2018-03-25 07:00:00

Dom Ndré Zadeja, martir, prift, poet e atdhetar i flakët


Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar përvjetorin e pushkatimit të Dom Ndré Zadejës, meshtar, poet e atdhetar i flakët. Dom Ndré Zadeja është një nga dyzetë martirët e Kishës shqiptare, 38 prej të cilëve janë shapllur të Lumë nga Kisha katolike e janë lartuar në nderimet e altarit.  Ai qe martiri i tërbimit komunist mbi Kishën katolike në Shqipëri e një dëshmitar i jashtëzakonshëm i fesë së krishterë dhe i vlerave kulturore e atdhetare.

Dom Ndre Zadeja (Shkodër, 03. 11. 1892 - Shkodër, 25. 03. 1945) prift e poet, u pushkatua pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste. Ishte në kulmin e lulëzimit meshtarak, kulturor e artistik, kur në skenën e Shqipërisë nisi të luhej tragjedia e diktaturës së kuqe, në të cilën ai, dramaturgu i njohur, do të  vritej i pari.

Tragjedia e pashkruar nis me këtë skenë: “Më 3 shkurt 1945, në shkollën fillore të Sheldisë bëhet një mbledhje e popullit të fshatit për dorëzimin e armëve. Në mbledhje thirret me këmbëngulje edhe famullitari. Ndërkaq, për t’i kallur tmerrin popullit, komunistët pushkatojnë pa gjyq fshatarin Tomë Marku për shkak se nuk kishte dorëzuar armën. Dom Ndreu, pa marrë parasysh rrezikun, kryen shërbesat e fundit fetare te koka e viktimës. Ky veprim, që përbën detyrën e shenjtë të çdo meshtari,  konsiderohet akt armiqësor kundër regjimit dhe priftit i vihen prangat. Burgun e Shkodrës, ku e mbyllin, e gjen përplot me klerikë të tjerë katolikë”.

Skena e dytë duhet të ishte ajo e gjyqit. Po sipari nuk hapet e askush nuk e merr vesh a del e kur del në gjyq e ç’gjykatë e dënon. Dihet vetëm se dënohet me vdekje. Skena e tretë e tragjedisë së dramaturgut të madh, zhvillohet në qelitë e tmerrshme të burgut komunist. Deri më 25 mars 1945. Është e Diela e Larit, në prag të Pashkëve të Ngjalljes, kur Dom Ndreu, së bashku me 13 të tjerë, niset drejt vdekjes. Meshtarët e burgosur, që e ndjekin varganin e përmortshëm prej pas hekurave, u japin bekimin e fundit të katërmbëdhjetëve. 

Tragjedia arrin, kështu, shpejt e shpejt, në pikën kulmore. Shkodra dëgjon breshërinë e mitrolozit, që shtrin përdhe “Poetin e ambëlcisë” dhe 13 shokët e tij të idealit. Bëhet, pa dashur, spektatore e kësaj tragjedie që, si në kohët e Neronit, përfundon me vrasjen e vërtetë të aktorëve kryesorë. Të klerikut katolik, të cilin e njeh dhe e do me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza"; "Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të vëna në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e të lexuara, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. Tragjedia e Poetit të ambëlsisë, kishte filluar ndoshta qysh me 16 gusht 1944, gjatë Meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtua besimtarëve:

“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s'keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin".

Shprazja e madhe nis njëkohësisht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këpusin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, shoqëruar nga zëri i lebetitur, që troket derë më derë: "Kanë grí Dom Ndrenë!". Nuk është më kohë  melodramash!

Seminaristët, të prirë nga Dom Tom Laca, pa marrë parasysh kërcënimet, e mbartin trupin e përgjakur të Meshtarit dhe e varrosin në Rrëmaj. Para se të mbyllet arkivoli i përgatitur me nxitim, seminaristi Mark Çuni, i vë mbi gjoks një flamur shqiptar. Pak orë më vonë djaloshi i kushton kësaj ngjarjeje elegjinë “O male, pse s’ushtoni”,   muzikuar nga seminaristi tjetër, Gjergj Laca. Por kënga nuk u këndua kurrë:  seminaristi,  poet e këngëtar, u pushkatua pak kohë më vonë në të njëjtin vend, kur ende nuk ishte tharë gjaku i katërmbëdhjetë besimtarëve katolikë. Duke shkruar, kështu, një tragjedi të re.

E tani, kur për emrin e Dom Ndreut flitet si për atë të një të Lumi të ardhshëm, urojmë që një ditë jo të largët, në rrugët e rrugicat e Shkodrës plakë, të ushtojë zëri i hareshëm. "Po naltohet në eltér Dom Ndreu, martiri që i lau, i pari, me gjak këto troje të martirizuara!”. 

Varri i thjeshtë i Dom Ndre Zadejës ndodhet ende atje, nën selvitë e çinarët qindvjeçarë të varrezës së Rrëmajit, për t’u treguar shqiptarëve se kjo nuk është tragjedi, e luajtur në Teatrin e Jezuitëve, por realitet i tmerrshëm, që rrezikon të përsëritet, po të harrohet. 

Epilog: Dom Ndreu qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; se shpejti do të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit, duke u lënë dramaturgëve shqiptarë në dorë, subjektin për një dramë heroike, në të cilën personazhi kryesor është një Shenjt.

Dy fjalë për këngën e këputur të Dom Ndré Zadejës  

Dom Ndré Zadeja, i njohur si “Poeti i ambëlcisë” dhe si një ndër dramaturgët e parë të letërsisë shqiptare, është njëkohësisht edhe dëshmitari i parë i fesë katolike që ra nën plumbat e diktaturës komuniste.

Lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. I ati, Gjoni, ishte zanatçi; e ëma, Lukja e Cuk Fishtës, shtëpiake. Klasat e para të fillores i ndoqi në shkollën italiane të vendlindjes. Nën ndikimin e fortë të djalit të dajës, dom Mati Fishtës, më 1903 hyri në Kolegjin Saverian, ku më 1912 mori dëftesën e pjekurisë dhe vendosi t’i kushtohej  përgjithnjë rrugës së meshtarisë. Më 30 shtator 1913 u nis për në Innsbruck, ku studioi  filozofinë e teologjinë deri më 16 mars 1916. Sapo kreu studimet, u kthye në Atdhe ku u shugurua meshtar dhe më më 26 prill 1916, në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, tha Meshën e parë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të madhe, u emërua sekretar i Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, detyrë që e kreu për gjashtë vjet me radhë, deri më 1922, kur u zëvëndësua nga Dom Lazër Shantoja. Vazhdoi misionin si famullitar në Mal të Jushit, në Bogë, Shkrel e Sheldî. Marrëdhëniet e ngushta me popullin, i krijuan mundësinë të studionte me kujdes mënyrën e jetesës, mendësinë e sidomos gjuhën e pastër e të pasur popullore.

Dom Ndreu kishte një formim të gjithanshëm: filozofik, teologjik, pedagogjik, letrar e artistik; ishte poet lirik, dramturg, publicist e orator i njohur. Shkroi artikuj e mbajti ligjërata për edukatën e edukimin; së bashku me Dom Mikel Koliqin hartoi muzikën e dy melodramave të tij të para “Ora e Shqypnís” e “Hije të zeza”, dha një ndihmesë të madhe për themelimin e bandës muzikore të shoqërisë “Bogdani”; qe mësues i solfezhit për të rinj që mësonin veglat e frymës; gjatë shërbimit në famullinë e Sheldisë shoqëroi me armonium të gjitha kremtimet fetare.

Përpjekjet e para për botimin e veprës së Zadejës u bënë në vitet 1938-44 nga “Kumbona e së Dieles”, organ i famullive të Kryedioqezës të Shkodrës, ku panë dritën e shtypit një pjesë e vjershave dhe e melodramave të tij.

Por “Kumbona” nuk mundi ta nxjerrë në dritë veprën e plotë, sepse botimi i revistës u ndërpre. Pesëdhjetë vjet më vonë këtë detyrë të vështirë e mori mbi vete Lec Zadeja, i cili bëri përpjekjen për t’i dhënë letërsisë shqipe një Zadejë sa më të plotë, në veprën “Dom Ndré Zadeja, Veprat”, në dy vëllime(1994 -1996) botuar në Lezhë nga shtypshkronja “Gjergj Fishta”. Përmes kësaj vepre të punuar me dashuri, lexuesi njihet me Zadejën poet, prozator e dramaturg.

Poeti

Poezitë e para të Zadejës janë: “Muzhika” e “Piktura”, përmes të cilave u këndon këtyre arteve që lartojnë e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Pastaj Meshtari poet, duke ecur në gjurmët e Etërve Xanoni, Fishta, Prennushi e të tjerëve, krijoi një cikël me poezi fetare, si “Natyra e Zojës”, “Falni”, “Të Kryqëzuemit”, “Shêjtnorja e Zojës” etj. Poezitë përshkohen nga fryma e filozofisë së krishterë, këndojnë mirësinë, dashurinë e faljen. Duke provuar ritme, metra e strofa të ndryshme, Zadeja solli një ndihmesë të madhe në pasurimin e prozodisë shqiptare.

Shquhet ndërmjet tyre “Natyra e Zojës”(fq.45) shkruar me strofë safike. Është një himn të cilin mbarë krijesa ia këndon Asaj, që mbajti në krahëror, lindi, rriti, shoqëroi te këmbët e kryqit e pastaj në lumturinë e mbretërisë qiellore, Shëlbuesin e botës. Është pranverë! Natyra zhvesh mbulojën dimërore dhe, e veshur me blerimin e gëzueshëm, këndon. Këndojnë valët e përrenjve që rrjedhin furishëm ndërmjet shkëmbinjve, gurrat e qeta, krojet, gjethët, lulet, bari; këndojnë yjet natën e dielli në agim, këndon bilbili: mbarë kreatyrët shpërthejnë në kor me brohori një refren të vetëm: “Falemi Mëri! Këndon toka e qiella!”.

Poezia “Falni”, me strofë katërshe, është një thirrje që tingëllon përherë aktuale në shtegtimin e vështirëtë njeriut mbi tokë: “Falni, falni:... O Zot, hekrat i theva, / edhe vetë t’idhnimit të zí; /T’fyemet të tana ‘i ditë i ndjeva;/ fala, tesh pushoj n’qetí//”. Satirën “Kumbona e Sheldisë” e përshkon ideja se toka shqiptare nuk mund të kuptohet pa tingullin e kumbonëve, simbol i krishtërimit e i përpjekjeve të vështira të popullit për të ruajtur fenë e traditat e të parëve. Shkruan poeti: “Dyqind vjet kumbonë jehove/ Shoqet në dhé, ti n’kambë qindrove; / Vezirlive ua prishe gjumin/ Një magjyp ta shkurtoi rumin!”

Në poezitë fetare të dom Ndreut bën pjesë edhe katekizmi në vjersha.

Zadeja shquhet për aftësinë e krijimit të portreteve poetike. Janë të njohura poezitë portret kushtuar Atë Gjergj Fishtës e Dom Ndre Mjedjes. Në elegjinë Atë Gjergj Fishtës, shkruar menjëherë pas vdekjes së Poetit. Zadeja, me pak penelata të goditura, realizon altorelievin e fratit të madh shqiptar: “O Françiskan, Poetë i paharrueshem, /Kangëtar i padekshëm e Lahutës!”.

Poeti Zadeja, i shtyrë nga një parandjenjë historike, e siguron Atë Gjergjin se Lahuta nuk do të kalbet në vorr e se, kur të kalojë dimri i robërisë e të zgjohet përsëri ëndja për kulturë e letërsi shqiptare, Djelmnia do ta kërkojë përsëri Lahutën e prap do t’i këndojë lavde klerit që shqypen lartoi me djersë e pupul ari të Barletit e të Beçikemit, me dorë të prarueme të Buzukut, të Budit e të Bogdanit.. e me bylbyla të Mjedjes.... “Ky, pra, asht kleri, - shkruan Zadeja - Lidhun me ‘i besë të papreme: Fé e Atdhé!”.

Në vjershën-portret, kushtuar Lyrikut shkodran Dom Ndre Mjedjes, Dom Ndre Zadeja sintetizon veprat dhe nënvizon tiparin themelor të krijimit të autorit të “Scodrës”, “Lissus”, “Andrrës së jetës” e të “Lirisë”: stilin e përsosur: “Hije Mjedjane!... n’lyren tande... hartin... lima krijuese deri/ n’përsosmeni e shpuri!”

Këto janë disa nga vjershat e Dom Ndreut që me punë kambëngulëse e të devotshme i përmblodhi në një libër Lec Zadeja.

Po a janë mbledhur të gjitha? Ndoshta të tjera dorëshkrime të Dom Ndreut a të ndonjë kleriku tjetër flejnë ende ndër birucat e shtëpive ku qenë varrosur një gjysëm shekulli, a ndër arkive të paligjshme. T’i kërkojmë, sa s’i ka zhdukur koha. Janë dëshmi të gjalla e të lumnueshme, të cilat i krijojnë bashkësisë së vogël katolike mundësinë të rilindë si feniksi nga hiri e pluhuri i vet i lavdishëm, që mbeti nga djegia e madhe.

Prozatori

Zadeja nuk lëvroi gjinitë e gjata tregimtare, por shkrimet e tij pedagogjike dhe konferencat e mbajtura me shkrim në Kolegjin Saverian, tregojnë se nuk ishte vetëm poet. Në Konferencat e tij ka shumë mendime interesante e mjaft të përparuara për kohën mbi nevojën e shkollimit të brezave të rinj me një frymë të vërtetë kombëtare, mbi rolin e dijes në formimin e shoqërisë, domosdoshmërinë e njohjes dhe të zbatimit të sistemeve arsimore moderne etj. etj.

 Dramaturgu: Më shumë se poet e prozator, Dom Ndre Zadeja njihet si një ndër pionierët e dramës shqiptare, në llojin e melodramës. Veprat e tij të para melodramatike janë “Ora e Shqipnisë”, që u botua te revista “Shkolla e re” dhe “Hijet e Zeza” e “Ruba e kuqe”, që u botuan pjesërisht tek “Lingua albanese” e Atë Cordignanos dhe tek revista e arkidioçezës së Shkodrës “Kumbona e së Dieles”. Janë botuar të plota “Rozafa” dhe “Rrethimi i Shkodrës”, ndërsa melodrama “Shpella e Bogdanit” nuk është gjetur ende.

Melodramat u vunë në skenë me muzikë të Dom Mikel Koliqit, në bashkëpunim të ngushtë me autorin e tekstit letrar. Muzika përbëhet nga një seri recitativesh, apo pjesësh të shoqëruara me pak instrumente muzikore, gjatë të cilave zhvillohet veprimi skenik dhe “pjesësh të mbyllura”, apo ariesh, duetesh e koresh, gjatë të cilave muzika merr epërsi dhe veprimi dramatik ngadalësohet, për të nxjerrë në pah efektin lirik.

Partiturat e tri melodramave “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Ruba e kuqe”, të ruajtura me përkushtim nga Dom Mikeli, i përpunoi mjeshtrisht kompozitori Tonin Harapi, pak kohë para se të vdiste.

Melodramat e Zadejës e marrin temën nga legjenda dhe nga historia. Përshkohen nga atdhetaria e flakët dhe nga himnizimi i virtyteve kombëtare: besës, burrërisë, mikpritjes. Melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Ruba e kuqe” dhe “Hije të zeza”, i bëjnë jehonë ngjarjeve jetike  të historisë së Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë: Luftës së Vlorës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për t’u njohur si komb. Dredhia e Politika, të personifikuara te “Hijet e Zeza”, janë ngritur kundër historisë së një populli të vogël, që kërkon të drejtat e veta: “Ky komb i vogël s’ka të drejtë me rrnue/ N’ defterët e Europës, mos të gjindet shkrue!” - bërtasin. Por, pohon poetikisht Zadeja: “... Ora e Shqypnís nuk ka marue!/ Ora e Shqypnisë jam un’, e tokës vigane/ ku Herakli ‘i ditë zhvilloj fuqinë titane:/ ku Leka e Burri, u lidhën me besë të Zotit/ me at’ besë qi e forcon krahi i Sabaotit...”

Nga melodramat që kanë arritur të plota, “Rozafa” mbështetet në legjendë, ndërsa “Rrethimi i Shkodrës” në histori. Te “Rozafa”, duke u frymëzuar nga motivet e baladës së lashtë të murosjes, autori vë ballë për ballë tradhtinë dhe dashurinë sublime për atdhe. Në dramë lëvizin një sërë personazhesh, përfaqësues të dritës: Rozafa, Afrodizi, Petriti, Orfeo; e përfaqësues të errësirës: Kunatat, shtrigat, Murati,   e hijet e vëllezërve besëthyes. Veprimi zhvillohet shpejt, plot dramaticitet e tragjizëm. Monologu i Rozafës para murimit dhe monologu i Petritit, kryepriftit ilir, janë pjesët më prekëse të melodramës.

Veprën historike “Rrethimi i Shkodrës” autori e shkroi duke u mbështetur në librin homonim të Marin Barletit. Veprimi dramatik zhvillohet përsëri tek muret e Rozafës, por qindra vjet më vonë. Para nesh shpaloset Shkodra, tri herë e rrethuar, tri herë fitimtare... por më në fund, e thyer nga uria e e tradhtuar nga Venediku: “Mjer’, mjer’ aj komb qi idé nuk ka kombtare,/ por i rroguem n’dukata t’huej harliset,/ kin diçka jam, e se a’ bâ ráj’ s’kujtohet!//

Republika e Shën Markut, në lojën politike me turqit, ia ka kthyer kurrizin. Por Shkodranët nuk e japin Shkodrën. Luftëtarët e saj e fretërit me zhguna të trashë, nuk e japin Shkodrën. Ata një zëri përgjigjen: “Çka jem Shkodran, mbi flamur të saj betue/ i madh e i vogël jem n’kët ditë fatlume!”//

“Rrethimi i Shkodrës” është një melodramë heroike, që vazhdon t’ua zgjojë ndjenjat e dashurisë për atdhe, atyre që i kanë ende të gjalla në shpirt këto ndjenja të shenjta, pa të cilat njeriu nuk mund të quhet njeri. Pjesët më të realizuara të melodramës janë “Kënga e Loredanit”, “Monologu i Franit”, “Kënga e korit kundër sulltanit” e “Vajtimi i Çeçilies”.

Në përfundim të kësaj paraqitjeje të thjeshtë të veprimtarisë së Dom Ndre Zadejës, shpresojmë se lexuesi do ta kuptojë vetë se ç’padrejtësi është bërë duke ia mohuar veprimtarinë e Zadejës letrave shqipe. Emri i tij nuk figuron ende në asnjë nga tekstet të cilat pretendojnë se punojnë për edukimin demokratik, etik e patriotik të brezave të rinj, që shpresohet se do t’i dalin zot Kombit shqiptar!?

 








All the contents on this site are copyrighted ©.