Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Atë Karl Serreqi e dom Lec Sahatçija, në përvjetorin e vdekjes

Shtatorja simbol persekutimi në Shkodër - RV

04/04/2018 14:29

Përkujtojmë sot atë Karl Serreqin (në shekull Ndue), françeskan shqiptar, martir i Rrëfimit, shpallur i lum më 5 nëntor 2016 në Shkodër. Për të, faqja e shenjtorëve dhe e të lumëve “santiebeati”, shpjegon se e ushtroi misionin e tij si meshtar në zonat malore të Shqipërisë, aty ku sivëllezërit e tij në fe punonin për të ruajtur e përçuar traditat e lashta popullore e për t’i mësuar popullsisë jetën e vërtetë të krishterë.

         Ishte famullitar në Nikaj-Mërtur kur, në tetor 1946, e arrestuan, pas një ndeshjeje me armë ndërmjet ushtrisë e policisë komuniste dhe malësorëve, që nuk pajtoheshin me regjimin. Iu dha urdhër të tregonte ç’i kishte thënë në rrëfim njëri prej atyre patriotëve, por frati, besnik ndaj sekretit sakramentor, nuk pranoi kurrë. U torturua, siç dinin të bënin vetëm komunistët, u dënua me vdekje më 18 janar 1947, por më vonë, dënimi u kthye në burgim të përjetshëm, duke ia zgjatur kështu agoninë. Vdiq, pas keqtrajtimesh të panumërta, në burgun e Burrelit, si sot, më 4 prill 1954.

Po më 4 prill, përkujtojmë edhe dom Lec Sahatçinë (1906-1986). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas dënohet me 20 vjet burgim. Akuzohej për “strehim kriminelësh” shumë vite më parë, “për lidhje të fshehta me Vatikanin”, e sidomos se kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e Bardhok Bibës, sekretarit të parë të Partisë së Punës në rrethin e Rrëshenit, ndodhur në vitin 1949. Vdes në burg, më 4 prill 1986.

04/04/2018 14:29