Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në audiencë: në Meshë shkon për të jetuar më shumë si i krishterë

Papa në audiencën e përgjithshme - AP

04/04/2018 13:29

Në katekizmin e sotëm Papa foli për ritet e përfundmit të Meshës. Përmbylli, kështu, ciklin e katekizmave kushtuar Eukaristisë, nisur më 8 nëntorin e kaluar. Gjatë audiencës së përgjithshme, Françesku i uroi Pashkët Benediktit XVI.

“Të mësojmë për t’u bërë burra e gra eukaristike”, prandaj e kremtojmë Eukaristinë. Në katekizmin e fundit të audiencës, kushtuar Meshës, Papa e përmblodhi me këto fjalë  kuptimin e Kremtimit eukaristik. Rrethohej nga një numër i madh shtegtarësh dhe besimtarësh, të cilët  e ndoqën katekizmin pa pyetur fare për shiun, që sivjet e ka marrë peng pranverën.  Para së gjithash Papa sqaroi se kremtimi i Pashkëve vijon. Gjatë gjithë javës. Nuk kremtojmë vetëm një ditë, por tetë. E gjatë tyre, vijon edhe urimi: “Gëzuar Pashkët!”.

Edhe unë dëshiroj që t’i urojmë “Gëzuar Pashkët” Papës së dashur Benedikti, që na ndjek përmes televizorit, sepse ishte ipeshkëv i Romës. T’ia urojmë të gjithë së bashku: “Për shumë vjet Pashkët!”.

Me Eukaristinë Jezusi hyn brenda nesh

Të bëhemi njerëz eukaristikë - shpjegoi Françesku duke vijuar katekizmin - do të thotë ta lëmë Zotin të veprojë në punët tona. Ta lëmë, që mendimet e tij, ndjenjat e tij, vendimet e tij, të bëhen edhe tonat. Prandaj, sa më shumë ta  mposhtim egoizmin tonë, domethënë, ta bëjmë të vdesë gjithçka i kundërvihet Jezusit, aq më shumë hapësirë do të kemi në shpirt, për pushtetin e Shpirtit Shenjt. Përmes Eukaristisë, Zoti Jezus hyn në ne. Kështu pra. Nuk shkohet në Meshë për të bërë detyrën e javës. Mesha nuk është thjesht përkujtim. Të krishterët - nënvizoi Papa - shkojnë në Meshë për të marrë pjesë në Mundimet dhe Ngjalljen e Zotit e për të jetuar, pastaj, si të krishterë. E po këtë koncept, Papa e rikujtoi edhe në përshëndetjen drejtuar  shtegtarëve të gjuhës arabe:

“Është e vërtetë: Eukaristia e bën Kishën e, kur Kisha kremton Eukaristinë, gatuan shenjtërinë tonë”.

Nga Mesha duhet të dalësh më i mirë se hyre

Synimi, pra, është ta çojmë bekimin e Zotit në veprimtaritë e përditshme, në shtëpitë tona, në mjediset e punës, në gëzimet e shqetësimet e qytetit tokësor, ku jetojmë:

“Por nëse dalim  duke shpërralluar,  me gjuhë të gjatë, gati për të marrë nëpër gojë  të parë e të mbramë, atëherë duhet të jemi të sigurt se Mesha nuk ka hyrë në zemrat tona - nënvizoi Françesku - sepse sa herë dalim nga Mesha, duhet të dalim më të mirë se hymë, të mbushur plot me jetë, me forcë, me dëshirë për të dhënë sa më shumë dëshmi të krishtera”.

Ta lëmë shpirtin të zgjerohet

Mesha nis e përfundon nën shenjën e Trinisë, por prania reale e Krishtit në Bukën e shuguruar nuk mbaron me Meshën. Eukaristia ruhet në tabernakull për kungimin e të sëmurëve dhe për adhurim. Frytet e Meshës, pra, duhet të fitojnë pjekurinë e tyre në jetën e përditshme, sepse Eukaristia na largon nga mëkati, na largon nga tundimi.

Të krishterët janë burra e gra  që, pasi marrin Korpin dhe Gjakun e Krishtit, e lënë shpirtin të zgjerohet me forcën e Shpirtit Shenjt. Lëreni shpirtin të zgjerohet …  larg shpirtvogëlsisë, egoizmit… larg! Larg shpirtngushtësisë... Larg mbylljes së shpirtit! Të krishterë shpirtgjerë! Shpirtmëdhenj! Njerëz me horizonte të pafundme…. E për ta bërë këtë, forca ndodhet pikërisht në Eukaristi, në bashkimin me Krishtin!

04/04/2018 13:29