2018-04-03 13:50:00

Jurkoviç: afërsi e madhe ndërmjet Papës Françesku e Martin Luther King


Nesër, 4 prill, përkujtohet lideri afroamerikan Martin Luther King, në 50-vjetorin e vdekjes. Ҫmim Nobel për paqen, u vra në Memfis të Tenesisë, në mesin e një fushate në favor të punëtorëve afroamerikanë. Pak ditë më vonë, në Engjëllin e Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Pali VI – i cili e pati takuar në Vatikan më 1964 – shprehu dhimbjen për vrasjen “e një profeti të krishterë e të pafajshëm të integrimit racor”.

         Figura e pastorit protestant është burim frymëzimi edhe për Papën Françesku, i cili e përmendi në fjalimin e tij para Kongresit të SHBA-ve, më 24 shtator 2015 e sivjet, vetëm një muaj më parë, priti në audiencë të bijën, Bernice Albertine, edhe ajo, e impenjuar kundër çdo lloj diskriminimi. Për një reflektim mbi trashëgiminë e Martin Luther King në frontin e të drejtave të njeriut, intervistuam kryeipeshkvin Ivan Jurkoviç, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e OKB-së, në Gjenevë:

         Pa dyshim, është fjala për një personazh monumental të historisë së mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Mund të thuhet se me të fillon një “periudhë e re”, shoqëruar nga zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë, i demokracisë, etj… etj.. Do të mbetet përgjithmonë ndërmjet të mëdhenjve të shekullit XX. Me të filloi një epokë e re.

         Duke folur në Kongresin e SHBA-ve, në vitin 2015, Papa Françesku pohoi se “ëndërra e Martin Luther King vijon të na frymëzojë”. Sipas jush, cilat janë pikat e takimit ndërmjet Papës dhe liderit afroamerikan?

         Mendoj se pikë së pari, janë të dy shprehje e dy kulturave jo perëndimore, jo evropiane. Janë dy njerëz, që kanë tërhequr universalisht vëmendjen ndaj një botëkuptimi të ri. Natyrisht, Martin Luther King e bëri këtë për të mbrojtur të drejtat njerëzore të popullsisë afroamerikane; ndërsa Papa sjell një këndvështrim të ri mbi Kishën. Gjithashtu, dy parime njihen si tipike për Martin Luther Kingun dhe për të gjithë protagonistët me frymëzim të krishterë: i pari është mospërdorimi i dhunës, parim problematik sot, kur jemi të rrethuar me dhunë. Pastaj, parimi i vëllazërimit universal: të gjithë njerëzit konsiderohen të denjë për të njëjtin vëllazërim.

         Në shumë anë të botës, vërehet rilindja e racizmit dhe e diskriminimit… Cili është roli i Selisë së Shenjtë në OKB për t’i luftuar këto prirje?

         Duhet thënë – e kjo shihet edhe në Kombet e Bashkuara – se çështje kaq thelbësore kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme e ky kujdes nuk mund të jetë vetëm burokratik, vetëm i njerëzve, që punojnë në OKB, por edhe i personaliteteve botërore. Temat e mëdha të njerëzimit duhet të mbrohen nga personalitete, nga protagonistë, sepse ata i bëjnë të dukshme si duhet. Papa Françesku e bën shkëlqyeshëm këtë e të gjithë ia njohin këtë rol, që e ka marrë përsipër në pak kohë. Papa beson se e vetmja e ardhme e denjë për njeriun është ajo, që i përfshin të gjithë. E ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë këtë këndvështrim, që është edhe ai i Martin Luther Kingut: të gjithë mund të jemi të lumtur, por kjo ndodh vetëm kur të gjithë përfshihemi në këtë lumturi, nga më i fundmi tek më i privilegjuari.








All the contents on this site are copyrighted ©.