2018-04-10 16:13:00

Françesku takohet me Misionarët e Mëshirës: ndjejeni të parët faljen e Zotit


Përfundon nesër, Takimi i dytë i Misionarëve të Mëshirës, filluar më 8 prill, në të Dielën e Mëshirës, e organizuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Përveç meshës, siç e thamë, Papa Françesku i takoi ata edhe në Sallën Regia, në Pallatin Apostolik të Vatikanit.

Mos e pengoni faljen e Zotit

         Me më se 550 misionarët e pranishëm, nga të pesë kontinentet, Ati i Shenjtë reflektoi mbi Sakramentin e Pajtimit dhe mbi mëshirën e Zotit:

         “Vërtet, duhet ta pranojmë se mëshira e Hyut nuk ka kufi e se me shërbimin tuaj jeni shenjë konkrete se Kisha nuk mundet, nuk duhet e nuk dëshiron të krijojë asnjë pengesë apo vështirësi, që i bie ndesh afrimit me faljen e Atit Qiellor”.

         Papa dëshiron që përgjegjësia e misionarëve të shprehet në mënyrën më të mirë të mundshme, prandaj propozoi disa meditime, që nisen nga pjesë të Shkrimit Shenjt, në veçanti, nga Libri i Isaisë profet dhe nga letrat e shën Palit Apsotull.

Kuptojeni të parët mëshirën e Zotit

         Reflektimi i parë i Atit të Shenjtë i nxiti misionarët të jenë të vetëdijshëm se janë bashkëpunëtorë të Zotit, ambasadorët e Tij: “Mesazhi, që çojmë në emër të Krishtit është se duhet bërë paqe me Zotin”, nënvizoi Papa. “Siç shihet, Zoti ka nevojë për njerëz, që e sjellin në botë faljen dhe mëshirën e Tij”.

         Por “të jemi bashkëpunëtorë të mëshirës do të thotë ta jetojmë dashurinë e mëshirshme, që e kemi provuar ne të parët”, vijoi Ati i Shenjtë, prandaj, është e nevojshme “ta njohim mëshirën e Zotit, së pari, në jetën personale”. Kjo është pikënisja: “Zoti më ka trajtuar me mëshirë”. Prandaj, meshtarët, sipas Papës, nuk duhet të mbahen sipër të tjerëve, sikur të ishin gjykatës:

         “Ju rrëfej se shpesh, mjaft shpesh, ndalem në këtë frazë: ‘Jam trajtuar me mëshirë’. E kjo më bën mirë, më jep guxim. Sikur e ndjej përqafimin e Atit, përkëdheljen e Zotit. Mua personalisht, përsëritja e kësaj fraze më jep shumë forcë, sepse është e vërteta. Edhe unë mund të them se jam trajtuar me mëshirë”.

Mos e pengoni hirin e Hyut

         Mendimi i dytë është të mos e pengojmë Hirin Hyjnor, por ta mbështesim, vijoi Papa. Ata, që rrëfehen, e kanë takuar Zotin e duhet të kemi kujdes të mos i largojmë prej Tij me qëndrimin tonë:

         “Nuk ka nevojë ta turpërojmë atë, që e ka kuptuar tashmë mëkatin e vet dhe e di se ka gabuar; nuk është e nevojshme të hetojmë aty ku Hiri i Atit Qiellor ka ndërhyrë tashmë. Nuk na lejohet të dhunojmë hapësirën shenjte të njeriut në marrëdhënie me Zotin”.

         E Papa citoi shembullin e një kardinali, prefekt i njërës prej Kongregatave të Kuries Romake, që shkon për të rrëfyer në një kishë dy, tri herë në javë. Një ditë i tregoi Atit të Shenjtë se kur e kupton që personi e ka të vështirë të flasë – e kuptohet menjëherë kur ngec – i thotë të vazhdojë pa problem. E mëkatari i penduar merr frymë më lirisht.

Udhë, që i jep kuptim të ri jetës

         Pas dëgjimit, mëkatari i pajtuar shoqërohet në udhën e lirimit e të besimit, të gëzimit e të shpresës. Megjithatë, vërejti Papa, ka çaste kur ndjejmë sikur Zoti hesht e na braktis. Kjo ndodh jo vetëm në orët e errta të njerëzimit të çdo epoke, por edhe në historinë personale të çdo njeriu. E kjo u ndodh edhe shenjtorëve. Françesku kujtoi braktisjen, që ndjeu edhe vetë Jezu Krishti në kryq:

         “Britma e Jezusit mbi kryq: ‘Zoti im, Zoti im, përse më ke braktisur?’, i jep zë humnerës së braktisjes. Por Ati Qiellor nuk përgjigjet. Fjalët e të Kryqëzuarit duket sikur tingëllojnë në humbëtirë, sepse ajo heshtje e Atit për të Birin është çmimi, që duhet paguar, në mënyrë që askush të mos ndjehet më i braktisur nga Zoti”.

Hyu nuk na harron kurrë

         E më tej, duke cituar fjalët e Isaisë profet – “Ja, të kam shkruar në duart e mia” – Papa shprehu sigurinë se Zoti nuk e harron popullin e vet, nuk e harron askënd prej nesh. Vërtet, Isaia përfundon me premtimin e Hyut: “Unë nuk do të të harroj kurrë”. Misionarët e Mëshirës, përfundoi Papa reflektimin e tij, janë të thirrur të jenë interpretues e dëshmitarë të kësaj sigurie. Takimi u mbyll me dy anekdota të Atit të Shenjtë mbi figurën e dy rrëfyesve të mëdhenj, plot mëshirë, njohur në Buenos Ajres, nga të cilët pati mësuar shumë.








All the contents on this site are copyrighted ©.