Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

“Gaudete et exsultate”, Papa: bëhemi shenjt, duke jetuar Lumnitë

Nxitja apostolike "Gaudete et exsultate" - RV

09/04/2018 14:45

Njeriu bëhet shenjt duke jetuar lumnitë ungjillore: kjo është rruga kryesore e “kundër rrymës” në krahasim me botën. Shenjtorë mund të bëhemi të gjithë, sepse Kisha na ka mësuar se kjo është thirrje universale dhe e mundshme për çdo njeri, siç tregojnë shenjtorët e shumtë – njerëz si të tjerët. Jeta e shenjtërisë është e lidhur ngushtë me jetën e mëshirshme, “çelës për portat e qiellit”. Pra, shenjtor është kush di të mallëngjehet e të lëvizë për të ndihmuar të mjerët dhe për të shëndoshur mjerimet. Kush u largohet “mendimeve të errta” sipas herezive të vjetra, gjithnjë aktuale e, kush, përveç të tjerash, në një botë të nxituar e agresive, “është i aftë të jetojë me gëzim e me humorizëm”.

Jo “traktat”, por ftesë

         E është pikërisht fryma e gëzimit, që vë në dukje Papa Françesku që në fillim të Nxitjes Apostolike. Titulli “Gaudete et exsultate”, “Gëzohuni e galdoni”, përsërit fjalët e Krishtit drejtuar “atyre, që persekutohen dhe poshtërohen për shkak të Tij”. Në pesë kapitujt e në 44 faqet e dokumentit, Papa ndjek fillin e magjisterit të tij më të ndjerë, Kishën pranë “korpit të Krishtit të vuajtur”. 177 paragrafët nuk janë, paralajmëron Ati i Shenjtë, “traktat për shenjtërinë me një sërë përkufizimesh e dallimesh”, por një mënyrë për ta bërë “të tingëllojë edhe një herë thirrjen për shenjtëri”, duke përmendur “rreziqet, sfidat dhe mundësitë e saj” (n.2).

Modeli i shenjtërisë

         Para se të thotë ç’duhet bërë që të jemi shenjt, në kapitullin e parë, Françesku ndalet në “thirrjen për shenjtëri” e siguron se të gjithë e kanë një rrugë për t’u përsosur gjithnjë e më shumë e nuk ka kuptim të aspirojmë “modele shenjtërie, që na duken të paarritshme”, ose të përpiqemi “të imitojmë diçka, që s’është menduar për ne” (n.11). “Shenjtorët, që tashmë janë pranë Zotit”, thekson Papa, “na inkurajojnë dhe na shoqërojnë” (n.4). Shenjtëria, për të cilën na thërret Zoti, është ajo e “gjesteve të vogla” (n.16) të përditshme, shpesh dëshmuar nga ata, “që jetojnë fare pranë nesh”, nga “shtresa e mesme e shenjtërisë”, siç e quan Ati i Shenjtë (n.7).

Arsyeja nuk e zëvendëson Zotin

         Në kapitullin e dytë, Papa kritikon ata, që i quan “dy armiq të hollë të shenjtërisë”, disa herë objekt i reflektimit të tij në meshët e Shën Martës, në “Evangelii gaudium”, si edhe në dokumentin e fundit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, “Placuit Deo”. Është fjala për “gnosticizmin” dhe për “pelagjanizmin”, devijime të fesë së krishterë, të vjetra me shekuj, e megjithatë, “me aktualitet alarmues” (n.35), shkruan Papa. S’përbëjnë tjetër, veçse një “kotësi sipërfaqësore, një ‘logjikë të ftohtë’, që pretendon ta zbusë misterin e Zotit dhe hirin e Tij”, duke preferuar kështu, “një Zot pa Krishtin, një Krisht pa Kishën e një Kishë pa popullin” (nn. 37-39).

Adhuruesit e vullnetit

         Neo-pelagjanizmi është, sipas Françeskut, gabim tjetër lindur nga gnosticizmi. Objekti i adhurimit nuk është më mendja njerëzore, por “përpjekja personale”, “vullneti pa përvujtërinë” i njeriut, që ndjehet superior ndaj të tjerëve, vetëm sepse ndjek “norma të caktuara”, ose është besnik ndaj “një stili të caktuar katolik” (n.49). Mania për ligjin, ose mburrja për liturgjinë, për doktrinën e për prestigjin e Kishës, për Papën, janë tipare tipike të të krishterëve, që tundohen nga herezia e pelagjanizmit (n.57). Françesku kujton se është gjithnjë Hiri Hyjnor ai, që na ndihmon të kapërcejmë “inteligjencën dhe vullnetin e njeriut” (n.54). Nganjëherë, vëren, “e ndërlikojmë Ungjillin e bëhemi skllevër të skemave” (n.59).

Tetë rrugë shenjtërimi

         Përtej të gjitha teorive për shenjtërinë, qëndrojnë lumnitë ungjillore. Papa i vë në qendër të kapitullit të tretë, duke pohuar se përmes tyre, Jezu Krishti “e ka shpjeguar krejt thjesht ç’do të thotë të jesh shenjt” (n.63). Ati i Shenjtë i shqyrton lumnitë një e nga një. Nga varfëria e zemrës, që do të thotë edhe jetë e thjeshtë (n.70), në reagimin me përvujtëri në një botë ku ka grindje kudo (n.74). Nga “guximi” për t’u prekur nga dhimbja e tjetërkujt, duke ndjerë dhembshuri për të, ndërsa bota e injoron dhe kthen kokën nga ana tjetër (nn. 75-76), tek uria dhe etja për drejtësi, ndërsa “bandat e korrupsionit” ndajnë mes tyre “tortën e jetës” (nn. 78-79). Nga shikimi e veprimi me mëshirë, që do të thotë të ndihmosh të tjerët e, edhe t’i falësh (nn. 81-82), në “ruajtjen e një zemre të pastër nga gjithçka e ndyen dashurinë” për Zotin e për të afërmin (n.86). E së fundi, Papa i këshillon të krishterët të mbjellin paqe e miqësi shoqërore, me qetësi, krijimtari, ndjeshmëri e zotësi, të vetëdijshëm për vështirësitë e ndërtimit të urave ndërmjet njerëzve të ndryshëm, por edhe të dinë t’i pranojnë persekutimet, sepse sot, koherenca me lumnitë ungjillore “mund të shihet keq, me dyshim, me përqeshje”. Megjithatë, s’mund të presim që gjithçka rreth nesh të jetë e favorshme, kur e jetojmë Ungjillin (n.91).

Një rregull e artë e sjelljes

         Një nga lumnitë – “lum të mëshirshmit” – për Papën Françesku përmban “rregullën e artë të sjelljes” së të krishterëve, që përshkruhet nga Mateu në kapitullin 25, atë të “Gjykimit të mbramë”. Ajo faqe, nënvizon Bergoglio, dëshmon se “të jesh shenjt, nuk do të thotë… të përhumbësh sytë si, gjoja, në ekstazë” (n.96), por ta jetosh Zotin përmes dashurisë për të fundmit. Fatkeqësisht, vëren, ka ideologji, që e “gjymtojnë Ungjillin”. Nga njëra anë, të krishterët, që nuk kanë marrëdhënie me Zotin, “që e shndërrojnë krishterimin në një lloj ojq-je” (n.100). Nga ana tjetër, ata që “s’besojnë në impenjimin shoqëror të të tjerëve” si të ishte i kotë, i shekullarizuar, “komunist apo populist”, madje edhe e relativizojnë atë, në emër të s’dihet cilës etikë. Papa thekson me forcë se mbrojtja e çdo kategorie njerëzish të brishtë e nevojtarë duhet të jetë “e vendosur dhe e apasionuar” (n.101). Edhe mikpritja e emigrantëve – që disa katolikë e konsiderojnë më pak të rëndësishme se bioetikën – është detyrë e çdo të krishteri, sepse në çdo të huaj banon Krishti e kjo nuk është – pohon me këmbëngulje – shpikje e Papës, ose ndonjë delir(jerm) kalimtar.

Karakteristikat e shenjtërisë

         Papa nënvizon më tej se “të bësh qejf” në jetë, ashtu siç dëshiron konsumizmi hedonist, të pengon të jetosh për lavdi të Hyut, që na kërkon të impenjohemi në vepra mëshire (nn.107-108). Në kapitullin e katërt të Nxitjes Apostolike “Gaudete et Exsultate”, Ati i Shenjtë shqyrton karakteristikat e domosdoshme për një stil të shenjtë jetese: “durim e butësi”, “gëzim e humorizëm”, “guxim e entuziazëm”. Sipas Papës, rruga e shenjtërisë është udhë e jetuar “në bashkësi e në lutje të vazhdueshme”, që arrin deri në “kundrimin e Zotit”, kuptuar jo si shmangie nga bota (nn.110-152).

Luftë vigjilente dhe inteligjente

         E meqë jeta e krishterë është luftë e vazhdueshme kundër mendësisë së kësaj bote, në kapitullin e pestë, Papa fton për luftë kundër të Keqit, i cili, shkruan, nuk është mit, por “qënie personale, që na mundon” (nn.160-161). Kurthet e tij duhen përballuar me vigjilencë, duke përdorur armët e fuqishme të lutjes, të Sakramenteve dhe veprat e mëshirës (n.162). Për Papën, duhet të mësojmë si ta dëgjojmë zërin e Zotit në një epokë, që na shpërqëndron me udhëtime, kohë të lirë, përdorim të shfrenuar të tekonologjisë e me njëmijë tundime. Françesku kërkon kujdes të veçantë për të rinjtë, të cilët janë më të ekspozuar ndaj botës virtuale, që i largon nga realiteti. Këshillon t’i jepet koha e duhur shqyrtimit e shoshitjes, “jo për të zbuluar ç’mund të përfitojmë tjetër nga jeta, por për të kuptuar si mund ta plotësojmë sa më mirë misionin, që na është besuar përmes Pagëzimit” (n.174).

09/04/2018 14:45