Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Mesazhi Urbi et Orbi: Ngjallja e Krishtit, shpresë e vërtetë, që nuk zhgënjen

Papa jep Bekimin "Romës dhe Botës" - AP

01/04/2018 13:23

Në një Shesh të mbushur përplot me besimtarë, pavarësisht nga alarmizmat, Papa Françesku, nga lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit u lut për paqe në të gjitha vendet e botës, ku ka padrejtësi e dhunë, duke theksuar: “Ngjallja e Krishtit, është shpresë e vërtetë, që nuk zhgënjen!”. Por ta ndjekim vetë mesazhin e Papës drejtuar Romës e Botës::

Të dashur vëllezër e motra

Jezusi u ngjall prej të vdekurve!

Jehon përsëri në mbarë botën ky kumt, njëherësh me këngën Aleluja: Jezusi është Zoti, Ati e ngjalli e Ai është i gjallë përgjithmonë mes nesh.

Jezusi vetë e pati paralajmëruar vdekjen e ngjalljen me figurën e kokrrës së grurit. Thoshte: “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt! (Gjn 12,24), Ja, pikërisht kjo ndodhi: Jezusi, kokrra e grurit, e mbjellë nga Zotit në brazdat e tokës, vdiq i vrarë nga mëkati i botës, mbeti dy ditë në varr; por brenda vdekjes së Tij ishte i gjithë pushteti i dashurisë së Zotit, që shpërtheu vrullshëm e u duk në të tretën ditë, në këtë, që po e kremtojmë sot: në Pashkët e Zotit.

Ne, të krishterët, besojmë e shpresojmë se Ngjallja e Krishtit është shpresa e vërtetë e botës, ajo, që nuk të zhgënjen. Është forca e kokrrës së grurit, e dashurisë që përulet e dhurohet deri në fund të fundit e që e rinon vërtet botën. Kjo forcë sjell fryt edhe sot në hullitë e historisë sonë, përplot me padrejtësi e dhunë. Sjell frytet e shpresës e të dinjitetit atje, ku ka mjerim e përjashtim, ku ka uri e papunësi, ku ka të ikur e refugjatë - tepër shpesh të papranuar nga kultura e sotme e hedhurinës – ku ka viktima të trafikut të drogës,  tregtisë së njerëzve e skllavërive të kohëve tona.

E ne sot i lypim Zotit fryte paqeje për botën mbarë, duke nisur nga Siria e dashur dhe e martirizuar, popullsia e së cilës u dërrmua  nga një luftë, që nuk po di të mbarojë. Në këto Pashkë, drita e Krishtit të Ngjallur i shndritët ndërgjegjet e të gjithë drejtuesve politikë dhe ushtarakë, që t’i jepet fund menjëherë shfarosjes në vijim, të respektohet e drejta humanitare dhe të parashikohet shpejtimi i hyrjes së ndihmave,  për të cilat kanë aq shumë nevojë këta vëllezër e motra, duke siguruar, njëkohësisht, edhe kushtet e përshtatshme për rikthimin e gjithë të shpërngulurve.

Fryte pajtimi i lypim Zotit për Tokën Shenjte, edhe këto ditë e plagosur nga konfliktet e hapura, që nuk i kursejnë as njerëzit e pambrojtur; për Jemenin e për mbarë Lindjen e Mesme, që dialogu dhe respekti reciprok të kenë epërsi mbi përçarjet e dhunën.  Vëllezërit  tanë në Krishtin, që shpesh pësojnë padrejtësi e persekutime, qofshin dëshmitarë të ndritshëm të Krishtit  të Ngjallur dhe të fitores të së të mirës mbi të keqen.

Fryte shprese i lypim Zotit këto ditë, për të gjithë ata, që kanë etje për jetë dinjitoze, posaçërisht në ato anë të kontinentit afrikan, që vuajnë  nga uria, konfliktet endemike e terrorizmi. Paqja e Zotit i shëroftë plagët e Sudanit të Jugut; i haptë zemrat për dialog e mirëkuptim reciprok. Pa harruar viktimat e këtij konflikti, posaçërisht fëmijët! Mos u mungoftë solidariteti shumë njerëzve, të detyruar t’i braktisin trojet e tyre e të mbeten pa gjërat më të nevojshme për jetën.

Fryte dialogu kërkojmë për gadishullin korean, duke uruar që bisedimet në vijim të nxisin harmoninë e paqëtimin e rajonit. Urojmë që ata, të cilët kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt, të veprojnë me urti e arsye, për të siguruar të mirën e popullit korean e për të krijuar marrëdhënie mirëbesimi në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare.

Fryte paqeje kërkojmë për Ukrainën, që të fuqizohen hapat në favor të  harmonisë e të lehtësohen nismat humanitare, për të cilat ka aq shumë nevojë popullsia.

Fryte ngushëllimi kërkojmë për popullin venezuelan i cili - siç shkruajnë Barinjtë e tij - jeton si të ishte në dhe të huaj, në trojet e veta. Gjetët, përmes forcës së Ngjalljes së Zotit Jezus, udhën e  drejtë, paqësore e njerëzore për të dalë sa më shpejt nga kriza politike dhe humanitare, që e mundon, e mos i mungofshin mikpritja e asistenca bijve, që detyrohen të largohen nga atdheu i tyre.

Fryte jete të re sjelltë Krishti i Ngjallur për fëmijët të cilët, për shkak të luftërave dhe të urisë, rriten pa shpresa, pa edukim, pa ndihmë shëndetësore, e edhe për pleqtë e flakur nga kultura egoiste, që e lë mënjanë  kë nuk “prodhon”.

Fryte urtie kërkojmë për ata, të cilët, në mbarë botën, kanë përgjegjësi politike, që të respektojnë gjithnjë dinjitetin njerëzor, të përpiqen me përkushtim në shërbim të së mirës së përbashkët e të sigurojnë zhvillimin dhe sigurinë e qytetarëve të vet.

Të dashur vëllezër e motra,

Edhe ne, si gratë, që vrapuan tek varri, na drejtohet kjo fjalë: “Pse e kërkoni ndërmjet të vdekurve atë, që është i gjallë?” Nuk është këtu, u ngjall! (Lk 24,5-6). Vdekja, vetmia e frika nuk janë më fjala e fundit. Është një fjalë, që shkon përtej e që mund ta shqiptojë vetëm Zoti: fjala e Ringjalljes (krh Gjon Pali II, Fjalët në përfundim të Udhës së Kryqit, 18 prill 2003). Me forcën e dashurisë së Zotit, ajo e mund të keqen, i lan mëkatet, ua rikthen pafajninë mëkatarëve, gëzimin të munduarve, davarit urrejtjen, përkul forcën e të pushtetshëmve, nxit harmoninë e paqen!

Gëzuar Pashkët, të gjithëve! 

01/04/2018 13:23