Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Në kujtim të asaj dite të trishtuar - e të paharrueshme

Papa Gjon Pali II - ANSA

02/04/2018 10:00

Më 2 prill 2005, në orën 21.37, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë, në apartamentin e tij në Vatikan, ndërronte jetë Shenjtëria e Tij Gjon Pali II, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë.

Ajo ditë mbeti e pashlyeshme në kujtesën e atyre, që e jetuan… Pasi u dha lajmi i vdekjes së Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit, plot me njerëz, në shenjë mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrëngonin njëri-tjetrin në një përqafim prekës. Pastaj të gjitha këmbanat e kishave të Romës ranë përnjëherësh mënjanë, përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën  lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit. Ndërkaq trupi i Gjon Palit II  u vendos në Bazilikën e Vatikanit për homazhet e besimtarëve, duke nisur nga dita e hënë, 4 prill, pasdite. Miliona shtegtarë, nga mbarë bota, ngarendën në Vatikan, për t’i dhënë lamtumirën e  fundit Papës shtegtar.

Dy fjalë për një jetë të gjatë, të jashtëzakonshme

Gjon Pali II, në shekull Karol Wojtyla, lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovisë) më 18 maj të vitit 1920.

I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI.

I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, do të mbushte,  në tetorin e ardhshëm, 27 vjet  papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.  

Gjon Pali II u shenjtërua se bashku me Papën Gjoni XXIII, me 27 prill 2014, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Me 11 shtator 2014 Papa Françesku caktoi datën 22 tetor për kremtimin e Shën Gjon Palit II. Nuk ishte dita e vdekjes, sipas traditës së krishterë. Ishte dita kur qe ulur në Fronin e Shën Pjetrit.

Gjon Pali II i foli edhe shqip - shqiptarit

Papa Gjon Pali II foli shpesh për Shqipërinë. Që kur ishte e rrethuar me gardh hekuri, pas të cilit kryqëzohej kleri katolik! E, kur gardhi u shemb, u nis ta vizitojë Shqipërinë e vogël, vend i martirizimit të madh! Ta takojë popullin shqiptar, për t’ia paraqitur si shembull botës, dëshminë e Kishës së Tij të martirizuar. E, duke qenë një nga poliglotët më të përmendur, që fliste e shkruante shumë gjuhë të botës, vendosi të fliste edhe shqip, gjuhë që të huajve u duket e pashqiptueshme. Gjatë vizitës së paharrueshme të 25 prillit 1993, pothuajse të gjitha përshëndetjet, me të cilat i filloi e i mbaroi fjalimet, qenë shqip: ishin vetëm disa fjalë e fraza, por sigurisht shumë më tepër sesa përmbajnë të tre dokumentet e para të shqipes së shkruar. Duke i kapërcyer vështirësitë e shqiptimit të  bashkëtingëlloreve të dyfishta, ‘th’-së, për shembull, ia doli mbanë t’i linte trashëgim popullit shqiptar disa nga urimet më të përzemërta, që i janë drejtuar ndonjëherë nga të huajt, në gjuhën e tij. Ia nisi duke kujtuar me shaka, në italisht: “Edhe Papa e flet paksa shqipen, natyrisht më pak se Nënë Tereza”.

Për ta nisur, më pas, takimin, me fjalët: “Vëllezër e motra shqiptarë, fort të dashur!”. Mirë se ju gjej! Qoftë lëvduar Jezu Krishti!”.

Në Shkodër, pastaj, në homelinë e Meshës më të jashtëzakonshme, përjetuar ndonjëherë nga Katedralja e qytetit të Veriut, që provoi jo pak trandje historike, shqiptoi me emocion të thellë fjalët:

  “Vëllezër e motra! Me të vërtetë kjo është dita e falur prej Zotit: të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të. Amen!”.

Në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, drejtuar nga ballkoni i kryeipeshkvisë popullit të martirizuar të Shkodrës, që e ndiqte në ekstazë, urata zhgjetore, që mund e duhet ta përsërisë çdo i krishterë shqiptar: “O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e popullit shqiptar, lutu për ne!”.

Së fundi, përshëndetja e lamtumirës, drejtuar mbarë popullit:“Vëllezër e motra shqiptarë: ju pëshëndes përzemërsisht!”.

Në përfundim të vizitës: “Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!”.

E sot – në atmosferën e Pashkëve, Shenjti Atë Papë Gjon Pali II, nga dritarja qiellore – siç pati kujtuar kardinali i asokoshëm Ratzinger në Meshën e Tij të Dritës - prej nga i shikon edhe shqiptarët, u drejton përsëri, kudo që janë, urimin shqip: “Për shumë vjet Pashkët! Zoti e ruajtë Atdheun tuaj. E Popullin shqiptar në mbarë botën”.

02/04/2018 10:00