Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Mbretëreshën Qiellore: vëllazëria, dhuratë e Pashkëve, të jetë stil i jetës së krishterë

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - AFP

02/04/2018 14:17

Me vdekjen dhe Ngjalljen e Tij, Krishti “e mundi mëkatin”, burim “përçarjeje”, “duke nisur nga endja e një rrjeti të ri vëllazërimi”, pa të cilin nuk mund të realizohet bashkësia e njëmendtë kishtare, e as ajo civile. Prej këtu nis përgjegjësia jonë si të krishterë.

Ngjallja, kumtim tronditës

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Papa, duke marrë fjalën nga Pallati Apostolik, komentoi Ungjillin e “së Hënës së Pashkëve”, që njihet si “e Hëna e Engjëllit”, sepse lajmi i parë i Ngjalljes u jepet grave që kishin vrapuar tek varri, pikërisht nga “një lajmëtar i Zotit”. Ka një kuptim të thellë prania engjëllore  - shpjegoi Françesku - ashtu si në çastin e “Mishërimit të Fjalës”. Duhej një qenie e lartë për të dhënë një lajm kaq tronditës, kaq të pabesueshëm, të cilin ka shumë mundësi që asnjë gojë njerëzore nuk do të kishte guxuar ta shqiptojë. Nga ky kumt i parë, bashkësia e dishepujve nisi të përsërisë: “Vërtet Zoti u ngjall! Zoti vërtet u ngjall! E iu duk Simeonit” (Lk 24,34).

Sot, ditë feste në vëllazërim me Krishtin

Papa përsëriti - e i bëri edhe besimtarët ta përsërisnin disa herë këtë kumtim kaq “të bukur”, “kaq tronditës”, shqiptuar nga një inteligjencë e lartë, e, në vijim, nënvizoi me forcë se prej tij lindi fryti i vëllazërisë dhe fitorja mbi mëkatin, burim “i përçarjes”. Prandaj sot, menjëherë pas Pashkëve - pohoi akoma Papa - është ditë feste, kremtim familjar, “në të cilin ndjehet nevoja të rrish me të dashurit”.

Jezusi e shembi murin e ndarjes ndërmjet njerëzve dhe rivendosi paqen, duke nisur nga endja e rrjetit të vëllazërimit të ri. Ka rëndësi të madhe në kohët tona ta rizbulosh vëllazërimin, ashtu si jetohej në bashkësitë e para të krishtera. Të rizbulosh sesi mund t’i japësh hapësirë Jezusit, që nuk përçan kurrë, por bashkon, gjithnjë. Nuk mund të ketë bashkim të vërtetë e as angazhim për të mirën e përbashkët, e aq më pak, drejtësi shoqërore, pa vëllazërim e pa dëshirën për t’i ndarë bashkërisht të mira e të vështira.

Dialog e marrëdhënie, përgjegjësia e të krishterëve

Pa “hirin e vëllazërimit”, nuk mund të ketë bashkësi, por vetëm një “grumbull individësh”, të grupuar sipas interesave të tyre. Po Pashkët e Krishtit  - vërejti akoma Papa -  bënë që në botë të shpërthejë edhe një risi tjetër, risia e “dialogut” dhe e “ marrëdhënieve”, që për të krishterët bëhet përgjegjësi”.

Ja pra, pse nuk mund të mbyllemi në jetën tonë private, në grupin tonë, po jemi të thirrur të merremi me të mirën e përbashkët, të kujdesemi për vëllezërit, posaçërish për më të ligshtit e më të nëpërkëmburit. Vetëm vëllazërimi mund të sigurojë paqen e qëndrueshme, mund ta zhdukë varfërinë, t’i shuajë tensionet edhe luftërat, ta shkulë nga rrënjët korrupsionin dhe kriminalitetin. Engjëlli, që thotë “U ngjall!”, na ndihmoftë ta jetojmë vëllazërimin, risinë e dialogut, të marrëdhënieve e të shqetësimit për të mirën e përbashkët.

Stil i jetës së krishterë

Në përfundim të reflektimit, Françesku ia besoi Virgjërës Mari, në këtë të Hënë të Engjëllit  të Kohës së Pashkëve, lutjen:

“Na ndihmoftë me lutjen e Saj, që vëllazërimi e bashkimi i provuar këto ditë Pashkësh, të bëhet stil i jetës sonë e t’i gjallërojë marrëdhëniet tona”

02/04/2018 14:17