Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Lajmërimi i Zotit. Françesku: si Maria, t’ia besojmë veten Hyut

Lajmërimi i Zotit - Beato Angelico - RV

09/04/2018 16:48

Kisha kremton sot Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit. Me rastin e kësaj feste, Papa shkroi këtë tweet, në faqen e tij në nëntë gjuhë të botës: “Zoti vazhdon edhe sot të kërkojë zemra si ajo e Marisë, të gatshme t’ia besojnë vetveten krejtësisht Atij”.

Festa e “po”-së

         “Sot është festa e po-së” – pati thënë Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 4 prill 2016 – sepse në po-në e Marisë përmbahet po-ja e gjithë historisë së shëlbimit e fillon aty, po-ja e fundit e njeriut dhe e Zotit”, që “e rikrijon botën, na rikrijon të gjithëve”. Është “po-ja e Zotit që na shenjtëron, që na bën të ecim përpara me Jezu Krishtin”. Ja përse sot është dita e përshtatshme “për ta falenderuar Zotin e për ta pyetur veten: jam burrë, ose grua e po-së apo jam burrë, ose grua e jo-së? Apo jam burrë a grua që shikon nga ana tjetër, për të mos u përgjigjur?”

Jemi ekspertë në përgjigje gjysmake

         “Nganjëherë – pati thënë Papa në Engjëllin e Tënzot të 8 dhjetorit 2016 – jemi ekspertë në po-të gjysmake”, pra “jemi shumë të zotë të bëjmë gjoja se s’po e kuptojmë mirë ç’dëshiron Zoti prej nesh e ç’na sugjeron ndërgjegjja. Jemi edhe dinakë e, për të mos i thënë jo Zotit i themi ‘nuk mundem’, ‘jo sot, nesër’; ‘nesër do të jem më i mirë, nesër do të lutem, do të bëj të gjitha të mirat…nesër’”. “E kjo dinakëri na largon nga Zoti, na largon nga po-ja e na çon drejt jo-së së mëkatit, të mediokritetit”. “Por, kështu – paralajmëroi Papa – ia mbyllim dyert së mirës dhe e keqja përfiton nga këto përgjigje gjysmake, sepse secili prej nesh ka grumbulluar një koleksion të tërë me to: le të shohim brenda vetes, do të gjejmë shumë ‘po’, që mungojnë”. “Ndërsa, çdo ‘po’ e plotë për Zotin është zanafilla e një historie të re”, “çdo po për Zotin bën të lindin histori shëlbimi për ne e për të tjerët”.

Lajmërimi i Zotit e ndryshoi historinë

Gëzimi i Lajmërimit të Zotit, e ndryshoi historinë e njerëzimit përgjithmonë, për këtë arsye Kisha ndalet me besimtarët në meditimin e Misterit të Lajmërimit dhe shpjegon kuptimin e vërtetë të përshëndetjes, që Engjëlli i Zotit i drejton Shën Marisë Virgjër, “Kaire Maria”- “Gëzohu Mari”. Vetëm me këtë dialog të Engjëllit me Marinë fillon me të vërtetë Besëlidhja e Re. Prandaj mund të themi se fjala e parë e Besëlidhjes së Re është “gëzohu”, gëzim.

Zoja, shembull për të gjithë ne

Engjëlli i Zotit, e fton shën Marinë të mos ketë frikë e t’ia besojë krejtësisht veten Zotit. Maria i thotë “po” vullnetit të madh, në dukje tepër të madh, për një njeri. Atë “po”, që nganjëherë duket kaq e vështirë. Pasi duam të parapëlqejmë veç vullnetin tonë. Zoja bëhet kështu një shembull për të gjithë ne. Na tregon gëzimin, që rrjedh nga plotësimi i vullnetit të Atit të Gjithpushtetshëm. Fillimisht, duket si një peshë e padurueshme, një zgjedhë që s’mbahet, por në të vërtetë, vullneti i Zotit nuk është i rëndë. Vullneti i Zotit na jep forcë për ecur përpara dhe krahë për të fluturuar lart.

Gjatë vitit liturgjik, e në mënyrë të veçantë gjatë muajit maj e tetor, kushtuar Zojës së Bekuar, Kisha i kthehet shpesh herë Misterit të ngjarjes në shtëpinë e përvuajtur të Nazaretit. Të imagjinojmë gjendjen shpirtërore të Virgjërës pas Lajmërimit të Zotit, kur Engjëlli u largua prej Saj. Maria kishte një mister të madh në kraharor; e dinte se i kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, unike; e kuptonte se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shpëtimit të botës.

Zoti mundi të marrë fytyrën e njeriut

Përgjigjja pozitive e Marisë, është pasqyrimi i përsosur i përgjigjes së vetë Krishtit, kur hyri në botë. Bindja e Birit pasqyrohet në bindjen e Nënës e kështu, për hir të takimit të këtyre dy “po”-ve, Zoti mundi të marrë fytyrën e njeriut. Ja përse Lajmërimi i Zotit është edhe një festë kristologjike, pasi kremton misterin qendror të Krishtit: Mishërimin e Tij.

“Ja ku jam, jam shërbëtorja e Zotit, të bëhet në mua si thotë Fjala jote”, i përgjigjet shën Maria Engjëllit të Zotit. Fryti i kësaj përgjigjeje duket në jetën e Kishës. Përgjigjja e Shën Marisë drejtuar Engjëllit të Hyjit vazhdon në Kishë, e cila është e thirrur ta bëjë të pranishëm Krishtin në histori, duke ofruar gatishmërinë e vet që Zoti të vazhdojë ta vizitojë njerëzimin me mëshirën e Tij.

09/04/2018 16:48