2018-04-10 13:14:00

Papa, më 1 maj do të shkojë për vizitë në shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore


Papa Françesku do të shkojë për vizitë në shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore, në Romë, më 1 maj. “Shtegtarët e zakonshëm janë shumë të gëzuar për këtë lajm” e mezi po e presin, nënvizon rektori i Shenjtërores, don Luciano Chagas Costa.  Ati i Shenjtë duhet të mbërrijë në shenjtëroren shumë të dashur për romakët rreth orës 17.00, për t’u lutur së bashku me të pranishmit, që në atë orë thonë Rruzaren. Gjithsesi, sqaron rektori, është shpejt e programi i detajuar nuk është gati akoma.

         Është hera e parë, që Papa Françesku shkon në këtë shenjtërore mariane. I fundit, ka qenë aty Benedikti XVI, në vitin 2006, gjithnjë më 1 maj, ditë në të cilën Kisha Katolike fillon muajin kushtuar Zojës së Bekuar.

Ndërkaq, të shtunën, më 5 maj, në orën 11.00, Papa do të kryesojë Takimin e Ecjes Neokatekumenale, në Tor Vergata të Romës. Neokatekumenalët festojnë pikërisht atë ditë 50-vjetorin e fillimit të veprimtarisë së tyre në kryeqytetin italian. 








All the contents on this site are copyrighted ©.