Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

E Diela in Albis – e Diela e Bardhë pas Pashkëve

Cristo risorto - RV

08/04/2018 00:30

E Diela in Albis – e Diela e Bardhë pas Pashkëve. Kremtimi i Pashkëve liturgjikisht zgjatet gjithë javën, këtë javë, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit.

Për ata që i kanë kremtuar si duhet Pashkët, është gjë e bukur vijimi i gëzimit të festës së ngjalljes. Por për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë Pashkësh, kurrfarë feste fetare, kjo e hënë sigurisht është e zbrazët e pa kuptim, sepse do të thotë të festosh në një ditë që nuk dihet ç’ përkujton. Ndërsa për të krishterët edhe ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ringjalljes. Java pas Pashkëve, të cilën sapo e kremtuam, quhet in Albis, sepse të posapagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha – e in albis do të thotë “me të bardha” – deri të dielën ‘in Albis’.

Të gjitha 50 ditët e kohës së Pashkëve, që shkon deri për Rrëshajë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve. E në të vërtetë, e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti Krijues! Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë. Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë. Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime.

Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Perëndisë, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, i cili është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e vetjes. Sigurisht nuk kemi figurat. Bibla flet për Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht shpirtëror. Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet Atit e Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria.

E ne kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull, që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit e e pajis njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt, ndoshta kështu jeta do të ishte më pak monotone nga ç’është tani, sidomos për të krishterët.

08/04/2018 00:30