Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Sot, e Diela e Mëshirës Hyjnore, Papa kremtoi Meshën me misionarët e mëshirës

Mesha e Papës me misionarët e mëshirës, më 2 nëntor 2016 - RV

08/04/2018 12:30

Sot, e Diela e Mëshirës Hyjnore, Papa kremtoi Meshën me misionarët e mëshirës.

Kush janë Misionarët e Mëshirës? 

Janë pak më shumë se 1000 meshtarë, të zgjedhur nga mbarë bota. Morën nga Papa Françesku lejën të zgjidhin mëkate, që deri atë çast mund të zgjidheshin vetëm nga Selia e Shenjtë si dhe mandatin e posaçëm të predikatarit gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, siç parashikohej në Bulën papnore Misericordiae Vultus. E pastaj u nisën menjëherë për të kryer këtë mision të jashtëzakonshëm baritor, në dioqeza të ndryshme, deri në skajet më të humbura të botës. Historia e tyre nisi me shpalljen e Vitit Shenjt, më 13 mars 2015. Por, më 21 nëntor 2016, kur kremtimet sapo kishin përfunduar, Françesku e zgjati këtë shërbim të jashtëzakonshëm përtej Vitit Shenjt, duke ia besuar kujdesit të Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

Misionarë të mëshirës, pra, janë ata meshtarë, që Papa i nisi nëpër dioqezat e botës, me detyrën për të predikuar, për të rrëfyer e për të zgjidhur mëkate të veçanta.

Po ç’mëkate mund të zgjidhin misionarët?

Bula e shpalljes së Viti Shenjt, në n.18, na njeh me detyrën e këtyre misionarëve të mëshirës. “Do të jenë meshtarë, të cilëve do t’u jap autoritetin për t’i falur edhe mëkatet e rezervuara vetëm për Selinë Apostolike” - shkruan Papa. Shprehja “mëkatet e rezervuara” është kanonikisht e papërcaktuar. Por pas hyrjes në fuqi të Kodit të së Drejtës Kanonike të vitit 1983, nuk ekziston më rezerva mbi mëkatet (që mund të zgjidhen nga ipeshkvi dioqezan ose nga Selia Apostolike), por vetëm mbi krimet. Krimi, ndonëse mbetet mëkat i rëndë, sipas ligjit, ka cilësimin e tij juridik, i cili parashikon edhe dënimin përkatës. Kisha, me kujdesin e saj amtar, duke përdorur një figurë mjekësore, mendon se jo çdo sëmundje mund të shërohet nga i njëjti mjek e me të njëjtat ilaçe. Për sëmundje të ndryshme, ka mjekë të ndryshëm. E ilaçe të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për zgjidhjen e mëkateve. Prej këndej, krimet e rënda shikohen si  sëmundje të rënda e zgjidhen nga rrëfyes me përgatitje të veçantë.

A mund ta falin misionarët mëkatin e abortit, duke hequr edhe shkishërimin, që lidhet me të?

“Natyrisht, por jo vetëm ata. Papa, gjatë vitit të jashtëzakonshëm të mëshirës, ua krijoi këtë mundësi të gjithë meshtarëve të Kishës katolike. Po ç’kuptim ka shkishërimi? Dënon vetëm gruan, që aborton, apo edhe atë, që e ndihmon? Përsa i përket mëkatit të abortit, dënimi bie mbi gruan e cila, ndonëse e di që po kryen një krim të rëndë, vijon të ngulmojë, derisa ia arrin qëllimit. Ndërsa lidhur me shkishërimin, dënohen gruaja e kush e ndihmon! Në këtë dënim përfshihen edhe mjekët abortistë.

Përtej Vitit Shenjt

Papa, siç kujtuam më lart, e zgjati këtë shërbim të jashtëzakonshëm përtej Vitit Shenjt, duke ia besuar kujdesit të Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

Misionarë të mëshirës, pra, janë ata meshtarë, që Papa i nisi nëpër dioqezat e botës, me detyrën për të predikuar, për të rrëfyer e për të zgjidhur mëkate të veçanta. Pa harruar se çdo i krishterë duhet të jetë misionar, të dalë nga vetvetja e ta kumtojë Krishtin ku njihet e ku s’njihet, duke pasur mirë parasysh horizontin e mbarë njerëzimit! E, sidomos, thirrjen e vetë Zotit!

08/04/2018 12:30