Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Festa e Lajmërimit të Zotit, kremtim i jetës

Festa e Lajmërimit të Zotit, kremtim i jetës

09/04/2018 11:00

Festa e Lajmërimit të Zotit, një ngjarje e përvuajtur dhe e fshehtë, por vendimtare për njerëzimin. Bie sot Solemniteti i Lajmërimit të Zojës së Bekuar, është mister i mrekullueshëm feje. Një ngjarje e përvuajtur dhe e fshehtë, por njëkohësisht vendimtare për historinë e njerëzimit. Me përgjigjen pozitive të Virgjërës Mari pas lajmërimit të Engjëllit të Zotit, fillon epoka e re e historisë, që me Pashkët sanksionohet si “Besëlidhja e re dhe e amshuar”.

Gëzimi i Lajmërimit të Zotit, e ndryshoi historinë e njerëzimit përgjithmonë, për këtë arsye Kisha ndalet me besimtarët në meditim të Misterit të Lajmërimit dhe shpjegon kuptimin e vërtetë të përshëndetjes, që Engjëlli i Zotit i drejton Shën Marisë Virgjër, “Kaire Maria”- Do të thotë “Gëzohu Mari”. Vetëm me këtë dialog të Engjëllit me Marinë fillon me të vërtetë Besëlidhja e Re. Prandaj mund të themi se fjala e parë e Besëlidhjes së Re është “gëzohu”, “gëzim.
Engjëlli i Zotit, e fton shën Marinë të mos ketë frikë e t’ia besojë krejtësisht veten Zotit. Maria i thotë “po” vullnetit të madh, në dukje tepër të madh, për një njeri. Atë “po”, që nganjëherë duket kaq e vështirë. Pasi duam të parapëlqejmë veç vullnetin tonë.

Zoja bëhet kështu një shembull për të gjithë ne. Na tregon gëzimin, që rrjedh nga plotësimi i vullnetit të Atit të Gjithpushtetshëm. Fillimisht, duket si një peshë e padurueshme, një zgjedhë që s’mbahet, por në të vërtetë, vullneti i Zotit nuk është i rëndë. Vullneti i Zotit na jep forcë për ecur përpara dhe krahë për të fluturuar lart.

Gjatë vitit liturgjik, e në mënyrë të veçantë gjatë muajit maj e tetor, kushtuar Zojës së Bekuar, Kisha i kthehet shpesh herë Misterit të ngjarjes që ndodhi në shtëpinë e përvuajtur të Nazaretit. Të imagjinojmë gjendjen shpirtërore të Virgjërës pas Lajmërimit të Zotit, kur Engjëlli u largua prej Saj. Maria kishte një mister të madh në kraharor; e dinte se i kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, unike; e kuptonte se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shpëtimit të botës.

Përgjigjja pozitive e Marisë, është pasqyrimi i përsosur i përgjigjes së vetë Krishtit, kur hyri në botë. Bindja e Birit pasqyrohet në bindjen e Nënës e kështu, për hir të takimit të këtyre dy “po”-ve, Zoti mundi të marrë fytyrën e njeriut. Ja përse Lajmërimi i Zotit është edhe një festë kristologjike, pasi kremton misterin qendror të Krishtit: Mishërimin e Tij.

“Ja ku jam, jam shërbëtorja e Zotit, të bëhet në mua si thotë Fjala jote”, i përgjigjet shën Maria Engjëllit të Zotit. Fryti i kësaj përgjigjeje, është i pranishëm në jetën e Kishës. Përgjigjja e Shën Marisë drejtuar Engjëllit të Hyjit vazhdon në Kishë, e cila është e thirrur ta bëjë të pranishëm Krishtin në histori, duke ofruar gatishmërinë e vet që Zoti të vazhdojë ta vizitojë njerëzimin me mëshirën e Tij.

09/04/2018 11:00