2018-03-30 12:00:00

Koloseum


Amfiteatri Flavio, që njihet me emrin Koloseum, i filluar me dëshirën e Vespasianit (69-96 pas Krishtit), u përfundua dhe u përurua nën sundimin perandorak të të birit dhe pasardhësit të tij, Titit (79-81 pas Krishtit). Ishte një veprim simbolik, përmes të cilit popullit të Romës i kthehej kjo pjesë e qytetit, që Neroni e kishte shtënë në dorë me forcë, për ta shndërruar në një liqen të madh artificial (stagnum neronis), brënda banesës së tij private, Domus Aurea.

Ndërsa, me formë elipisi, mbulon pikërisht atë sipërfaqe, që do të zinte liqeni dhe qe ngrehina e parë e denjë për kryeqytetin e perandorisë së madhe, caktuar për të kënaqur turmat në ditë feste.

Para Koloseut, Roma kishte vetëm një amfiteatër të përhershëm, ngritur nga Statilio, në vitin 29 para Krishtit, shkatrruar kur Neroni i vuri zjarrin qytetit, në vitin 64. Para ndërtimit të tij, festat me ndeshjet e gladiatorëve organizoheshin në Foro, ku ndërtoheshin shkallë lëvizëse, të ngritura me raste festimi; gjithnjë në këtë mënyrë organizoheshin edhe festat në Campo Marzio.

Amfiteatri i ri qe përuruar me festime të mëdha, me flijimin e mijëra egërsirave që, siç thuhet, zgjatën njëqind ditë.

 Struktura (180 metra gjatësi e boshtit të madh; 150 e boshtit të vogël dhe 48. 50 metra lartësi) mund të zinte 60 deri në 80 mijë vetë, që mund të hynin e të dilnin lirisht, përmes nji sistemi të mirëstudiuar harqesh, shkallësh dhe hyrjesh, të njohura me emrin vomitoria. Në qendër të fasadës ishte tribuna perandorake, dy krahët e së cilës qenë të caktuara për gjykatësit, vestalet, të ftuarit e nderit etj. Hyrja ishte falas për të gjithë, kështu që vendi ku do të ulej spektatori nuk përcaktohej nga shuma që kishte paguar, por nga kategoria shoqërore, së cilës i përkiste: secilës kategori i rezervohej një nga pesë sektorët e zonës së quajtur cavea.  

Për ndërtimin e fasadës së ndërtesës qenë përdorur mbi 100 mijë metra kub tuf gëlqeror dhe 300 tonelata hekur, gjë që në shekujt e mëvonëshëm, posaçërisht në mesjetë, bëri që amfiteatri të shfrytëzohej si minierë për të nxjerrë prej tij material të begatë ndërtimi. Tri seritë e harkadave, që shihen ende sot, të ndërprea nga gjysëmkolona në tre stile klasike (dorike, jonike e korintike), mbështeten mbi shtylla. Stili atik, të cilit i mungojnë vendet e hapura, ritmohet me zbukurime korintike. Ndërsa ishte ende në përdorim, maja e ndërtesës mbulohej me velarium, një mbulesë pëlhure liri që i mbronte spektatorët nga dielli. Mbulimi me pëlhurë ishte një veprim tepër i vështirë, prandaj për ta kryer, qe caktuar një repart i posaçëm i marinës perandorake, vendosur në një kazermë aty pranë.

Sipas traditës, në këtë amfiteatër u martirizuan të krishterët e parë: fillimisht Koloseum u lidh me Mundimet e Krishtit nga Papa Benedikti XIV (1740-175), i cili ndërtoi rreth amfiteatrit 14 stacionet e Udhës së Kryqit. Fakti që Koloseum iu kushtua martirëve të krishterimit, kontribuoi për ta ruajtur një pjesë të mirë të amfiteatrit nga grabitjet e mëtejshme të lëndës dhe për të na e dorëzuar ne, në të gjithë madhështinë e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.