2018-04-05 14:23:00

Papa: të dëgjohet dhimbja e prindërve të Alfie Evans


Papa u prononcua mbrëmë me një tweet mbi gjendjen e dhimbshme të vogëlushit anglez Alfie Evans, që prej 23 muajsh në koma në një spital të Liverpulit, ku mjekët duan ta shkëpusin nga ventilatori, i cili e mban në jetë. “Shpresoj sinqerisht – shkruan Françesku – që të bëhet gjithçka e nevojshme për të vazhduar, me dhembshuri, shoqërimin e vogëlushit Alfie Evans e që vuajtja e thellë e prindërve të tij të lehtësohet. Lutem për Alfie-n, për familjen e tij dhe për të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë histori”.

Si Charlie Gard dhe Isaiah Haastrup

Ky rast, na sjell ndërmend dy fëmijë të tjerë anglezë, Charlie Gard dhe Isaiah Haastrup, që u shkëputën nga aparaturat mjekësore, duke i lënë të vdisnin njëri më 28 korrik 2017 e tjetri, më 7 mars të këtij viti. Alfie ka një sëmundje, që mjekët nuk e njohin, por e konsiderojnë të pashërueshme e degjenerative. Për këtë arsye, i janë drejtuar Gjykatës së Lartë angleze, duke i kërkuar të shkëpusin aparatet. Gjykatësit dhanë autorizimin, duke e konsideruar mbajtjen në jetë të fëmijës si “të pashpirtë, të padrejtë e çnjerëzore”. Sipas analizave mjekësore, Alfie e ka trurin të dëmtuar e nuk u përgjigjet disa stimujve. Gjithashtu, zemra nuk i punon në rregull.

Papa Françesku: të vijohen kurat deri në fund

Sipas shtypit britanik, shkëputja e Alfie-t nga aparatet mund të bëhet që nesër. Prindërit e fëmijës, Thomas e Katie, nuk reshtin së shpresuari e patën filluar edhe një betejë ligjore, e cila, deri tani, ka qenë e kotë. Deri Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, nuk e pranoi apelimin e tyre. Tani, ata kërkojnë transferimin e vogëlushit të tyre jashtë vendit, ose së paku, në një strukturë tjetër, ku mund të provohen terapi eksperimentale. Por, ashtu si për Charlie Gard, mjekët i janë përgjigjur negativisht edhe kësaj kërkese. Në të gjithë botën, janë mobilizuar shumë njerëz, duke e mbështetur këtë kauzë me lutje, peticione, manifestime e fushata në rrjetet shoqërore. Prindërit e Alfie-t patën kërkuar edhe ndërhyrjen e Papës. E dje, Françesku kërkoi të dëgjohet britma e tyre e dhimbjes. Ati i Shenjtë pati folur edhe për Charlie Gard, duke u kërkuar mjekëve ta kuronin deri në fund, me nënvizimin se “mbrojtja e jetës njerëzore, sidomos kur është e plagosur nga sëmundja, është impenjim dashurie, që Zoti ia beson çdo njeriu”.








All the contents on this site are copyrighted ©.