2018-04-04 18:38:00

Suedi: në katedralen e Lundit, Mesha katolike, pas 500 vjetësh


Mesha Shenjte katolike nuk kremtohet më në katedralen e Lundit që nga kohët e Reformës luterane, në fillim të shekullit XVI. Por këtë vjeshtë, duke nisur nga 21 tetori, në katedrale do të kremtohet Mesha katolike e së dielës, gjatë periudhës së mbylljes për restaurim të Kishës famullitare katolike të Shën Tomës.

Sipas kapelanes luterane të katedrales, Lena Sjöstrand “ky është bashkëpunim vërtet unik ndërmjet famullisë katolike të Shën Tomës dhe luteranëve, e edhe vijim i miqësisë, që nisi prej disa kohe”

Marrëdhëniet ekumenike vijojnë të forcohen që nga vizita e Papës

Pas vizitës historike të Françeskut në katedralen e Lundit, më 2016, u bënë disa hapa konkrete e të rëndësishme për një bashkëpunim më të madh ekumenik ndërmjet katolikëve dhe luteranëve në Lund. Shembull i këtij afrimi është kremtimi i mbrëmësoreve ekumenike mujore si në katedrale, ashtu edhe në kishën katolike të Shën Tomës.

Bashkëpunim

Marrëdhëniet janë thelluar dhe forcuar e, pjesë e këtij bashkëpunimi do të jetë edhe fakti se kur famullia katolike e Shën Tomës do të restaurohet gjatë vjeshtës e dimrit të ardhshëm, katedralja do të hapet për domenikanët, meshtarë të famullisë të caktuar për të kremtuar Meshën Shenjte katolike në katedralen e cila, para Reformës, ishte katolike e i qe kushtuar Shën Lorencit.

Zgjidhje më se praktike

Mesha katolike në katedrale nuk është vetëm zgjidhje praktike: bashkësia e katedrales e shpjegon bashkëpunimin si mënyrë për të paraqitur frymën e dokumentit ekumenik të vitit 2016 “Nga konflikti - në bashkim”,  në të cilin reflektohet për 50 vjetët e bisedimeve ndërmjet katolikëve dhe luteranëve. Dokumenti, i nënshkruar nga ipeshkvi Munib Younan i Federatës Luterane Botërore dhe nga Papa Françesku, njihet edhe si dokumenti i Lundit.

Vijim konkret

“Takimi ka prekur shumë njerëz e ne gëzohemi duke parë se kemi të bëjmë me vazhdimësi konkrete, gjë që i fuqizon marrëdhëniet tona”- vijon kapelanja luterane Lena Sjöstrand.

Përqendrohemi në atë, që e kemi të përbashkët

Kisha katolike dhe luteranët nuk kanë të njëjtin vizion për kremtimin e Eukaristisë. Prej këndej, Mesha Shenjte nuk do të kremtohet së bashku në katedrale. Por, në vend që të përqendrohen në çka i ndan, dy konfesionet e krishtera duan të përqendrohen mbi çka i bashkon, domethënë mbi Fjalën e Zotit, Pagëzimin dhe veprat e dashurisë së krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.