2018-04-14 18:20:00

Sulmi në Siri, imzot Audo: Shteti viktimë e fuqive të huaja


"Urdhërova sulmin ndaj Sirisë". Kёshtu njoftoi Presidenti i SHBA Donald Trump duke shtuar se operacioni do të vazhdojë derisa aftësia e regjimit sirian për të gjuajtur me armë kimike të mos shkatërrohet. Për Kishën, Siria paguan për aleancat rajonale dhe interesat Perëndimore.

Menjëherë u shumëfishuan reagimet pas sulmit, natën e kaluar, kundër Sirisё nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe kundër objektivave ushtarakë të regjimit Bashar al Assad. "Ne do të vazhdojmë me sulme pёr sa kohë nevojitet - tha Presidenti i SHBA Donald Trump - për të shkatërruar aftësinë e regjimit sirian për hedhjen e armëve kimike".

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha mё tej se sulmet u kryen duke bërë gjithçka "për tё evituar shkaktimin e viktimave civile e të huaja". Përkundrazi, sulmi kundёr Sirisё u dënua në mënyrë të vendosur nga Presidenti rus Vladimir Putin, i cili gjithashtu kërkoi "një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së". Ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov, më vonë deklaroi se "veprimet e SHBA-sё e tё aleatëve të saj në Siri nuk do të mbeten pa pasoja".

Sipas Presidentit iranian Hassan Rohani "sulmi do të ketë efekte shkatërruese në Lindje tё Mesme". Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një deklaratë e përcaktoi ndërhyrjen ushtarake "të nevojshme e të përshtatshme". Për Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, regjimi sirian, Rusia e Irani "nuk mund të vazhdojnë me këtë tragjedi, pa kosto".

ImzotAudo: Misioni i inspektorëve të OKB ishte gati të fillonte
Për ipeshkvin kaldeas të Haleppo-s Imzot Antoine Audo është e habitshme qё sulmi ndodhi derisa po fillonte sot në Siri, misioni i inspektorëve të OKB-së tё thirrur për të hetuar rreth përdorimit eventual tё armëve kimike nga ana e regjimit tё Damaskut. Për prelatin, sulmi fsheh "vullnetin për pushtet" të Perëndimit - që ushqen tregtinë e armëve – dhe tё aleatëve sauditë në rajon, sepse do të ishte absurde që Damasku tё përdor armë vdekjeprurëse pikёrisht nё  kohёn kur ushtria e tij ka rifituar a ripushtuar rajonin e Ghouta-s. Sipas Imzot Audo-s - në mikrofonin e Luca Collodit të Radio Vatikanit Italia - në nivelin rajonal Siria po paguan çmimin e konfliktit në distancё ndrёrmjet Arabisë Saudite e Iranit, pak si ajo që ndodhi me Irakun fqinjë, dhe shpreson në një marrëveshje ndёrmjet Shteteve të Bashkuara tё Amerikёs dhe Rusisё.








All the contents on this site are copyrighted ©.