2018-04-05 16:13:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Levitikut


Pas Pashkëve të Krishtit, rifillojmë reflektimet tona mbi Shkrimin Shenjt, duke pasur për bazë vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, me titull “Është ora e leximit të Biblës”. Sot, Libri i Levitikut.

Rifitimi i lirisë pas skllavërisë, është vetëm hapi i parë i një udhe të gjatë: nga kapitulli 19 i Librit të Daljes deri në kapitullin 10 të Librit të Numrave, duke kaluar përmes gjithë ngjarjeve, që përvijohen në Librin e Levitikut, Izraeli u ndal nën malin Sinai. Në këtë udhëtim pa fund, që do të zgjasë 40 vjet, për të mbërritur në Tokën e Premtuar, Moisiu e Zoti i tij përqendrohen në shkrimin e “neneve” të besëlidhjes së tyre.

Zoti flet, ashtu siç i flet një miku, ndërsa Moisiu shkruan; kështu lind krejt Libri i Levitikut, që në hebraisht quhet Libri i Thirrjes së Zotit. Fillon kështu, vëllimi i tretë i Biblës, me Moisiun, që thirret e mbërrin para tendës së bisedës së tij me Hyun. Kështu, të dy miqtë takohen për të nënshkruar paktin ndërmjet tyre.

Ky libër, që duket kaq larg njerëzve modernë të sotëm, përbëhet nga dy pjesë. E para, e përfshirë në kapitujt 1-16, përshkruan hollësisht ritualet e Kultit, ndërsa pjesa e dytë, që shkon nga kapitulli 17 deri në kapitullin 26, njihet si Kodi i shenjtërisë, për shkak të nxitjes së shpeshtë për popullin që të jetë shenjt, siç është shenjt Zoti.

Këtij libri i përkasin ligjet, që ndalojnë futjen në gojë të gjakut, ligjet mbi sjelljet seksuale, mbi magjinë e syrin e keq, normat e sjelljes së meshtarëve, kalendari e festat, si edhe rregullat për ofertat, për vitin e pushimit e për atë jubilar. Mund të themi se nuk është libër i thjeshtë, madje sot, do ta konsideronim të rëndë për t’u lexuar. Nëse në Librin e Zanafillës e në atë të Daljes zhytemi në vorbullën e emrave e të imazheve, këtu na trullosin ligjet e urdhërat.

Në të vërtetë, shumë nga këto ligje nuk ndiqen më as nga të krishterët vetë, por na shërbejnë për të mos harruar kush jemi, pavarësisht se sot kërcejmë përpjetë para çdo komande, para çdo autoriteti apo rregulle, të dehur nga një liri, që shpesh, nuk e kuptojmë deri në fund. Në Librin e Levitikut ka norma, sot, të diskutueshme, mbi ushqimin, gjakun, papastërtinë, rrethprerjen e madje, edhe për tatuazhet, por, pavarësisht se mund të na çudisin, ia vlen ta lexojmë.

Pse? Sepse ne, njerëzve të sotëm, të dashuruar pas lirisë, ky libër na propozon një ligj, një normë jete, rregulla për kultin. Kjo është arsyeja e parë. Nëse duam lirinë, duhet, edhe sot, të bëjmë llogaritë me kufizimet, me ndalimet, që na imponojnë rregullat, pavarësisht se e kemi shumë të vështirë. Libri i Levitikut përvijon kufirin e dhimbshëm, ku ndalet liria jonë, që mendojmë se është e gjithpushtetshme. Na mëson të reflektojmë për të kuptuar nëse liria jonë është pushteti për të bërë çfarë duam, apo për të bërë atë që duhet e që është mirë për të gjithë.

Arsyeja e dytë, për të cilën ia vlen të lexohet Libri i Levitikut, përmbahet në Kodin e shenjtërisë, që edhe sot mban fenë e popullit hebraik. Mësimi i Krishtit për ta dashur të afërmin si vetveten, e ka zanafillën në kapitullin 19 të Levitikut:

“Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti” (Lev 19,18).

Është vërtet një kapitull i jashtëzakonshëm, manifest dhembshurie e qytetërimi, që Izraeli ia ka dorëzuar historisë. Në të, prindi, i afërmi, i varfëri, vëllai, i huaji, i moshuari, i dënuari, trupi, ushqimi, duhet të jenë objekte të kujdesit e të dashurisë sonë, sepse krijuar prej Zotit, që është shenjt e çdo njeri duhet të jetë shenjt si Ai.

Edhe shprehja hakmarrëse, që ka hyrë në histori e që e gjejmë pikërisht në këtë libër, nëse shihet në perspektivën e dashurisë së Zotit, merr kuptim tjetër, shumë modern:

“Kush t’i shkaktojë varrë ndokujt prej bashkatdhetarëve të vet, le t’i bëhet edhe atij siç bëri ai: plagë për plagë, sy për sy, dhëmb për dhëmb – le të bëhet me të ç’u bwri ai vetë të tjerëve”(kap. 24).

Horizonti i të afërmit, pra, është ligji i vërtetë i çdo drejtësie. Shumë kohë para Krishtit, në këtë Libër shkruhet se shenjtëri do të thotë dashuri për të afërmin.








All the contents on this site are copyrighted ©.