2018-04-03 17:50:00

Kremtimet e Pashkëve ndër shqiptarë


“Krishti u ngjall. Me të vërtetë u ngjall!” Kumti i mekullueshëm i Pashkëve, që na lajmëron se Krishti e mundi vdekjen, jehoi kudo ndër trevat shqiptare, në meshët e në kremtimet e katolikëve. Ata e pritën me gëzim, me përpeq e vezë të kuqe, duke u shtrënguar rreth familjes e vlerave të tyre të kahmotshme, por edhe me ndonjë shqetësim për gjendjen personale e për situatën vendore. Mesazhet e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, të kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj e të ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergji, jua kemi transmetuar në valët tona dhe i kemi publikuar në faqen tonë “radiovaticana.va”. Sot, po përshkojmë Pashkët në dioqezat e tjera.

Kryedioqeza metropolite e Shkodër-Pultit

         “Aleluja” e “Paqja me ju”: dy fraza tipike të Pashkëve karakterizojnë mesazhin e kryeipeshkvit metropolit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, i cili i vuri besimtarët në pozicionin e dishepujve të Emausit, duke i kërkuar Krishtit të gjallë të rrijë me grigjën e vet.

         “Përvoja e nxënësve të Emausit është ajo, që e bëjmë të gjithë ne, gjithmonë, sepse gjithmonë gjendemi përballë efekteve të zgjedhjes së mëkatit, të vdekjes, ose të gabimeve, që bëjmë ne vetë apo të tjerët. Frika dhe zhgënjimi mund të na bllokojnë, ta shterrin shpresën, të na bëjnë të ikim. Por, Zoti i Ringjallur është me ne dhe bëhet shoku ynë i udhëtimit”.

         “Ju ftoj – vijoi imzot Angelo Massafra – të viheni të gjithë në dëgjim të Shkrimeve të Shenjta; ju ftoj në lutjen e përvuajtur, që të përsërisni me gjithë zemër atë ‘Rri me ne!’ për të cilën kemi shumë nevojë. Në veçanti ju ftoj juve, familje, që në këtë kohë jeni duke kaluar vështirësi të mëdha, për shkak të përmbytjes. Ju ftoj të luteni: ‘Të njohim o Zot Jezus, në bukën e thyer të solidaritetit, që po na mbërrin’”.

         E duke kujtuar Vitin kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, “Athleta Christi”, imzot Massafra theksoi: “Të mos harrojmë se jemi duke kremtuar këto Pashkë brenda Vitit Jubilar për 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shpirti i të cilit dhe dashuria e të cilit për Krishtin dhe për Atdheun e vet janë ende gjallë dhe të pranishëm në shpirtin e çdo shqiptari. Kujtimi i tij nuk mund të kufizohet thjesht në një kremtim shterpë të së kaluarës, por duhet të bëhet një rast më shumë për ta dashur Tokën tonë dhe Atdheun tonë, Shqipërinë tonë “të varfër e të bukur”, tokë Martirësh të Fesë dhe të shumë dëshmitarëve të Atdheut që na nxisin e na shtyjnë të jetojmë angazhimin konkret për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

Vëllezër dhe motra, me Krishtin dhe në Krishtin mund dhe duhet të jemi gurë të gjallë; dmth. qytetarë aktivë, të ndershëm dhe punëtorë të guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur.
Krishti i Ringjallur është forca dhe shpresa jonë”, përfundon imzot Angelo Massafra.

Dioqeza e Rrëshenit

         Përveç kremtimeve të zakonshme, ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta ia besoi mesazhin e Pashkëve edhe rrjetit. E në versionin video mund ta ndiqni edhe këtu:

https://www.facebook.com/KatedraljaRreshenit/videos/1394790544000760/

         Në reflektimet e tij të mëvonshme, ipeshkvi i Rrëshenit, duke pasur parasysh të keqen, që u mundua të triumfojë me vdekjen e Krishtit e situatën e rëndë, sidomos në zonën ku shërben, nënvizon:

         “E keqja në Shqipëri nuk ka fytyrën e një personi të vetëm dhe në fakt personat kurrë nuk janë e keqja. E keqja gjendet në thellësi të një sistemi më të madh se një person apo një grup personash. Ndodhet tek etja e pafré për të sunduar, për të zotëruar dhe pasur gjithçka. Kjo e tejkalon njeriun. E tejkalon edhe Shqipërinë. 
E keqja e një sistemi ku u dhunuam sistematikisht nga ati-diktator, personifikim i së cilës u bë Enver Hoxha dhe klika e tij, vazhdon të sundojë në jetët tona. Rrënimi ekonomik, shpirtëror, kulturor i popullit tonë gjendet pikërisht te arroganca e injorancës që u ngjit në pushtet në vitet 40-50 e 60. Atje u ngjiz, u lind, po rritet e po plaket, por fatkeqësisht nuk po vdes. Ka lëshuar rrënjë dhe helm kudo. 
E shikoj jetën shpirtërore dhe vizionin e krishterë si antikorpin më të mirë kundër kësaj të keqeje që sot ka simpotoma dhe emra të ndryshëm si korrupsion, konfliktualitet, indiferencë, arrogancë, mosinteresim dhe dëmtim ndaj të mirës së përbashkët, cinizëm etj etj. 
Vetëm një kthim thellësisht shpirtëror i bazuar mbi dashurinë do të çrrënjosë ndasitë e do të bashkojë forcat për një Shqipëri më të mirë”.

Dioqeza e Sapës

         “Ngjallje është gjithmonë kur besojmë në Zotin”: kështu e nis meditimin e tij të Pashkëve, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, i cili kujton me respekt e me shpresën e krishterë në Ringjalljen, edhe ipeshkvin e ndjerë, imzot Lucian Avgustinin. Ja një pjesë nga homelia e tij:

         “Ngjallja nuk është diçka që vjen pas Kryqit. Ngjallja gjendet brenda në Kryq; kur e pranojmë, lirisht, si Jezu Krishti, nga dashuria për Hyjin dhe të afërmin tonë. Me ngjalljen e Krishtit, drejtësia dhe dashuria e Hyjit morën shprehjen e tyre më triumfale, duke e shfuqizuar pushtetin e urrejtjes, të keqes dhe të vdekjes. Në ngjalljen e Krishtit është i përfshirë secili që është i pagëzuar në emër të tij. Të përfshirë me këtë ngjarje, jemi të thirrur që të jemi jo vetëm dëshmitarë, por edhe profetë të ngjalljes së tij, bartës të shpresës për një jetë më të mire dhe më të lumtur. Jemi të thirrur që prej të gjitha mendimeve dhe fjalëve tona, prej të gjitha veprave tona të rrezatojë shkëlqimi i Krishtit të ngjallur. Rruga e Pashkëve është rrugë e vuajtjes, e mundimeve dhe e lotëve, por e lotëve që kthehen në lot gëzimi. Porosia e gëzueshme e Ungjillit të Pashkëve ia rikthen njeriut identitetin, ia jep kuptimin e ekzistencës së tij e përmbush me jetën e cila nuk do të kalojë kurrë.

“Ngjallje është gjithmonë kur ne besojmë në Zotin” është thirrja ime në këto Pashkë të para, me dëshirë që gjithmonë të jemi të angazhuar për Zotin dhe të mirën e popullit, Ju uroj dhe dëshiroj që të shpallim Ngjalljen e Krishtit, domethënë thelbin e besimit tonë, në këtë mënyrë atëherë do të plotësojmë thënien “Krishti është Pashka e jonë””.

Administratura Apostolike e Jugut

         Pashkët u kremtuan edhe në bashkësinë e vogël katolike të Administraturës Apostolike të Jugut. Ipeshkvi, imzot Giovanni Peragine e kremtoi meshën e Natës së Pashkëve e atë solemne të Pashkëve në kishën e Shën Luigj Gonzagës, në Vlorë. Prej andej u shpalli besimtarëve kumtin e gëzueshëm të Ngjalljes së Krishtit.

Misioni katolik shqiptar në Gjermani

         Pashkë të bardha ndërmjet shqiptarëve edhe në Gjermani. Don Albert Krista kremtoi meshën solemne në mesditë në Shtutgart dhe në orën 19.00 në Mynih. “Këto ditë të shenjta ju ndihmofshin të gjithëve”: urimi i tij.

Kremtimi i Pashkëve ndër shqiptarët e Zvicrës

         Lucerna dhe Turgau ishin qendrat, që mblodhën shqiptarët në Zvicër. Janë vetë besimtarët e kleri, që njoftojnë për kremtimet në faqen e misioneve përkatëse katolike në Facebook. Kështu, në Lucernë, meshën e kremtoi don Pavlin Zefi, i ndihmuar nga motrat e nga Këshilli i Misionit, por edhe nga kori, lexuesit, ndihmësit e ministrantët. “Kjo festë – nënvizohet në faqen Facebook të Misionit - u sjelltë gëzim të moshuarve, të vetmuarve e të pikëlluarve dhe shëndet të sëmurëve. Paqja e Krishtit mbretërofte në familjet tuaja, Ai u ndihmoftë prindërve në edukimin e fëmijëve, i shndrittë të rinjtë me fjalën e vet dhe të gjithë femijët i rrittë me bekim! Për shumë mot Pashkët!”.

         “Prania e shumtë e besimtarëve, të veshur bukur dhe të buzëqeshur, është dëshmia më e bukur se ne po kremtojmë Festën më të madhe të besimit tonë - Pashkët!”, shkruan Misioni Katolik në Turgau, ku mesha u kremtua në Frauenfeld në ora 13:00 e, në Uznach në ora 17:00. Këtu, meshën e kryesoi don Dominik Qerimi ndërsa predikimin e rastit e mbajti don Alberti, ndërsa në Frauenfeld shndërruan rolet. Në përfundim të meshës, pati recitime dhe dy nëna me veshje kombëtare iu shpërndanë fëmijëve vezët e Pashkëve.

“Festa e Pashkëve (heb. פֶּסַח pezah - kalim) – shpjegon don Dominik Qerimi - është kremtimi i ngadhënjimit të Jetës/Dashurisë/Dritës mbi vdekjen/urrejtjen/errësirën; është kremtimi i kalimit nga tradhtia e së enjtes, dhimbja, vuajtje dhe vdekja e së premtes, përmes heshtjes së varrit të së shtunës për të mbërritur te gëzimi i Ngjalljes të së dielës. Kushdo që e do dhe është mik i JETËS dhe i DRITËS, ai e do dhe është mik i Jezusit të Ngjallur. Kush jeton, vuan dhe vdes bashkë me Krishtin, ai do të ringjallet bashkë me të!”








All the contents on this site are copyrighted ©.