2018-03-28 12:33:00

Lëmoshët e së Premtes së Madhe: nismat e Fondacionit “Toka Shenjte”


Ҫdo vit, në prag të Pashkëve, Kisha i fton besimtarët të mendojnë për nevojat e Tokës Shenjte. Organizon për këtë mbledhjen e Lëmoshëve për Tokën Shenjte, e cila, ashtu si Oboli i Shën Pjetrit më 29 qershor dhe lëmoshët në Ditën Misionare Botërore, është e detyrueshme. Kështu, çdo të Premte të Madhe, lëmoshët e besimtarëve në çdo kishë katolike shkojnë në favor të të krishterëve, që banojnë në vendet, ku jetoi Krishti.

Shpërndarja e lëmoshëve

         “Gjatë viteve të fundit – lexohet në një notë të Fondacionit ‘Toka Shenjte’ – rreth 4/5 e lëmoshëve, që u kanë ardhur françeskanëve, janë përdorur për vepra baritore e shoqërore, ndërsa 1/5 për shenjtëroret. Rojtaria e Tokës Shenjte merr 65% të ofertave, ndërsa pjesa tjetër u shkon institucioneve katolike, që veprojnë në rajon. Me vendim të Selisë së Shenjtë, veprimtaritë e Patriarkatit latin mbështeten nga Kalorësit e Varrit të Krishtit dhe nga institucione të tjera”.

Mbështetje shpirtërore dhe materiale

         Fondacioni vë në dispozicion të besimtarëve një doracak me meditimet e atë Tarcisio Colombotti, që paraprihen nga fjalët e Papës Françesku, të administratorit apostolik të Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa dhe të Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Françesk Patton. “Dhurata, që ftohen të japin të gjithë të krishterët, të Premten e Madhe – shkruan Rojtari – shkon në të mirë të bashkësisë së vogël të këtyre trojeve, që ka nevojë për mbështetje dhe inkurajim shpirtëror, por edhe për ndihmë ekonomike e materiale”.

Edukimi për paqe dhe bashkëpunim

         “Pa afërsinë, ndihmën dhe mbështetjen materiale të të krishterëve të gjithë botës – vijon atë Patton – si do të ishte e mundur për ne të vazhdojmë t’i ruajmë vendet e shëlbimit tonë, cak për miliona shtegtarë nga e gjithë bota, që duan ta përtërijnë fenë aty ku gjithçka filloi? Si do të ishte e mundur të ndihmohen famullitë më të varfëra në veprimtaritë e tyre baritore e bamirëse? Si do të mundim të mbajmë hapur e të mbështesim ato palestra edukimi për paqen e bashkëpunimin, që janë shkollat e Tokës Shenjte?”

Kujdesi për emigrantët

         “Si do të mundim – pyet akoma Rojtari françeskan – të kujdesemi për emigrantët katolikë, që vijnë edhe tek ne, në kërkim të punës e që duhen dëgjuar e integruar në famulli? Si do të mund t’i lehtësonim vuajtjet e refugjatëve, shkaktuar nga luftrat e vazhdueshme, që këto vite, kanë përfshirë shumë nga vendet, në të cilat kryejmë misionin tonë?”








All the contents on this site are copyrighted ©.