Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Mbretëreshën Qiellore: plagosja e trupit të tjetrit është fyerje kundër Zotit

Pope Francis makes a blessing as he arrives for the Angelus prayer in Saint Peter's Square at the Vatican April 15, 2018. REUTERS/Remo Casilli - REUTERS

16/04/2018 14:11

“Ҫdo fyerje, ose plagosje, ose dhunë mbi trupin e të afërmit, është fyerje kundër Zotit krijues!” Këtë nënvizoi me forcë Papa Françesku para lutjes së djeshme të Mbretëreshës Qiellore, në mesditë, nga dritarja e Pallatit Apostolik mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin sipas Lukës, në të cilin ungjilltari nënvizon realizmin e Ringjalljes së Krishtit, që i takon edhe një herë apostujt në Ҫenakull e, për t’u thënë se nuk është fantazëm, ha pak peshk përpara tyre.

“Ungjilli – tha Papa – pohon një gjë tjetër interesante: ishte kaq i madh gëzimi që ndjenin, sa s’mund ta besonin: ‘Jo, s’mund të jetë! Nuk mund të jetë kështu! S’është i mundur një gëzim kaq i madh!”

Mëkatin nuk e bën trupi, por brishtësia morale

 Fakti, që Krishti ngjallet me korp e shpirt, hedh dritë edhe mbi perspektivën e krishterë mbi trupin e njeriut, i cili nuk është burg për shpirtin. Ai është dhuratë e mrekullueshme e Zotit, që mund të bëhet edhe mjet mëkati, por ky mëkat nuk shkaktohet nga vetë trupi, por nga ne, që jemi moralisht të brishtë. Trupi, së bashku me shpirtin, shpreh plotësisht ngjashmërinë dhe shembëllimin me Zotin.

“Jemi të thirrur të kemi respekt të madh e kujdes për trupin tonë e atë të të tjerëve – theksoi Papa Françesku. – Ҫdo fyerje, ose plagosje, ose dhunë kundër trupit të të afërmit është fyerje kundër Zotit krijues! Mendimi im shkon veçanërisht, tek fëmijët, tek gratë e tek të moshuarit e keqtrajtuar. Në trupin e këtyre njerëzve gjejmë korpin e Krishtit. Të Krishtit të plagosur, të përqeshur, të përgojuar, të përulur, të fshikulluar, të kryqëzuar… Jezusi na mësoi dashurinë. Dashuri, që në Ringjalljen e Tij, u duk më e fuqishme se mëkati e se vdekja, për të shpërblyer gjithë ata, që provojnë në trupin e tyre skllavëritë e kohës sonë”.

Në botën prepotente, të çojmë risinë e të Ringjallurit

Në një botë, ku tepër shpesh mbizotëron prepotenca kundër të brishtëve dhe materializmi ta mbyt shpirtin, përfundoi Papa Françesku, “Ungjilli na bën thirrje të jemi njerëz të aftë për të parë në thellësi, me habi e gëzim të madh për takimin me Zotin e gjallë”. Le të jemi njerëz, “që dinë ta pranojnë e ta vlerësojnë risinë jetësore, që Hyu mbjell në histori, për ta orientuar drejt qiejve të rinj e tokës së re”.

16/04/2018 14:11