Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Françesku, në audiencën e përgjithshme: Pagëzimi na bën të Krishtit

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme

11/04/2018 13:59

“Jemi të krishterë në masën me të cilën e lemë të jetojë Jezu Krishtin brenda nesh”, pohon Papa Françesku, në fillim të katekizmit të tij, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. I pyet të gjithë cili është themeli i jetës së krishterë, zanafilla e saj. Është Pagëzimi, përgjigjet Ati i Shenjtë, i cili ia kushton sot këtij Sakramenti reflektimin e tij.

         “Është i pari ndër Sakramentet – shpjegon – sepse është porta, që i lejon Krishtit Zot të banojë brenda nesh”, si edhe neve, të zhytemi “në vdekjen e ngjalljen e Zotit, duke e mbytur në ujin e Pagëzimit njeriun e vjetër e duke bërë të lindë njeriun e ri, të rikrijuar nga Jezusi”.

Pagëzimi e ndan kohën më dysh

         Pagëzimi është rilindje, rigjenerim përmes Shpirtit Shenjt. Ngjarje qendrore në jetën e çdo të krishteri, prandaj Papa Françesku i nxit besimtarët me këto fjalë:

         “Jam i sigurtë, shumë i sigurtë, se të gjithë ne e kujtojmë datën e lindjes. Por, po e pyes veten e po ju pyes edhe juve: a e kujton secili prej jush datën e pagëzimit? Disa thonë ‘po’ – shumë mirë. Por është një ‘po’ pak si e dobët, sepse, ndoshta, janë shumë, që nuk e kujtojnë këtë datë. Po, nëse festojmë ditën e lindjes, si të mos e festojmë – ose së paku, ta kujtojmë – ditën e rilindjes? Po ju jap një detyrë shtëpie, që duhet ta bëni sot në shtëpi. Ata, që nuk e kujtojnë datën e pagëzimit, ta pyesin nënën, t’i pyesin dajat, nipat, ama të pyesin: ‘A e di cila është data e pagëzimit?’ e të mos e harrojnë më kurrë. E atë ditë, të falenderojmë Hyun, sepse është pikërisht data, në të cilën Jezu Krishti hyri të banojë në mua, Shpirti Shenjt zuri vend brenda meje… Është ditëlindje e re: ditëlindja e rikrijimit. Mos harroni ta bëni këtë, ju lutem”.

Ne të krishterët nuk jemi të izoluar

         Pagëzimi, vijon Papa, “duke na kredhur në Krishtin, na bën edhe gjymtyrë të Korpit të Tij, që është Kisha, e na bën edhe pjesëmarrës në misionin e Tij në botë”. Ati i Shenjtë nënvizon:

         “Pagëzimi i jep mundësinë Krishtit të jetojë brenda nesh dhe neve të jetojmë të bashkuar me Të, për të bashkëpunuar në Kishë për shndërrimin e botës, secili, sipas gjendjes së vet”.

Pse duhen pagëzuar fëmijët?

         Në Sakramentin e Pagëzimit, njeriu mbërrin përmes udhës së fesë, katekumenatit, i cili, vëren Papa, është i qartë kur bëhet fjalë për një të rritur, por kur kemi të bëjmë me fëmijë, “ata pagëzohen në fenë e prindërve”. Duke iu larguar tekstit të përgatitur, Ati i Shenjtë e shpjegon më mirë këtë, duke iu përgjigjur edhe pyetjes së shumë vetëve:

         “Disa mendojnë: po pse duhet pagëzuar fëmija, që nuk kupton? Le ta lemë të rritet, të kuptojë e ta kërkojë ai vetë Pagëzimin. Por, kjo do të thotë të mos kesh besim në Shpirtin Shenjt, sepse kur pagëzojmë një fëmijë, në të hyn Shpirti i Zotit e Ai bën të rriten në atë fëmijë, që prej së vogli, virtytet e krishtera, të cilat do të lulëzojnë më pas. Gjithnjë u duhet dhënë kjo mundësi të gjithëve, të gjithë fëmijëve, për ta pasur brenda vetes Shpirtin Shenjt, që t’i udhëheqë gjatë jetës. Mos harroni t’i pagëzoni fëmijët”.

Pagëzimi sjell fryte, nëse ushqehet nga feja

         Pagëzimi, përfundon Papa, është dhuratë falas për të gjithë, por si çdo farë “mbin e sjell fryte në një terren të ushqyer nga feja”, një fe, e cila duhet ushqyer çdo ditë. Kështu, Pagëzimi e “krishtëzon” atë që e ka marrë – përdor Ati i Shenjtë njërën prej neologjizmave e tij – duke e bërë vërtet një Krisht tjetër.

11/04/2018 13:59