Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Jeruzalem: pranë Varrit të Shenjtë, Procesioni Mortor dhe kremtimi i Natës së Pashkëve

Pashkët rreth Varrit të Shenjtë - EPA

31/03/2018 13:43

Pranë Varrit të Shenjtë u kremtua riti i lashtë i procesionit mortor të Krishtit. Liturgjia u zhvillua mbrëmë, pasuar, në mëngjes nga Kremtimi i Mundimeve dhe Udha e Kryqit, nëpër Udhën e Dhimbshme. Sipas këtij devocioni të lashtë popullor, akoma në përdorim edhe në disa vise të tjera të botës,  Krishti i vdekur u mbart me procesion dhe u shpallën fragmente të Mundimeve, në shumë gjuhë.  Rit tejet i lashtë ky, që nis me praninë françeskane në Tokën Shenjte, rreth vitit 1750, kur procesioni mortor kremtohej, kështu si kremtohet sot.

Liturgjia u kryesua nga Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Patton, ndërsa një frat tjetër mbante mbi shpinë kryqin. Kur procesioni arriti në Kalvar, Jezusin e zbritën nga kryqi, e mështollën me një çarçaf dhe e vendosën mbi Gurin e Vajimit. Rojtari i Tokës Shenjte e vajosi trupin e Jezusit me vajra aromatike e parfume, pikërisht  ashtu siç përshkruhet në Ungjijtë. U rijetua, kështu,  kryqëzimi, si dymijë vjet më parë, me një pjesëmarrje të madhe popullore. Shtegtarët mbetën jashtëzakonisht të prekur nga ky devocion, shumë i ndjerë edhe nga vendasit. Homelia para Gurit të vajimit u shqiptua në gjuhën arabe.

Pranë Varrit të Shenjtë, Nata pa gjumë e Pashkëve, me kumtimin e Ngjalljes

Pak orë më pas, në agun e së Shtunës Madhe, pranë Varrit të Shenjtë u kumtua Ngjallja. Përshpejtimi i Natës pa gjumë të Pashkëve është pasojë  e normave të veçanta, që rregullojnë kremtimet pranë Varrit Shenjt. “Në këtë Natë pa gjumë,  kremtojmë besën e Zotit  lidhur me njeriun dhe faljen e Tij - tha në homeli imzot Pierbattista Pizzaballa, Administrator Apostolik i Patriarkatit Latin. - Në rrjedhë shekujsh Zoti fal, gjithnjë, fal e përtërin pambarimisht besën e lidhur, nga Adami - tek Abrahami e deri tek Jezusi, tek Ai që, duke u përshkuar nëpër vdekjen e mëkatin, na çon përsëri drejt bashkimit të plotë, sot e përgjithmonë e jetës”. Imzot Pizzaballa i ftoi besimtarët të mos mbyllen në vetvete, ta hapin zemrën për t’u bërë si dëshiron Zoti. E, në përfundim, theksoi: “Do të dëshiroja shumë që këto Pashkë të na dhurojnë sy të ri, për t’i parë më mirë veten e historitë tona, sytë e njeriut, që u takua me Zotin e  me shëlbimin e Tij!”.

31/03/2018 13:43