2018-03-27 13:45:00

Si duhet kremtuar përkujtimi i së Lumes Mari Virgjër Nënë e Kishës


Pasi u shkrua në Kalendarin Romak përkujtimi i së Lumes Mari Virgjër, Nënë e Kishës, të cilin të gjithë duhet ta kremtojnë që sivjet të hënën pas Rëshajëve, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, në njoftimin e rastit, jep disa udhëzime.

Në rastet e Meshëve të së hënës e të së martes së Rrëshajëve, ose në meshët  kushtore të Shpirtit Shenjt

Rubrika, që lexohet në Mesharin Romak, pas formularëve të Meshës së Rrëshajëve, kujton: “Në vendet ku, për traditë, besimtarët marrin pjesë me shumicë në Meshën e së hënës e të së martës së Rrëshajëve, rimerret Mesha e së Dielës së Rrëshajëve ose kremtohet një “Meshë kushtore” e Shpirtit Shenjt (Meshari Romak, fq 243). Vlen përsëri, sepse nuk e përjashton të drejtën e kalimit ndërmjet ditëve liturgjike të cilat, përsa i përket kremtimit, rregullohen vetëm nga Tabela e ditëve liturgjike (shih Normat e përgjithshme për sistemimin e Vitit Liturgjik dhe të Kalendarit, n. 59). Njëlloj, e drejta e kalimit rregullohet nga normativa mbi Meshët kushtore.

Në rastin e rëndësisë së njëllojtë, të parapëlqehet përkujtimi i së Lumes Virgjër Mari

Gjithsesi, kur përkujtimet janë me të njëjtën rëndësi, është për t’u parapëlqyer përkujtimi i detyrueshëm i së Lumes Virgjër Mari Nënë e Kishës, tekstet e të cilit i bashkëngjiten Dekretit, me leximet e caktuara, sepse ndriçojnë misterin e Amësisë shpirtërore. Në një botim të ardhshëm të Ordo Lectionum Missae, n. 572 bis, rubrika do të tregojë shprehimisht se leximet janë të veçanta e prandaj, edhe pse bëhet fjalë për përkujtim, duhen përdorur në vend të leximeve të ditës (shih Leksionari, Hyrje, n. 83).  

Në përkim me përkujtimin e një Shenjti ose të Lumi, ka epërsi përkujtimi i së Lumes Mari Virgjër.

Në rast përkimi të këtij përkujtimi me ndonjë përkujtim tjetër, ndiqen parimet dhe normat e përgjithshme të Vitit liturgjik dhe Kalendari (shih Tabela e ditëve liturgjike, n 60). Duke qenë, pastaj, përkujtimi i së Lumes Mari Virgjër Nënë e Kishës i lidhur ngushtë me Rrëshajët, ashtu si kujtimi i Zemrës së Papërlyer të Virgjërës Mari, që kremtohet pranë e pranë me Zemrën e Shenjtnueshme të Jezu Krishtit, në rast përkimi me ndonjë përkujtim tjetër, të ndonjë Shenjti a të Lumi, sipas traditës liturgjike të epërsisë ndërmjet personave, paraprin përkujtimi i së Lumes Virgjër Mari.

Papa Françesku caktoi ditën e kujtimit të Marisë “Nënë e Kishës”

Duke vënë në jetë vendimin e Papës Françesku, me dekretin e 11 shkurtit të kaluar, kur kremtohej 160-vjetori i dukjes së parë të Zojës Lurdë, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, vendosi ta regjistrojë përkujtimin e “Së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës” në kalendarin e përgjithshëm Romak. Duke e pasur mirë parasysh rëndësinë e Misterit të amësisë shpirtërore të Marisë e cila, në pritje të Shpirtit Shenjt, në kohën e Rrëshajëve, nuk pushoi kurrë s’u kujdesuri amësisht për Kishën, shtegtare në botë, Papa Françesku vendosi që, të hënën pas Rrëshajëve, kujtimi i Marisë Nënë e Kishës të jetë i detyrueshëm për gjithë Kishën e ritit romak. Me këtë kujtim - vë në dukje dokumenti - Françesku uron që ky devocion “t’i thellojë ndjenjat amtare të Kishës në shpirtin e Barinjve, të rregulltarëve e të besimtarëve, ashtu si dhe përshpirtërinë e vërtetë mariane”.

Pali VI e deklaroi Marinë Nënë e Kishës

Dekreti nënvizon se “Maria është njëkohësisht Nënë e Krishtit, Birit të Zotit, e Nënë e gjymtyrëve të korpit të Tij mistik, domethënë, Kishës”. Vëren edhe se ky titull dëgjohej në rrethet kishtare, duke nisur nga Shën Agostini e se, në rrjedhë shekujsh, Kisha e nderoi gjithnjë Marinë me tituj pak a shumë të ngjashëm, siç e shikojmë në disa autorë e edhe në shërbesën e Benediktit XV e të Leonit XIII. Pikërisht mbi këtë bazë i Lumi Pali VI - në përfundim të seancës së tetë të Koncilit II të Vatikanit -  e deklaroi të Lumen Virgjër Mari, “Nënë e Kishës”. Më pas - lexohet në Dekret - Selia Apostolike propozoi, më 1975, një Meshë kushtore për nder të Nënës së Kishës,  radhitur, më pas në Mesharin Romak. Qe miratuar,  gjatë viteve, edhe që kremtimi i “Nënës së Kishës” të vendosej në Kalendaret e  veçanta të disa vendeve, si Polonia e Argjentina.

Kardinali Sarah: Maria na ndihmon për ta mbushur jetën me dashurinë e Zotit

Në një koment për këtë Dekret, kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, uron që ky kremtim, i shtrirë në mbarë Kishën, t’u kujtojë gjithë dishepujve të Krishtit se, po të duam të rritemi në fe e të mbushemi me dashurinë e Krishtit, duhet ta rrënjosim jetën tonë mbi tre realitete: Kryqin, Hosten, Virgjërën. Tre mistere - nënvizoi - “që Zoti ia dhuroi botës për ta ndërtuar, për të frytuar, për ta shenjtëruar jetën tonë shpirtërore e për të na prirë drejt Jezu Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.