2018-04-11 16:46:00

Ipeshkvij të Evropës e të Afrikës konfrontohen mbi globalizimin


Ҫ’ndryshime ka shkaktuar globalizimi në rritje në indin e Kishave, të shoqërisë dhe të kulturës në Evropë e në Afrikë? Kjo pyetje jo e lehtë do të jetë filli, që do të përshkojë seminarin e organizuar në Fatima të Portugalisë, duke filluar që nesër, 12 e deri më 15 prill, nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) dhe nga Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit. Programi i punimeve, që do të mbahen me dyer të mbyllura, parashikon tre sesione, gjatë të cilave një ipeshkëv evropian e një afrikan do të konfrontohen përsa i përket ndikimit të globalizimit mbi të rinjtë, emigracionin, njeriun në përgjithësi dhe ekologjinë.

Ipeshkvijtë afrikanë dhe evropianë, prej kohësh, të bashkuar për sfidat e përbashkëta

         “Dialogu ndërmjet ipeshkvijve të dy kontinenteve mbi sfidat e ardhshme të përbashkëta niset nga larg, madje, që nga viti 2004” tregon sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), imzot Duarte da Cunha, në mikrofonin tonë. “Objektivi është shkëmbimi i përvojës dhe ndihma për njëri-tjetrin, si në gjykimin e arsyetimin mbi problemet, ashtu edhe në propozimet për t’u zbatuar. E gjithë kjo ka krijuar një vetëdije të përbashkët më të fuqishme”, shton.

Globalizimi, rast për të mos u nënvleftësuar

         Ipeshkvijtë afrikanë dhe evropianë zgjodhën tematikën e globalizimit, sepse e dinë mirë se fenomeni ka shumë aspekte: po ndikon pozitivisht në bashkësitë kishtare, por, njëkohësisht, ka shkaktuar kriza dhe çarje, që më parë as nuk mendoheshin. “Një efekt pozitiv i globalizimit – shpjegon imzot Da Cunha – është bashkëpunimi ndërmjet njerëzve, lehtësia me të cilën – për shembull – një prift afrikan, ose një misionar laik, mund të shkojë për të ndihmuar Kishën në Evropë dhe anasjelltas. Shumë kohë më parë, kjo lëvizje ishte me një drejtim të vetëm: nga Evropa drejt Afrikës. Tani nuk është më kështu, përkundrazi. Nga ana tjetër, një nga të këqiat është eksportimi i ideologjive mbizotëruese nga Evropa në Afrikë. E kam fjalën për idetë e reja mbi natyrën njerëzore, kundër familjes dhe ato, që reklamizojnë një kapitalizëm të egër…”.

Takimi në Fatima, nën vështrimin e Marisë

Seminarin e deshi në shenjtëroren mariane të Fatimës, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Portugeze, kardinali Manuel Clemente, patriark i Lisbonës. Punimet do t’i hapë kreu i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kardinali Angelo Bagnasco, kryeipeshkëv i Gjenovës në Itali e ato do të mbahen, nën vështrimin amnor të Zojës së Fatimës.








All the contents on this site are copyrighted ©.