2018-03-25 12:30:00

Imzot Frendo: “Java e Shenjtё e Pashkёve” na zbulon dashurinë e madhe tё Jezu Krishtit.


Homelia e kryeipeshkvit tё Tranё-Durrёsit mbajtur tё Dielёn e Larit, nё Kishёn Katedrale tё Shёn Palit, nё kryeqytetin e Shqipёrisё, me tё cilёn tё Diele Kisha katolike fillon Javёn e Madhe e tё Shenjtё të Pashkёve tё Jezu Krishtit.

E DIELA E LARIT (2018)

Po kremtojmë hyrjen e Jezusit në Jerusalem, në qytetin që pas pesë ditësh do ta dënojë me vdekje. Duke iu afruar këtij qyteti Jezusi ka qarë. Ka qarë sepse i tha qytetit: “Sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! “Pra nuk ka qarë sepse ky qytet do ta dënonte për vdekje: jo. Por ka qarë sepse deshi që ky qytet të gëzojë paqen, ndërsa ka parapëlqyer të përjetojë luftë dhe përçarje. Edhe po të vijë sot, Jezusi do të qajë prapë duke vënë re se Jerusalemi është bërë jo qytet i paqes, por qytet për qarje. E po të vijë sot tek qytetet tona, çfarë mendoni? A do të qajë apo jo? Po të vijë në këtë moment në këtë kishë besoj se do të buzëqesh duke parë aq shumë besimtarë, aq shumë të rinj që me gëzim kanë marrë pjesë në procesionin që ka përkujtuar hyrjen e tij në Jerusalem. Dhe sot Jezusi ka hyrë në këtë kishë si ka hyrë kaherë në Jerusalem. Ka hyrë këtu, mes jush që e keni pritur me gëzim, jo si një person për t’u dënuar me vdekje, por si shpëtimtar, si princ i paqes. Por nga ana tjetër ai qan për ne, kur ne kemi mundësi të pranojmë fjalën e paqes që vjen prej tij, dhe ne e refuzojmë. Kështu dënojmë vetveten për një jetë shqetësimi, dëshpërimi, lufte, urrejtjeje.

Sot është dita e parë e kësaj jave që, me të drejtë, quhet “Java e Madhe”. Është java më e rëndësishme në tërë vitin liturgjik, sepse zbulon dashurinë e madhe e Jezu Krishtit, e atij që tha se jep jetën e vet për delet e tij. Ne jemi delet e shëlbuara në sajë të gjakut të Bariut tonë, Jezu Krishtit. Dhe kremtimi i sotëm, kremtimi i hyrjes së Jezusit në Jerusalem, është ftesë që të bashkohemi me Jezusin gjatë kësaj jave. Është një ftesë për të qenë afër tij në darkën e fundit të tij, kur do ta shohim duke larë këmbët e apostujve të tij, për të na kujtuar se ai erdhi jo për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer; atje do të dëgjojmë gjithashtu fjalët e tij mbi bukën dhe mbi verën: “Ky është trupi im”, “Ky është gjaku im”. Është një ftesë të shkojmë me të në kopshtin e Gjetsemanit; atje do ta shohim duke u lutur dhe do të dëgjojmë fjalët e tij: “O Atë, largoje prej meje këtë kryq; megjithatë jo çfarë dua unë, por çfarë do ti le të bëhet”. Është një ftesë të ngjitemi bashkë me të në mal të Kalvarit e ta shoqërojmë duke mbartur kryqin; do ta shohim të kryqëzuar mes dy kriminelëve; do ta shoqërojmë deri tek varri ku do të vendoset trupi i tij i pajetë. Por jemi të ftuar të qëndrojmë para varrit të tij, sepse duam ta shohim si të ngjallur, duam të dëgjojmë urimin e tij: “Paqja me ju”, dhe duam të dëgjojmë zërin e tij që do të na thërrasë me emër.

Në hyrjen e tij në Jerusalem populli e ka pranuar me entuziazëm, si profet dhe mrekullibërës i madh. Kishin dëgjuar se ai, me pesë bukë, kishte ushqyer mijëra njerëz, kishte shëruar shumë të sëmurë, dhe, vetëm pak ditë më parë, kishte ngjallur mikun e tij Lazër prej vdekjes. Ndoshta shumë prej tyre kishin dëgjuar mësimin e tij dhe kishin komentuar (si lexojmë disa herë në Ungjillin) se ai fliste me autoritet, jo si mësuesit e tyre, jo si farisenjtë. Ja pse në këtë ditë e kanë pranuar me një entuziazëm të madh. Por sapo kemi dëgjuar tregimin e mundimeve të tij. Britma e popullit nuk është më “Hosana”, por “Kryqëzohet”. Nuk dëgjojmë më ato fjalë të bukura: “Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit”; dëgjojmë vetëm akuza të rreme dhe tallje: “Të përshëndesim, mbreti i judenjve”, “Shpëto veten dhe zbrit nga kryqi!”

Por autoritetet fetare shihnin në të një kërcënim. Ata parapëlqenin më shumë dashurinë për ligjin sesa ligjin e dashurisë. Prandaj nuk u kënaqën kur e panë duke shëruar, ditën e shtunë, një të lindur i verbër, por u hidhëruan sepse, sipas tyre, nuk ishte e lejueshme të shëroje një person në atë ditë. Por vetë mirësia dhe butësia e tij jo vetëm nuk i ndriçoi për ta pranuar si njeri i shenjtë dhe model, por përkundrazi i bëri shumë xhelozë. Xhelozia është një virus që mund të helmojë edhe personat që pretendojnë se po i shërbejnë Zotit.

Mësuesit e judenjve, priftërinjtë dhe farisenjtë, gëzonin shumë respekt dhe autoritet në shoqëri. Në festat ata uleshin gjithmonë në vendet e para, dhe ata ishin të parët për të gjykuar dhe të dënuar të tjerët. E tani erdhi ky njeri, biri i një marangozi, nga një fshat pa asnjë rendësi që quhet Nazaret, e flet me autoritet! Dhe ky, djali i marangozit, po tërheq shumë njerëz drejt tij. E njerëzit thonë haptazi se ai flet më mirë sesa mësuesit, sesa priftërinjtë e tyre, dhe sesa farisenjtë. Ja pse priftërinjtë dhe farisenjtë u bënë xhelozë. Dhe kjo situatë, fatkeqësisht, po përsëritet edhe sot. Sa shumë punëtorë sot janë urryer, jo sepse janë të këqinj, por sepse janë shumë të mirë, dhe shokët e tyre janë bërë xhelozë për ta! Sa shumë çifte janë bërë objekt urrejtjeje dhe shpifjeje, vetëm sepse janë çifte shumë të mira, shumë të bashkuar në dashuri, që kanë rritur një familje shumë të mirë dhe të lumtur! Por pikërisht për këtë arsye janë bërë viktimë xhelozie, shpifjeje dhe urrejtjeje!

Sot bërtitja (britma ose thirrja?) “Hosana” ndryshohet në “Kryqëzoje”. Dhe ku janë ata që kishin ngrënë nga buka që Jezusi u kishte dhuruar kur ishin në një vend të pabanuar? Ku janë ata që u shëruan, dhe familiarët e atyre që u shëruan ose u ngjallën nga Jezusi? Ku janë ata që mrekulloheshin duke dëgjuar fjalët që thoshte ai me shumë urti dhe autoritet? Ku janë ata që, pak ditë më parë, e kishin pranuar me këngë duke kënduar “Hosana”? Ku është Pjetri, i cili i kishte thënë Jezusit: “Unë jam i gatshëm të vdes për ty”?

Tashti të gjithë kanë heshtur. Kanë heshtur, sepse nuk kanë pasur guxim të thonë një fjalë në mbrojtjen e tij. Ja një mëkat shumë i zakonshëm në ditët e sotme: heshtja, kur duhet të flasim. Shohim padrejtësi para syve tanë, por heshtim; dëgjojmë persona që merren me thashetheme dhe shpifje kundër personave të drejtë, por ne heshtim, dhe heshtja jonë na bën bashkëveprues me ata që po mëkatojnë me thashethemet dhe shpifjet e tyre. Kanë heshtur, ndoshta sepse vendosën të sillen si të tjerët. Asnjëri nuk ka mbrojtur Jezusin, atëherë më mirë mos ta hapim gojën as ne: bëjmë si ata. Sa shumë besimtarë nuk vijnë në Kishë vetëm sepse duan të ndjekin gjurmët e të tjerëve: as miqtë e tu nuk vijnë për meshë, e ti, ndoshta që të dukesh simpatik me ta, bën si bëjnë ata, nuk vjen as ti.

Të dashur vëllezër e motra, shikoni kryqin e Krishtit. Po flet me ju. Dhe flet në një gjuhë që sigurisht mund ta kuptoni, sepse është gjuha e dashurisë. Le ta ulim kokën para kryqit të Krishtit, e t’i themi: Të falënderoj, o Zot, sepse ti më ke dashur edhe pse nuk kam merituar dashurinë tënde. Le t’ia hapim dyert e zemrave tona dhe ta lejojmë të hyjë brenda për të ndryshuar zemrat tona të hekurta në zemra mishi. Nga kryqi Jezusi vazhdon duke na mësuar. Nga kryqi Jezusi na mëson fuqinë e jashtëzakonshme të dashurisë, guximtare deri në pikën që është e gatshme të japë (hedh?) hapin e parë, e gatshme për t’u ngjitur mbi kryq, dhe e fort deri në atë heroizëm që fal armiqtë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.