Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa, Misionarëve të Mëshirës: mos u mbani sipër të tjerëve, si gjykatës

Papa Françesku kremton meshën me misionarët e Mëshirës - REUTERS

10/04/2018 14:02

Rilindja personale dhe jeta e bashkësisë janë dy aspekte të pandashme, që Papa Françesku u vuri në dukje Misionarëve të Mëshirës, gjatë meshës së sotme, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Para këtij kremtimi, Ati i Shenjtë i takoi në Sallën Regia, në Vatikan. Gjatë homelisë së meshës, u kujtoi se detyra e tyre është shërbimi për njerëzit, në mënyrë që ata të rilindin nga Lart, si edhe shërbimi për bashkësinë e krishterë, që ta jetojë me gëzim urdhërimin e dashurisë.

Jo “të ekzaltuar”, por të butë e të përvujtë

         Qysh nga Jubileu i Mëshirës, meshtarët e caktuar nga Papa, vazhdojnë të shkojnë në pesë kontinentet për të kryer misionin, që u është besuar: të predikojnë, të rrëfejnë dhe të zgjidhin mëkatet, të cilat më parë ishin vetëm në kompetencë të Selisë Apostolike. Dy vjet nga themelimi, 550 prej tyre janë mbledhur që të dielën e deri nesër, në Vatikan, për një takim të organizuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Atyre, Papa u kujtoi se, si Nikodemi, kanë nevojë vazhdimisht për një rilindje shpirtërore personale:

         “Kujdes: nuk është fjala për t’u bërë meshtarë ‘të ekzaltuar’, gati sikur të jeni depozitues të ndonjë karizme të veçantë. Jo. Jeni priftërinj normalë, të thjeshtë, të ekuilibruar, por të aftë për ta lënë veten të përtërihen vazhdimisht nga Shpirti Shenjt, të butë para forcës së Tij, të lirë shpirtërisht – së pari, nga vetvetja – pasi të nxitur nga ‘puhia’ e Shpirtit, që fryn ku dëshiron vetë”.

Mëshirë, që të mbizotërojë bashkimi

         Pastaj, vijoi Ati i Shenjtë, misionarët e Mëshirës duhet të jenë në gjendje të mbartin Kryqin e Krishtit, duke e çuar atë në shkretëtirat e humbëtirat e kësaj bote. Prania e gjallë e Zotit jo vetëm krijon bashkim, por bëhet stil jete, që rrezatohet edhe jashtë, duke u kthyer në forcë tërheqëse, e cila, përmes formave të ndryshme të kumtimit të Lajmit të Mirë, priret të arrijë tek të gjithë:

         “Në fakt, si Kisha, ashtu edhe bota e sotme, kanë veçanërisht nevojë për Mëshirën Hyjnore, që bashkimi i dashur nga Zoti në Krishtin të mbizotërojë mbi veprimtarinë negative të të Keqit, i cili përfiton nga shumë mjete aktuale, të mira në vetvete, por që, nëse përdoren keq, në vend që të bashkojnë, përçajnë”.

         “Pa Mëshirë – paralajmëroi Papa – ky parim nuk ka forcë për t’u zbatuar konkretisht në jetë e në histori”. Prandaj, Misionarët e Mëshirës janë të thirrur të rilindin nga Lart të parët, tha në fund Françesku, duke i konfirmuar në misionin e tyre për t’u ofruar të gjithëve shenjën e Jezusit “të lartuar”.

10/04/2018 14:02