Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa Françesku në famullinë romake të Shën Palit të Kryqit, në Corviale

Pope Francis is greeted by the faithful as he arrives for a pastoral visit to the church of San Paolo a Corviale in Rome, Italy, April 15, 2018. REUTERS/Remo Casilli - REUTERS

15/04/2018 16:30

Sot, rreth orës 16.00, Papa Françesku shkoi për vizitë në një nga periferitë më famëkeqe të Romës, në Corviale. Aty u ndal në famullinë e Shën Palit të Kryqit, ku besimtarët e lagjes e pritën me entuziazëm dhe dashuri të jashtëzakonshme.

 Sapo mbërriti, Ati i Shenjtë  Bergoglio u takua fillimisht më fëmijët e katekizmit, pastaj me të moshuarit, me të sëmurët dhe me të varfërit. Pasi dëgjoi rrëfimin e tre besimtarëve, në orën 18.00, kryesoi meshën së bashku me meshtarët e prefekturës XXXI dhe me disa priftërinj miq të bashkësisë famullitare.

Corviale ka namin e keq, por këtu jetojnë shumë njerëz të mirë

Me këtë vizitë, Papa Françesku iu përgjigj ftesës së famullitarit, don Roberto Cassano, i cili e pati takuar në nëntorin e vitit të kaluar, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në atë rast i pati folur për lagjen periferike të Romës. “Më tha se e njihte gjendjen – tregon don Roberto për të përjavshmen dioqezane ‘Roma Sette’ – e se me kënaqësi do të vinte. Kurrë s’do të ma kishte marrë mendja se do të na vizitonte vetëm pas pesë muajsh. Jemi të gjithë shumë të lumtur e të emocionuar. Lagjja jonë – nënvizon më tej – përshkruhet si vend, ku duhet pasur frikë, por këtu jetojnë shumë njerëz të mirë. Gjendja është dramatike nga pikpamja strukturore. ‘Gjarpëri i madh’ – siç quhet kompleksi i banimit ‘Corviale i ri’, përbërë nga dy pallate njëri pas tjetrit, lidhur me një urë – ka 1.200 apartamente, nëntë kate e është 1 kilometër i gjatë. Në të jetojnë më se 6 mijë vetë, sidomos të moshuar. Do të kishte nevojë për ristrukturime të rëndësishme – thekson famullitari – e urojmë që punimet të nisin sa më shpejt”.

Territori e ndjen mungesën e të rinjve

Përballë “Gjarpërit të madh”, përveç famullisë së Shën Palit të Kryqit, ngrihet edhe biblioteka komunale, e cila, në një hapësirë prej 800 metrash katrore, përmbledh 13 mijë libra e një katalog të pasur me video e kompakt disqe. Pavarësisht nga prania aktive e shoqatave dhe e kooperativave, që organizojnë shumë veprimtari për njerëzit e lagjes, territori e ndjen mungesën e të rinjve, të cilët, siç shpjegon don Roberto, sapo përfundojnë studimet, largohen për në zona të tjera të Romës. Edhe fëmijët e të rinjtë, që frekuentojnë oratoriumin, janë pak, por meshtari nuk e humb kurajon: “Oratoriumi – thekson – është i rëndësishëm në rritjen e një adoleshenti e, edhe sikur ta frekuentojë një fëmijë i vetëm, ia vlen ta mbajmë hapur”.

Ndihmat për të moshuarit e për të varfërit

Bashkësia famullitare organizohet për të ndihmuar të moshuarit, të sëmurët dhe disa familje me probleme të rënda ekonomike. Janë rreth njëqind ato, që ndihmohen, edhe falë Kalorësve të Maltës. Një herë në muaj u jepet një pako me ushqime e, kur është e mundur, u paguhen edhe faturat. “Fatkeqësisht, nuk mund të bëjmë më shumë, pavarësisht nga dëshira e mirë – përfundon don Cassano. – Ofertat e meshëve nuk janë të mjaftueshme, prandaj dioqeza na mbështet fuqimisht. Fatmirësisht, ka shumë vullnetarë, që më ndihmojnë, edhe për punë të ndryshme në famulli”.

15/04/2018 16:30