2018-03-28 13:48:00

Papa për Pashkët: Jezusi është i vetmi që na bën të rilindim!


Pashkët janë festa kryesore e fesë sonë. E Triditëshi, që nis nesër, më i rëndësishmi i vitit liturgjik. Këtë nënvizoi sot paradite Papa, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shtuar se këto ditë janë kujtesë kremtore e një misteri të madh, të pashoq: vdekjes dhe ngjalljes së Zotit Jezus:

 “Krishti, Pashka jonë, u flijua! Ta kremtojmë prandaj, festën, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e ligësisë e të mbrapshtisë, por me bukën e pambrume të sinqeritetit e të vërtetësisë”.

Triditëshi shënon etapat themelore të fesë sonë

Triditshi - kujtoi Papa - nis nesër me Meshën in Coena Domini - kremtim i Darkës së Mbrame të Zotit - e përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes. Pastaj vjen Pashkëza, por kjo është ditë pas-liturgjike: është festë familjare, festa e shoqërisë. Triditëshi - shtoi - shënon etapat themelore të fesë sonë e të thirrjes sonë në botë:

“Gjithë të krishterët janë të thirrur t’i jetojnë këto Tri Ditë të shenjta, si burim të jetës së tyre personale e komunitare, ashtu si e jetuan vëllezërit tanë hebrenj, daljen nga Egjipti”.

Jezusi dha jetën pa kërkuar shpërblim, për të na bërë shenjtorë

Triditëshi nuk mbaron me “perpeqin, vezët, festën”, sepse pas Pashkëve nis udha e  misionit, e frymëzuar nga kumti i madh: “Krishti u ngjall”:

“I vetmi, që na bën të lindemi përsëri, është Jezu Krishti. Askush tjetër. E për këtë nuk duhet të paguajmë asgjë, sepse shfajsimi - çka na bën të drejtë - është falas. E kjo është madhështia e dashurisë së Jezusit: jep jetën falas, për të na bërë shenjtorë, për të na përtërirë, për të na falur. Ky kumt – pohoi Françesku - është bërthama e fesë sonë, e shpresës sonë”.

Jezusi na shpëton nga korrupsioni

Duke kujtuar se natën e së shtunës do të pagëzojë tetë të rritur, që nisin, kështu, jetën e tyre të krishterë, Papa nxiti për të shikuar lart, për t’i parë horizontet, për t’i zgjeruar horizontet. Kjo - shtoi - është feja jonë, ky, shfajsimi ynë, ky hiri ynë.

Këto tri Ditë i propozojnë popullit të krishterë ngjarjet e mëdha të shëlbimit, të kryera nga Krishti, e kështu e projektojnë në horizontin e fatit të Tij të ardhshëm dhe e forcojnë në angazhimin për ta dëshmuar në udhët e historisë. Në Triditshin e Pashkëve kujtimi i këtyre ngjarjeve themelore bëhet kremtim plot mirënjohje e, njëkohësisht, përtërin në shpirtin e të pagëzuarve  ndjenjën e kushtit të ri, të cilin, Shën Pali Apostull e shpreh kështu: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, e jo… këto përmbi tokë (Kol 3,1-3). Përmes Pagëzimit me Jezusin  vdiqëm për sendet e për logjikën e botës; rilindëm si krijesa të reja; realitet, që kërkon të bëhet jetë konkrete ditë pas dite”.

“Një i krishterë, nëse e lë me të vërtetë veten të lahet nga Krishti, nëse e lë të zhvishet nga Ai prej njeriut të vjetër, për të ecur në një jetë të re, edhe pse duke mbetur mëkatar - pse të gjithë jemi -  nuk mund të korruptohet. Shfajsimi nga Jezusi na shpëton nga korrupsioni - jemi mëkatarë, por jo të korruptuar; nuk mund të korruptohesh; nuk mund të jetosh me vdekjen në shpirt, e as të jesh shkak vdekjeje”.

Të ashtuquajturit “të krishterë mafiozë”, nuk kanë asgjë të krishterë.

Papa, duke paralajmëruar që duhet të thotë fjalë të trishtuara e të dhimbshme, pohoi, më pas, se “ka edhe nga ata që shtiren si të krishterë, që janë të krishterë të rremë; ata, që thonë ‘Krishti u ngjall!’, që pohojnë se hynë në një jetë të re, ‘por që zhyten edhe më keq në jetën e tyre të prishur, të korruptuar. I korruptuari shtiret se bën jetë të ndershme, por në fund, në zemrën e tij s’ka tjetër, veçse kalbësirë’”.

Të mendojmë për të ashtuquajturit “të krishterë mafiozë”. Që s’kanë asgjë të krishterë. Veç dukjes. E vdekjes në shpirt. E të lutemi për ta e për të tjerët. Që Zoti t’ua prekë shpirtin – porositi Papa.

I afërmi, fytyrë konkrete, së cilës mund t’i dhurosh dashurinë

Nuk mund të mos kujtonte, në këto ditë të mëdha, edhe të afërmin, Papa, sidomos më të voglin e më të vuajturin, që bëhet fytyrë konkrete, së cilës mund t’i dhurosh dashurinë. Atë që na dhuroi vetë Jezusi. Për ta bërë, kështu, botën, hapësirë të jetës sonë të re, si njerëz të rilindur. Në këmbë e me ballin lart - kujtoi - mund t’i ndajmë poshtërimet me ata, që ende sot, ashtu si Jezusi, janë në vuajtje, në lakuriqësi, në nevojë, në vetmi, në vdekje e në ringjallje.

Në këto Pashkë ta lëmë Zotin të na e lajë shpirtin

Papa kujtoi edhe se në shumë vende, ditën e Pashkëve, i çojnë fëmijët t’i lajnë sytë me ujë, me ujin e jetës. I lajnë - tha Papa - për t’i parë më mirë të rejat, që solli Jezusi:

“Ta lëmë këto Pashkë Krishtin të na e lajë shpirtin, të na i lajë sytë e shpirtit për të parë gjëra të bukura e për të bërë gjëra të bukura. E kjo është e mrekullueshme! Është pikërisht ngjallja e Krishtit pas vdekjes, haraç që iu desh ta paguante për të na shpëtuar ne të gjithë. E po ju jap një këshillë: në agun e Pashkëve çojini fëmijët tek rubineti për t’i larë sytë. Do të jetë sjellje simbolike e dëshirës për ta parë Jezusin. Do t’u duket sikur e shikojnë të Ngjallur”.

Të dashur vëllezër e motra, ta jetojmë mirë këtë Triditësh të Shenjtë, tashmë fare pranë, për t’u radhitur në misterin e Krishtit të vdekur e të ngjallur për ne - porositi Papa. - Na shoqëroftë në këtë udhë Virgjëra e Shenjtnueshme, që e ndoqi pas Krishtin në mundimet e Tij, që ishte e pranishme dhe e bashkuar me Të poshtë kryqit dhe e mori në zemrën e saj prej Nëne, gëzimin e pamasë të Ngjalljes. Ajo na nxjerrtë hirin të marrim pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e ditëve të ardhshme, që zemra jonë e jeta jonë të shndërrohen me të vërtetë.

Duke ju lënë këtë mendim, ju uroj përzemërsisht Pashkë të Shenjta,  njëherësh me bashkësitë tuaja e me të dashurit tuaj!

Duke përshëndetur, në përfundim, në gjuhën italiane, Papa pohoi se i pret plot gëzim pjesëmarrësit e takimit ndërkombëtar UNIV, në 50 vjetorin e fillimit të kësaj ngjarjeje domethënëse. “I nxis të gjithë - tha - t’i jetojnë vitet e formimit universitar si përgatitje të gjithanshme në shërbim të njeriut, duke dëshmuar në to, gëzimin dhe vlerat e fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.