2018-04-02 20:41:00

Tetëditëshi i Pashkëve: në udhëtim drejt Rrëshajëve.


Kemi filluar tetëditëshin e Pashkëve dhe jemi në udhëtim drejt Rrëshajëve. Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditëshi i Pashkëve”, sepse krijojnë idenë e një dite të vetme.

Po cila është domethënia e Tetëditshit të Pashkëve? Pse dita që vjen menjëherë pas Pashkëve, quhet e Hëna e Engjëllit?

Pashkët janë kulmi i Liturgjisë së krishterë e i jetës së krishterë, sepse pikërisht për Pashkë Krishti vdiq e u ngjall për ne e na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt. Ja pse ky mister kryesor i mbush plot zemrat, fenë e vetë liturgjinë. E ja pse në histori u ndje nevoja për ta zgjeruar, në një farë mënyre, begatinë e emocioneve të kësaj dite që është dita e ditëve e që kujtohet çdo të diel në mister, përmes kremtimit të një Tetëditshi, që quhet Tetëditëshi i Pashkëve. Janë tetë ditë që konsiderohen si një ditë e vetme, dita e të Ngjallurit, drita e të cilit duhet përvetësuar gjithnjë më thellë, pikërisht duke e kundruar e duke vijuar ta kundrojmë misterin e këtij takimi me të Ngjallurin, që e ndryshon rrënjësisht jetën tonë. Pra mund të themi se kjo është javë hiri, në të cilën duhet t’i hapim zemrat për të vërshuar ndër to, bukuria e Krishtit të ngjallur.

Ç’do të thotë të jetosh si i ringjallur në jetën e përditshme?

Jeta e krishterë është jetë që buron nga Pashkët, nga Krishti i Gjall e kjo do të thotë që bashkon në mënyrë të pandashme vdekjen e ringjalljen, dhimbjen e gëzimin, errësirën e dritën. Ky është reflektimi që duhet të bëjë gjithnjë i krishteri, duke kujtuar pagëzimin e vet, që do të thotë zhytje në misterin e Pashkëve. Kjo konkretisht do të thotë se në këtë botë s’ka të krishterë që të mos mund të shkëputet nga përvoja e errësirës dhe e dhimbjes. Krishti erdhi të na shpëtojë nga mëkati, Krishti erdhi t’i japë kuptim vuajtjes sonë e errësirës sonë, por ne do të jemi plotësisht të lirë vetëm atëherë kur ta kundrojmë fytyrë për fytyrë, në lumninë e Ditës së tetë, në lumninë e Pashkëve të mbramë e përfundimtare të Jeruzalemit qiellor. Në një farë mënyre stili i Pashkëve të jetës është të jetosh çdo ditë me zemrën e festës.

Siç dihet, menjëherë pas kremtimit të Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë. Si duhet jetuar këtë kohë kishtare e shpirtërore?

Koha e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës. Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën që po lindte, nga Jerusalemi e në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate të mrekullueshme që na ofron Krishti Gjallë, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit, fuqinë e Dritës së Ngjalljes së Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.