Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Pranvera e vonuar, shtegtare në Sheshin e Shën Pjetrit, për Meshën e Pashkëve

Pranvera në Sheshin e Shën Pjetrit

01/04/2018 10:35

Shtegtoi shumë pranvera, e ngarkuar me tulipanet e famshme hollandeze, shoqëruar nga një mori lulesh të tjera, bimësh e pemësh zbukuruese, që e kthyen sot Sheshin e Shën Pjetrit në një lulishte, në kulmin e lulëzimit! U nis që në fillim të Javës së Madhe, për të arritur në prag të kremtimit të Meshës së Pashkëve. Ishte data 27 mars, kur nisi shtegtimin. E pikërisht pak para nisjes, ipeshkvi i Rotterdamit, imzot Hans Van den Hende, i bekoi lulet në parkun botanik Keukenhof të Lisse-s. “Sot – kujtoi ipeshkvi para se të shqiptonte lutjen e bekimit  të bimëve, pemëve e luleve - një fill i artë e lidh Keukenhofin me Romën. “Të lutemi e ta bekojmë Zotin për krijimin, për të kërthnestit e jetës, që e marrim dhuratë prej Tij. E të kërkojmë bekimin e Zotit për këtë shtegtim, në mënyrë që këto bimë e lule, të rritura me kujdes  e mjeshtri të madhe, të arrijnë kulmin e lulëzimit në Sheshin e Shën Pjetrit. Për Pashkë kremtojmë Ngjalljen e Krishtit – shtoi akoma ipeshkvi hollandez Van den Hemde. E lulet  shumëngjyrshe, bimët e pemët të kujtojnë se Pashkët janë kremtimi më i rëndësishëm lidhur me amshimin e Zotit”.

Kështu u nis vetë Pranvera, shtegtare nga Holanda, për të marrë pjesë në Meshën e Ngjalljes, në Vatikan dhe për të ndjekur Bekimin e Papës Françesku drejtuar, nga Lozha e qendrore e Bazilikës, edhe ajo e ngarkuar me lule, Romës e botës!

Mbretëreshat e kësaj pranvere, sivjet janë  orkidetë Cymbidium, siç njoftoi kryelulishtari Paul Deckers i cili, qysh nga vitet ’80, bën pjesë në ekipin e lulishtarëve, që sjellin pranverën në Sheshin e Shën Pjetrit e që i pëlqen ta thërrasësh “stlist i luleve”. E orkidetë për Papën sivjet kanë ngjyrën e  gjelbër. Ngjyrë e shpresave të mëdha, e forcës, e prehjes, e paqes. Pa harruar edhe të verdhën, simbol drite e gëzimi. Ky, simbolizmi i sivjetëm i kësaj pranvere, që vonoi, por nuk harroi të shkelte së pari në Sheshin e Shën Pjetrit për të stolisur Ditën e Pashkëve 2018.

01/04/2018 10:35