Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Të krishterë e budistë, të bashkuar kundër korrupsionit

Festa e Vesakh-ut - AFP

11/04/2018 16:26

Të nxitet një kulturë e lirë nga korrupsioni, duke i inkurajuar besimtarët e të dyja feve të kenë integritet moral e të zhvillojnë sensin e barazisë e të përgjegjësisë. Ky, urimi i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar drejtuar gjithë budistëve, me rastin e festës së sivjetme të Vesakh-ut, gjatë së cilës budistët kremtojnë lindjen, shndritjen dhe “parinirvanën” (apo jetën) e Budës historik. Festa kremtohet zakonisht më 29 maj, por mesazhi u bë i njohur sot. “Si liderë fetarë, edhe ne duhet të kontribuojmë në promovimin e një kulture të mbrujtur me ligjshmëri dhe transparencë”, lexohet në të.

Lufta kundër korrupsionit: terren i përbashkët

         Të dyja traditat fetare denoncojnë me vendosmëri korrupsionin. Nga ana e tij, Papa Françesku ia kushtoi luftës kundër këtij fenomeni ndjetin e lutjes për muajin shkurt, duke nënvizuar se çmimin më të lartë për të e paguajnë të varfërit. Për budistët, korrupsioni është “gjendje e sëmurë mendore, që shkakton vuajtje dhe kontribuon në ndotjen e shoqërisë”, pasi përhap helme si “lakmia, urrejtja, zhgënjimi dhe injoranca”. Në veçanti, sipas rregullës së dytë të budizmit, njeriu nuk duhet të marrë atë, që nuk i është dhënë.

Fenomen, që i shkandullon njerëzit

         E megjithatë, shkruhet në mesazhin e diaksterit për dialogun ndërfetar, “vërejmë me trishtim se disa nga ndjekësit tanë marrin pjesë në praktika të korruptuara e, kjo çon në qeverisje të keqe, në bashkëpunim për korrupsion dhe në grabitje të pasurive kombëtare”. Njerëzit i shohin “me shkandull politikanët e paaftë dhe të korruptuar, ligjet e pafrytshme në hetimin e rasteve më të rëndësishme të korrupsionit”, duke bërë kështu, “të lindin lëvizje populiste, nganjëherë, të motivuara e të mbështetura nga fundamentalizmi fetar”.

Të ndërgjegjësohen nëpunësit publikë

         “Besojmë – vijon mesazhi – se korrupsionit nuk mund t’i përgjigjemi me heshtje”, por, nëpërmjet bashkëpunimit me mjetet e komunikimit dhe me shoqërinë civile, duhet bërë ç’është e mundur për ta parandaluar e për ta denoncuar. Objektivi, sipas Këshillit Papnor, është “të ndërgjegjësohen për veprimet e tyre nëpunësit publikë, pa dallim etnik, fetar, politik apo klasor” që të mos grabisin pasuritë kombëtare.

Urimi për festën e Vesakh-ut

         “Të dashur miq – përfundon mesazhi ndërfetar – të impenjohemi aktivisht në promovimin e politikave qytetare e fetare pa korrupsion, në mënyrë që familjet dhe institucionet tona të bëjnë një jetë të ndershme e koherente. Gëzuar festën e Vesakh-ut, në paqe e gëzim”.

11/04/2018 16:26