2018-04-10 12:54:00

Siri. ACS: “Thirrja e Papës të mos mbetet pa dëgjuar”


Të mos lihet pa dëgjuar thirrja e fundit e Papës Françesku për Sirinë. Këtë kërkon, me zë të lartë, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” (ACS), pas fjalëve të Atit të Shenjtë në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, të dielën: “Të përshkohet udha e bisedimeve, e vetmja që mund të sjellë paqen pa vdekje e shkatërrim”.

Ҫështja, në OKB

         Burime të opozitës denoncuan këto ditë përdorimin e gazit kimik nga ana e presidentit Assad, i cili nuk e pranon akuzën. Ndërkaq, në OKB vihen keqas përballë njëri-tjetrit SHBA-të dhe Rusia, duke rrezikuar që konflikti ndërmjet tyre të zhvendoset edhe në terrenin sirian. Siria i kërkon Këshillit të Sigurimit të dërgojë një komision hetimor në vend, por fuqitë e bllokut kundër presidentit Assad duan të përdorin grushtin e hekurt e nuk duket se janë të gatshme për kompromis.

Qëndrimi i SHBA-ve

         Presidenti amerikan, Donald Trump, po vlerëson hipotezën e sulmit kundër Sirisë. SHBA-të duan një përgjigje të fuqishme për atë, që e quajnë “akt barbar” kundër popullsisë së Douma-s. Nga burime të ndryshme, jo të konfirmuara, viktimat duhet të jenë rreth 60 e së paku njëmijë, të plagosurit. Për një ndërhyrje të fuqishme janë shprehur edhe Parisi e Londra.

Zëri i Papës kundër “diplomacisë së hipokrizisë”

         Drejtori i përgjithshëm i Fondacionit, Alessandro Monteduro, përkujton akoma lajmin e 100 të vdekurve nga gazi në Douma, qytet i rrethuar nga forcat e presidentit sirian Assad. E flet me zë plot emocion: “Përsa i përket Sirisë, ka një nivel të lartë hipokrizie. Sulmi me armë jo tradicionale, si gazi, sot është lajm i përhapur në të gjithë botën. E megjithatë, bota i mbyll sytë para qindra të vdekurve të përditshëm, vrarë nga bombat e ashtuquajtura ‘tradicionale’. I vetmi, që nuk përdor armën e hipokrizisë, tepër në modë në diplomacitë ndërkombëtare, është Ati i Shenjtë. Që për kushedi të satën herën e ngriti zërin në një thirrje të dëshpëruar. Tepër shpesh pa u dëgjuar”.

Të krishterët, pakicë akoma edhe më e vuajtur

         Të krishterët vuajnë akoma e më shumë. “Sepse jo vetëm mbajnë mbi supe pasojat e luftës, ashtu si pjesa tjetër e popullsisë, por edhe sepse janë pakicë”, denoncon Monteduro. “Nuk mund të mos kujtojmë meshtarët e rregulltarët e shumtë, vrarë në përpjekjen për të krijuar një dialog për paqen, për të cilin bën thirrje Papa”. Më pas, drejtori i Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan” kujton një përvjetor: “Pak ditë më parë përkujtuam vrasjen e një meshtari holandez në Homs, në vitin 2014, meshtari i fundit i krishterë, që kishte mbetur në qytet. Pa harruar masakrat aktuale në qytetet, ku akoma flitet gjuha e Jezu Krishtit, gjuha aramaike. Vuajtje mbi vuajtje, dhimbje mbi dhimbje. Prandaj, i kërkoj botës t’i besojë udhëheqjes dhe urtisë së Papës Françesku. I vetmi, në gjendje të zgjidhë problemin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.