2018-03-25 17:10:00

Afrika Qendrore: masakrohen gra e fëmijë. Vritet edhe një meshtar


Shpërthen sërish dhuna në Afrikën Qendrore, ku Papa Françesku pati shkuar për hapjen e Jubileut të Mëshirës. Dhjetra civilë u vranë gjatë ditëve të fundit në disa fshatra të zonës së Bambarit, në jug të vendit, gjatë luftimeve ndërmjet dy bandave të armatosura, rebelëve të ish-Seleka, anëtarë të lëvizjes së Bashkimit për paqen në Afrikën Qendrore dhe milicëve anti-balaka. Ndër viktimat, shumë gra e fëmijë. U vra edhe një meshtar, don Joseph-Désiré Angbabata, famullitar i kishës së Shën Karl Luangës në Séko. Kjo valë e re dhune shkaktoi largimin e mijëra vetëve. Zona e Bambarit është e pasur me miniera ari e diamanti dhe përkatësia fetare – myslimane e kristiane – e grupeve, protagonistë të ndeshjeve, është vetëm pretekst për arritjen e objektivave politike dhe ekonomike, siç denoncojnë krerët fetarë të vendit, ndër të cilët kryeipeshkvi i Banguit, kardinali Dieudonné Nzapalainga.








All the contents on this site are copyrighted ©.