2018-04-06 12:47:00

Letër e 7 ipeshkvijve gjermanë për Selinë e Shenjtë mbi ndër-kungimin


22 marsin e kaluar, kryeipeshkvijtë e Bambergës dhe të Këlnit, së bashku me ipeshkvijtë e Augustës, Ajhshtetit, Gërlicit, Pasaut dhe Regensburgut, shkruan një letër për kardinalin Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, si edhe për kryeipeshkvin Luis Ladaria, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Dorë e shtrirë për ndër-kungimin e bashkëshortëve

         Rasti, shpjegohet në një notë të kryedioqezës së Këlnit, u dha nga vendimi i marrë në asamblenë e pranverës së ipeshkvijve gjermanë, që u mbajt në Ingolshtadt, nga 19 deri më 22 shkurt. Më 20 shkurt, shumica e ipeshkvijve miratoi tekstin e quajtur “për një dorë të shtrirë baritore”, i cili bën të mundur që Kisha Katolike t’u japë kungimin bashkëshortëve me besime të ndryshme të krishtera, në disa raste. Kjo ndodh vetëm pasi çështja shqyrtohet nga famullitari, ose nga një person i ngarkuar prej tij. Bashkëshortët qëllon të jenë  - për shembull – katolikë e protestantë, ose katolikë e ortodoksë, pra, të dy të krishterë, pavarësisht se nga tradita të ndryshme.

Të gjenden zgjidhje, që vlejnë për të gjithë

         Në letër, ipeshkvijtë nënshkrues i kërkojnë Selisë së Shenjtë të sqarojë nëse çështja e kungimit për këto çifte mund “të zgjidhet në kuadrin e një Konference ipeshkvnore kombëtare apo nevojitet një vendim i Kishës universale”. Synimi i shtatë ipeshkvijve është shmangia e përjashtimeve për këtë apo atë komb, kur është fjala për një çështje kaq qendrore për fenë e për bashkimin e Kishës. Ata do të parapëlqenin një zgjidhje të vetme, universale dhe të zbatueshme për të gjithë, arritur përmes dialogut ekumenik.

Kardinali Marx: teksti është vetëm bocë

         Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut dhe i Frizingës, shprehet me habi për letrën e dyshimet e shtatë ipeshkvijve, duke pasur parasysh se teksti i miratuar nga asambleja e shkurtit është vetëm bocë, prandaj mund të ndryshohet më tej.

Fjalët e Papës Françesku në “Amoris Laetitia”

         Për të sqaruar qëndrimin e Kishës universale, u drejtohemi fjalëve të Papës Françesku në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia” e, në veçanti, paragrafit 247, titulluar “Disa situata të ndërlikuara”. “Problematikat e lidhura me martesat e përziera – shkruan Ati i Shenjtë – kërkojnë vëmendje të veçantë. Martesat ndërmjet katolikëve dhe të pagëzuarve të tjerë paraqesin, pavarësisht nga fizionomia e tyre e veçantë, elemente të shumta, që është mirë të vlerësohen e të zhvillohen, si për vlerën e tyre të brendshme, ashtu edhe për kontributin që mund t’i japin lëvizjes ekumenike”.

Për këtë qëllim “duhet kërkuar… bashkëpunimi i përzemërt ndërmjet meshtarit katolik dhe atij jo katolik, që nga koha e përgatitjes për martesë” (Familiaris cosortio, 78).  Ndërkaq, vetë Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, kur është fjala për kungimin e përbashkët, kujton se “vendimi për të pranuar apo jo palën jo katolike të çiftit martesor në kungimin eukaristik duhet marrë në pajtim me normat e përgjithshme në këtë fushë, si për të krishterët lindorë, ashtu edhe për të krishterët e tjerë, duke pasur parasysh këtë situatë të veçantë: po marrin sakramentin e martesës së krishterë dy të krishterë të pagëzuar. Megjithëse bashkëshortët në një martesë të përzier e kanë të përbashkët sakramentin e pagëzimit dhe atë të martesës, kungimi i përbashkët mund të jepet vetëm në raste të veçanta e, gjithsesi, duke zbatuar direktivat përkatëse” (Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, “Direktivat për zbatimin e parimeve dhe të normave të ekumenizmit”, 25 mars 1993, 159-160).








All the contents on this site are copyrighted ©.