2018-04-08 08:00:00

Papa Françesku dhe shenjtëria, thirrje për të gjithë, jo për “superheronj”


Nesër, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, do të paraqitet Nxitja Apostolike e Papës Françesku “Gaudete et Exsultate”, mbi thirrjen e shenjtërisë në botën bashkëkohore. Ky është argument shumë i dashur për Atin e Shenjtë, i cili mendon se shenjtëria është për të gjithë e ka theksuar gjithnjë se Kisha ka nevojë për shenjtorë, jo për “superheronj”.

Që nga hapat e para pas zgjedhjes në Katedrën e Shën Pjetrit, Papa Françesku ndalet në shenjtërinë brenda Kishës e, në shumë raste, përvijon jo vetëm profilin, që e dallon atë që dëshiron të jetë shenjt, por i bën njerëzit të kuptojnë edhe se çfarë s’mund të jetë një shenjt. Më 2 tetor 2013, në një nga audiencat e përgjithshme të vitit të parë të papnisë, Bergoglio nënvizon se Kisha “u jep të gjithëve mundësinë për të ecur në rrugën e shenjtërisë, që është rruga e të krishterit” drejt takimit me Krishtin. Kisha, vëren Papa, nuk i refuzon mëkatarët, i pranon dhe i fton të imitojnë shenjtërinë e Zotit. Në përfundim të këtij katekizmi, Papa citon shkrimtarin francez Léon Bloy, i cili, në ditët e fundit të jetës së vet, thoshte se “ekziston vetëm një trishtim në jetë, ai që nuk je shenjt”.

Shenjtorët nuk janë superheronj, por miq të Zotit

Shenjtorët, nënvizon në festën e parë të të Gjithë Shenjtorëve Papa, më 1 nëntor 2013, janë “miq të Zotit”, sepse “kanë jetuar në bashkim të thellë me Hyun”. Françesku përvijon kartën e identitetit të shenjtorëve, që, sipas tij, “nuk janë supernjerëz, as nuk kanë lindur të përsosur”. Shenjtorët, thekson, “janë si ne, ashtu si secili prej nesh”, kanë jetuar normalisht, por “e kanë njohur dashurinë e Zotit” dhe e kanë “ndjekur me gjithë zemër, pa kushte e hipokrizi”. Si njihet pra shenjtëria? “Shenjtorët – përgjigjet Papa – janë burra e gra, që e kanë gëzimin në zemër dhe ua transmetojnë të tjerëve”. Gëzimi, pra, është tipari dallues i shenjtorëve, në kundërvënie me atë “fytyrë funerali”, që, siç thotë Papa shpesh, i karakterizon disa të krishterë, të cilët nuk e jetojnë si duhet fenë e tyre.

Të gjithë të krishterët janë të thirrur për shenjtëri

Karakteristikë tjetër e shenjtorëve është përvujtëria. Në homelinë e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, më 9 maj 2014, Papa Françesku ndalet në figurën e shën Gjon Palit II. E vëren se “atleti i madh i Zotit’ përfundon ‘i asgjësuar nga sëmundja. I përulur si Krishti”. Dëshmia e Karol Vojtilës, kujton, tregon se një nga normat e shenjtërisë është “të bëhemi të vegjël, në mënyrë që të rritet Zoti” në sytë e të gjithëve e për këtë, “duhet të përvuhemi”. Imazh, larg njerëzve me “superfuqi”. “Ndryshimi ndërmjet heronjve dhe shenjtorëve – shpjegon më pas Papa – është dëshmia, imitimi i Krishtit: ecja në udhën e Jezusit”. E për këtë jemi të thirrur të gjithë. Shenjtërimi i jetës është vokacion universal. Pikërisht këtij koncepti, Ati i Shenjtë i kushton audiencën e përgjithshme të 19 nëntorit 2014. “Të gjithë të krishterët – nënvizon – për faktin se janë të pagëzuar, kanë dinjitet të barabartë para Hyut e të njëjtën thirrje për shenjtëri”. Kjo është dhuratë për të gjithë, pohon më  tej Papa, pa përjashtuar askënd, prandaj “përbën tiparin dallues të çdo të krishteri”. E thekson se për “të qenë shenjtorë, nuk është e nevojshme të jesh ipeshkëv, meshtar apo rregulltar”: “të gjithë jemi të thirrur të bëhemi shenjt”.

Edhe shenjtorët janë mëkatarë, por dinë të pendohen e të kërkojnë falje

Papa Françesku këshillon të mos i konsiderojmë shenjtorët thjesht si “një fytyrë në fugure”. Të jesh shenjt është diçka më e thellë, diçka që ushqehet nga gjeste, “nga shumë hapa të vogla”, që secili prej nesh mund t’i bëjë aty ku jeton e punon. “Ҫdo fazë e jetës çon drejt shenjtërisë, gjithmonë”, nënvizon. Më 1 nëntor 2015, në meshën e kremtuar në Varrezat e Veranos, në Romë, Françesku ndalet në udhën drejt lumnisë e shenjtërisë. Vëren se shenjtorët janë të butë e të durueshëm, ashtu si Jezusi. Në vitin 2016 i kthehet sërish kësaj ideje në meshët e kremtuara në Shën Martë. Më 19 janar, duke e përqendruar homelinë mbi Davidin mbret, vëren se në jetën e shenjtorëve ka edhe shumë tundime e mëkate. Jeta e mbretit të Izraelit e dëshmon këtë. Davidi ishte mëkatar deri në vrasje, por në fund, i kupton mëkatet e veta dhe kërkon falje. Kjo histori, pohon Papa, na bën të mendojmë se “nuk ka shenjtor pa të kaluar e as mëkatar pa të ardhme”. Më 24 maj, ngre zërin, duke nënvizuar se shenjtëria nuk mund të shitet e të blihet, por është dhuratë për t’u pranuar. Dhuratë e rrugë. “Shenjtëria – thekson Papa – është udhë në praninë e Zotit e nuk mund ta bëjë askush tjetër në emrin tim. Udhë, që duhet përshkuar me guxim, me shpresë e me gatishmërinë për ta marrë dhuratë këtë hir”.

Mos kini frikë të jeni shenjtorë

Shenjtorët janë edhe “dëshmitarë e shokë shprese”. Për këtë, Papa flet në audiencën e përgjithshme të 21 qershorit 2017. Në atë rast, nënvizon se për të qenë shenjtorë “nuk është e nevojshme të lutemi gjithë ditën”. Shenjtëria banon edhe “në sëmundje e në vuajtje”, në punë e në kujdesin për fëmijët. “Zoti na dhashtë shpresën për të qenë shenjt – uron Françesku – e të mos mendojmë se është e vështirë, se është më e lehtë të bëhemi kriminelë se shenjtorë! Jo! Mund të bëhemi shenjtorë, sepse na ndihmon Zoti”. Papa flet për shenjtërinë edhe në rrjetet shoqërore. Më 1 nëntorin e vitit të kaluar, në Twitter, nënvizon se “bota ka nevojë për shenjtorë e të gjithë ne, pa përjashtim, jemi të thirrur për shenjtëri”. E nuk duhet të kemi frikë të ecim në udhën e shenjtërimit të jetës, e cila është udhë e të përvuajturve dhe jo e arrogantëve.

Motu Proprio mbi dhurimin e jetës – udhë shenjtërie

Si të mos kujtojmë këtu edhe të gjitha meshët për të shpallur shenjtorë njerëz si Nënë Tereza, Papa Gjoni XXIII e Papa Gjon Pali II. Por edhe lumnimin e Papës Pali VI, ku Françesku nënvizon sidomos përvujtërinë e tij, virtyt i dëshmitarëve të fesë dhe jo i “superheronjve”. E Ati i Shenjtë hap udhën e lumnimit për ata që, të shtyrë nga dashuria, japin heroikisht jetën për të afërmin. E bën këtë me Motu Proprio-n “Maiorem hac dilectionem”, publikuar në korrik 2017. Fillon me fjalët e Krishtit, marrë nga Ungjilli sipas Gjonit: “Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japësh jetën për të afërmit”. Ky pra, këndvështrimi i Papës Françesku mbi shenjtërinë: të jesh mik i Zotit dhe i të afërmit deri në dhurimin e jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.