Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 13 prill kalendari kishtar përkujton Shën Martinin I, papë e martir.

San martino

13/04/2018 06:30

Më 13 prill, kalendari Kishtar përkujton shën Martinin I, Papë e martir. Sipas Martirologut Romak Shën Martini I, Papë, që kremtohet sot, 
lindi në Todi të Italisë në shekullin V – vdiq në Krime më 16 shtator 655. Martini, diakon i Kishës romake, u zgjodh në fronin papnor pas vdekjes së papës Teodori (13 maj 649) dhe nisi menjëherë ta drejtojë me dorë të hekurt timonin e barkës së Shën Pjetrit. Për zgjedhjen e tij nuk e kërkoi, e as s’e priste, miratimin e perandorit bizantin Kostancit II i cili, një vit më parë, kishte shpallur Tipin, dokument në mbrojtje të tezës heretike të monotelitëve. Për t’i prerë rrugën përhapjes së kësaj herezie, tre muaj pas zgjedhjes së tij, papa Martini thirri në Bazilikën lateranense një koncil të madh, në të cilin ftoi të gjithë ipeshkvijtë e perëndimit.

Dënimi i ashpër i të gjitha shkrimeve monotelite, sanksionuar në pesë sesione solemne konciliare, shkaktoi reagimin e tërbuar të oborrit mbretëror bizantin. Perandori urdhëroi ekzarkun e Ravenës, Olimpin, të nisej për Romë për të arrestuar Martinin. Olimpi, që dëshironte t’ia kalonte për zell edhe të zot’, u përpoq ta mbyste Papën me dorën e stallierit të tij, gjatë kremtimit të Meshës në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Por plani dështoi. Vrasësi u verbua papritmas kur po përgatitej ta therte Papën që po i jepte hosten e shuguruar. Ka shumë mundësi që kjo ngjarje e bindi Olimpin të ndërronte mendim, të pajtohej me Papën shenjt e të planifikonte fillimin e luftës së armatosur kundër Kostandinopojës. Në vitin 653, pasi Olimpi vdiq nga kolera, perandori mundi të hakmerrej, duke e arrestuar Martinin me ndihmën e ekzarkut të ri të Ravenës, Teodorit Kaliop. 

Martini, i akuzuar për uzurpim të paligjshëm të fronit papnor dhe për kurdisje komplotesh kundër Kostandinopojës në bashkëpunim me Olimpin, u kap e u nis për në qytetin e Bosforit. Udhëtimi, që zgjati pesë muaj, qe fillimi i një martirizimi nga më mizorët. Gjatë ndalesave të shumta, besimtarët që deshën ta takojnë Papën, nuk u lejuan t’i afroheshin. Si arriti, në shtator të vitit 654, në Kostandinopojë, e lanë një ditë të tërë të shtrirë në rrugë të madhe, në sa populli nxitej ta tallte e ta pështynte. 

Të nesërmen e mbyllën në burgjet më të tmerrshme të perandorisë. Pastaj nisi procesi i gjatë e kapitës gjyqësor, gjatë të cilit Shën Martini u keqtrajtua aq, sa arriti të murmurojë: “Bëni me mua ç’të doni; nuk i trembem vdekjes, përkundrazi, e dëshiroj!”- Pasi e kishin fyer publikisht, e mbyllën fare të zhveshur e të ngarkuar me zinxhirë në qelinë e akullt, caktuar për të dënuarit me vdekje. Por nuk e mbytën. Më 26 mars 655 e internuan fshehurazi në Khersonea të Krimesë. Jetoi i uritur e plotësisht i braktisur për katër muaj, derisa i erdh ora e vdekjes, që e gjeti të shkatërruar fizikisht, por të patundur moralisht. Ishte 16 shtatori i vitit 655.

Emri Martin, që do të thotë ‘i kushtuar Martit’ (perëndi pagane) dëgjohet në të katër anët e botës: ndër bretonë Marzhin; tek katalanët Martí, ashtu si tek malësorët shqiptarë të veriut; çekët: Martin; francezët: Martin; galezët Marthin; grekët: ÌÜñôçí; anglezët: Martin, letonët: Mârtiòð; Limburgezët Martèng; holandezët Maarten; portogezët Martim, Martino; spanjollët Martín; gjermanët Martin; hungarezët Márton; në latinishte shqiptohet Martinus, në esperanto Martino.

13/04/2018 06:30