. Por secili në mënyrën e vet. Sepse ka dy mënyra për ta ndjekur: duke dhënë jetën për Të, ose “me pakëz interes personal” - vërejti Papa - për t’i ftuar, në vijim, të gjithë, ta pyesin veten si e ndjekin Jezusin. E për t’i këshilluar ta freskojnë kujtesën, duke e pyetur veten ç’ka bërë Jezusi, e jo në përgjithësi, por konkretisht, secili në jetën e tij. Ta pyesim veten, pra:

E do të gjejmë shumë gjëra të mëdha, që Jezusi na i dhuroi falas, sepse na do: secilit prej nesh! E si t’i kem parë gjërat, që bëri Jezusi për mua, t’i bëj vetes pyetjen tjetër: po, unë çfarë duhet të bëj për Jezusin? E kështu, me këto dy pyetje, ndoshta arrijmë të pastrohemi nga çdo prirje për ta ndjekur Zotin për interes. Kur shikon çfarë i dha Jezusi, zemra fisnike nuk mund të mos thotë: “Po, o Zot, jam gati të të jap gjithçka!”. E edhe të mos i përsërisë më gabimet, mëkatet, të ndërrojë jetë e udhë, duke bërë kthesë, për dashuri: ti më dhe aq shumë dashuri, e edhe unë të jap gjithë dashurinë time”.

Të pastrohet feja nga interesi

Në përfundim Papa ritheksoi rëndësinë e këtyre dy pyetjeve për pastrimin e fesë:

“Kjo është një provë e mirë për të na treguar si e ndjekim Jezusin: me apo pa interes? Dy pyetje, për të freskuar kujtesën. Duke shikuar çfarë bëri Jezusi për mua, në jetën time, për dashuri! E çfarë duhet të bëj unë, për Jezusin, si duhet t’i përgjigjem kësaj dashurie. E kështu do të aftësohemi ta pastrojmë fenë tonë nga çdo interes. Zoti na ndihmoftë të ecim në këtë rrugë”.

16/04/2018 14:39