2018-03-27 14:29:00

Ndihmë për Kishën që vuan, në Javën e Madhe, mendon për martirët e krishterë


“Martirizimi i vëllait tim përfaqëson, sidomos gjatë Javës së Madhe, një mesazh për të gjithë, besimtarë e jo besimtarë, mesazh, që dëshmon forcën e fesë e njëkohësisht shpresën". Kështu i deklaron Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, Roselinë Hamel, e motra e atë Jacques, meshtarit 86-vjeçar, vrarë brutalisht nga dy ekstremistë islamikë më 26 korrik 2016 në Saint-Étienne-du-Rouvray të Francës.

“Ndihmë për Kishën që vuan” ia kushton Javën e Madhe, në pritje të Pashkëve të ringjalljes, kujtimit të të krishterëve të persekutuar në botë. Meshtari francez u kujtua kohët e fundit nga vetë fondacioni, kur ndriçoi me të kuqe monumente të ndryshme nëpër botë për të kujtuar martirizimin e të krishterëve. “Kur mora vesh për këtë – shkruan e motra, Roseline – u emocionova jashtëzakonisht, ju falenderoj nga zemra. Të gjithë martirëve u duhen bërë homazhe, por ata, që janë vrarë nga urrejtja për fenë, meritojnë edhe më shumë respektin tonë. Vërtet, në ta ka diçka të shenjtë, që s’mund të injorohet edhe prej atyre, që nuk besojnë në Zotin”.

Vrasja e atë Hamelit pati shokuar botën e në veçanti, Evropën. “Askush nuk mundi të qëndrojë i pandjeshëm para martirizimit të këtij njeriu të fesë, i cili, deri në frymën e fundit, u lut për paqen dhe kumtoi me pasion Fjalën e Zotit”. Roseline vëren se në këtë vit e gjysëm, janë të shumtë njerëzit, që e kanë nderuar të vëllain e kanë vizituar kishën e vogël franceze të Shën Shtjefnit. “E ndjejmë mbështetjen dhe ngushëllimin e mijëra vetëve”, pohon zonja Hamel, duke nënvizuar se reagimi ndaj vrasjes së vëllait është provë se njerëzit e kuptojnë që liria fetare është akoma në rrezik në Evropë.

“Njëkohësisht, duhet të jemi vigjilentë – vijon Roseline. – Ndjej një farë shqetësimi kur shoh se brezi i ri nuk e njeh shembullin e martirëve. Janë të rinj të brishtë e të hutuar nga shoqëria e konsumit, prandaj, mund të korruptohen lehtë”.

Nëse të rinjtë mund ta gjejnë frymëzimin dhe shpëtimin në shembullin, që dha atë Jacques me flijimin e vet, edhe më i madh është mësimi për ata, që përgatiten, ose kanë ndërmarrë tashmë udhën e meshtarisë. “Vetë jeta e tim vëllai – pohon Roseline Hamel – më se 60 vjetët e meshtarisë, kushtuar krejtësisht besimtarëve të famullisë, janë një leksion i madh për meshtarët dhe seminaristët e rinj. Megjithëse nuk janë të thirrur për martirizim, duhet ta gjejnë forcën për t’i lënë në duart e Zotit vështirësitë e tyre, duke ndihmuar gjithë shoqërinë e, në veçanti, ata bashkëmoshatarë, që e kanë humbur orientimin e drejtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.