2018-04-06 17:38:00

Imzot Fisichella: Misionarët e Mëshirës janë shenjë e afërsisë së Zotit


Dy vjet pas themelimit të shërbimit të tyre gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm, Misionarët e Mëshirës mblidhen në Vatikan nga 8 deri më 11 prill për një takim të madh, të dytë, organizuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Priten më se 550 misionarë, ardhur nga pesë kontinentet. Në Romë, ata do të përjetojnë çaste katekizmi e lutjeje. Përveç dëshmisë për veprimtarinë e tyre baritore në dioqeza të ndryshme, ata do të kremtojnë veçanërisht Sakramentin e Pajtimit, thelbi e zemra e këtij shërbimi, dashur kaq shumë nga Papa Françesku. Është gati e do të shpërndahet edhe Vjetari me kontaktet e 897 Misionarëve të Mëshirës, aktivë në këtë moment.

Programi

         Nesër, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, parashikohen çaste të ndryshme reflektimi. Kardinali Camillo Ruini do të mbajë një katekizëm mbi dy “shtyllat” – bazë të jetës së bashkësisë së krishterë, në dritën e mëshirës: “falja” dhe “dhurimi”. Një ditë më pas, kur Kisha universale kremton të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku do të kryesojë meshën, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në të cilën do të marrin pjesë misionarët. Të martën e javës së ardhshme, në program, takimi me Atin e Shenjtë, në Sallën Regia, gjithnjë në Vatikan. Pas takimit, misionarët e Papa Françesku do të kremtojnë së bashku meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Imzot Fisichella: misionarët janë dëshmitarë të mëshirës së Zotit

         Kreu i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella, ndalet, në mikrofonin tonë, mbi këtë takim të madh të Misionarëve të Mëshirës:

         Nuk mund të bënim tjetër, veçse të vijonim përshpirtërinë e mëshirës, që u përjetua nga e gjithë Kisha, nga miliona e miliona besimtarë gjatë Jubileut të Mëshirës. Kujtojmë se Papa, në letrën e tij në përfundim të Jubileut, pati vendosur që Misionarët e Mëshirës të mos e përfundonin shërbimin e tyre, por të vazhdonin më tej. Ja pra, për këtë arsye i menduam këto ditë, gjatë të cilave, reflektimi, lutja, takimi me Papën Françesku kthehen në shenjë. Bëhen bilanci i gjendjes, pra, kuptojmë në ç’pikë është ky shërbim nga dëshmitë e çmuara të vetë misionarëve, për të menduar pastaj udhën e mëvonshme.

E në ç’pikë jemi, imzot Fisichella?

         Është diçka shumë interesante: ky është shërbim, që kryhet në mënyrë shumë të rezervuar, por me një prani tejet të rëndësishme për jetën e Kishës. Misionarët e Mëshirës janë shenja se askush nuk duhet të gjejë vështirësi e pengesa për ta kuptuar e për ta takuar mëshirën e Zotit. Misionarët janë aty, pikërisht për të dëshmuar këtë gjë. E fjalët e Papës për meshtarët në homelinë e Meshës së Bagmit, të Enjten e Madhe, vlejnë edhe më shumë për Misionarët e Mëshirës. U tha atyre të jenë shenjë e afërsisë së Zotit. Para shumë situatave të vështira, para mëkateve të rënda – prandaj mund t’i zgjidhë vetëm Papa – misionarët janë shenjë e afërsisë së Hyut për të gjithë.

Mëshirë e shenjtëri: si lidhen këto dy aspekte? Pyetje kjo, edhe duke pasur parasysh Nxitjen e re apostolike, që do të paraqitet të hënën, dokument i Papës pikërisht për shenjtërinë…

         Shenjtëria dhe mëshira janë vokacion i të krishterëve, sepse janë vetë jeta e Zotit. Hyu quhet “tri herë Shenjt”. Shenjtëria – mund të themi, duke e thjeshtuar pak – është udha dhe dëshmia e mëshirës. Mëshira e shenjtëria nuk janë vetëm ideal jete, por edhe impenjim për jetën, të cilën jemi të thirrur ta përshkojmë përditë. Kush e refuzon mëshirën, kush nuk e kërkon atë, rrezikon të mos i japë kuptim të plotë jetës së vet e kështu, të jetojë i mbyllur në vetvete, në atë individualizëm të dëshpëruar, që, në fund të fundit, të zë frymën e nuk të lë t’u gëzohesh vërtet bukurive të jetës.

         Ditët e kaluara ka pasur polemika lidhur me bisedën e Atit të Shenjtë me gazetarin Eugenio Scalfari të së përditshmes italiane “La Repubblica”, i cili vinte në dyshim idetë e Atit të Shenjtë mbi ferrin. Po ju pyes, ndoshta, duke iu provokuar pak: a ekziston ferri apo jo? Si reaguat ndaj këtij debati?

         Fatkeqësisht, ferri ekziston – dhe e nënvizoj fjalën “fatkeqësisht” – por jo sepse Zoti, në mëshirën e Tij të madhe, e dëshiron ferrin, por sepse kokëfortësia e njeriut, që mendon se mund ta përdorë lirinë si të dojë, e çon atë drejt degradimit. Pikë së pari, po flasim për misterin e jetës së përtejme. E nuk mund ta përmbledhim me pak fjalë. Unë vetë jam i asaj shkolle, që mendon se ferri ekziston, por shpresoj – shpresoj – që të jetë bosh. Kisha mund ta thotë me siguri kur një person është shenjt, pra e kundron Zotin, por nuk mund të thotë kurrë nëse një person ndodhet në ferr apo jo. Nuk i takon Kishës, sepse gjykimi i mbramë ka të bëjë vetëm me njeriun para Zotit. Ajo është hapësirë e padhunueshme dhe e pashlyeshme, ku askush nuk mund të bëhet gjykatës.

Falje e paqe

         Papa do t’u kujtojë Misionarëve rëndësinë e faljes e të rrugës së paqes. Kështu nënvizon për ne edhe një nga nëpunësit e Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Alejandro Dìaz Garcìa:

         Në këtë të diel të Mëshirës Hyjnore, e Diela e dytë pas Pashkëve, Papa Françesku do të na ftojë ta kujtojmë rëndësinë e faljes, të rigjejmë paqen. Për ta bërë këtë, kemi një rrugë tepër të veçantë: udhën e takimit, sepse njerëzit e paqtojnë zemrën, jo kur pajtohen me vetveten, por kur pajtohen me të afërmin. E këtë e gjejmë në Kishë, në Sakramentin e Pajtimit, i cili s’është tjetër, veçse takimi i mëkatarëve të penduar me meshtarin; është takimi me Zotin, që sjell pastaj pajtimin e paqen. Shpresojmë pra, që të gjithë besimtarët ta kujtojnë rëndësinë e përshkimit të udhës së paqes e ta bëjnë këtë përmes takimit të mëshirshëm me të afërmin e me Zotin.








All the contents on this site are copyrighted ©.