2018-03-24 17:08:00

Të rinjtë drejt Sinodit: duam një Kishë gazmore, të vërtetë, ndëraktive


Dokumenti, sintezë e punës së 300 të rinjve nga mbarë bota, mbledhur në Romë për takimin para-sinodal, dhe të 15-mijë të tjerëve, pjesëmarrës përmes mjeteve shoqërore të komunikimit, dëshiron të jetë “mjet lundrimi” për etërit sinodalë. “Bijtë” u tregojnë “Etërve”, “ku janë e për ku janë nisur”.  

“Të rinjtë e botës tërhiqen fort nga gëzimi, që duhet të jetë shenjë dalluese e fesë së krishterë. Prandaj dëshirojnë të shikojnë një Kishë, që të jetë dëshmitare e gjallë e asaj që mëson. Një Kishë, që të mos i konsiderojë tepër të vegjël, për të qenë protagonistë të udhës së tyre shpirtërore”. E, gjithë këtë, e shkruajnë në  dokumentin përfundimtar të takimit para-sinodal, mbajtur sot paradite në Kolegjin “Mater Ecclesiae” të Romës, lidhur me Sinodin e ipeshkvijve të tetorit, kushtuar temës “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”.

Në 14 faqe tekst, sintezë e punës së 20 grupeve gjuhësore, në të cilat u ndanë 300 pjesëmarrësit, e më se 6 grupeve tematike të mjeteve të komunikimit, me pjesëmarrjen e 15 mijë ndjekësve, të rinjtë i shkruajnë hjerarkisë kishtare se dëshirojnë një “Kishë të mirëfilltë, një bashkësi transparente, të ndershme, tërheqëse, komunikative, të pranueshme, gazmore, ndëraktive”.

Ku jemi, e për ku jemi nisur

Dokumenti ndahet në tri pjesë: “Sfidat dhe mundësitë e të rinjve në botën e sotme”, “Feja dhe thirrja”; “Shqyrtimi dhe shoqërimi i aksionit edukativ e baritor të Kishës”. Do të jetë një nga burimet për hartimin e “Instrumentum laboris” të Sinodit, shkruar nga të rinjtë për t’u dhënë etërve sinodalë një “mjet lundrimi”, që të mund ta kuptojnë më mirë botën rinore. Shprehje - shkruajnë në hyrje - që tregon “ku janë e për ku drejtohen”, si dhe “tregues, që cek ç’duhet të bëjë Kisha për të shkuar përpara”. Një i ri panamez, vend ku do të kremtohet Dita e ardhshme Botërore e Rinisë 2019, do t’ia dorëzojë nesër Papës Françesku, gjatë Meshës së të Dielës së Larit.

Kemi nevojë për një Kishë mikpritëse, të mëshirshme

Flitet për formimin e personalitetit, në këtë dokument rinor; për Kishën, që shikohet si tepër e rreptë e moraliste! Për botën, që të rinjtë e duan me paqe, me ekologji integrale, me ekonomi globale të qëndrueshme! Për teknologjinë, që nuk mund t’i zëvendësojë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. E, sidomos, për rikthimin e Shkrimeve Shenjte, që të njihet plotësisht Jezusi! E kjo e fundit, “sepse të rinjtë duan ta njohin me fund Krishtin, jetën e Tij, natyrën e tij hyjnore e njerëzore”.

Kisha të shkojë e t’i takojë, atje ku jetojnë

Të rinjtë kërkojnë, në dokumentin përfundimtar, edhe qartësi për rolin e grave në Kishë. E, duan që Kisha të shkojë e t’i takojë, atje ku jetojnë. T’i takojë në bare, kafene, parqe, palestra, stadiume e në çdo qendër kulturore e shoqërore. Por edhe, e sidomos, në vende të trishta: në jetimore, spitale, periferi, zona lufte, burgje, bashkësi rimbëkëmbjeje, e deri në lagjet me drita të kuqe. Përveç vendeve fizike, të rinjtë kërkojnë nga Kisha t’i takojë edhe në botën dixhitale. Dëshirojmë - shkruajnë - një Kishë, me të cilën mund të takohesh përmes mjeteve shoqërore të komunikimit dhe hapësirave të ndryshme virtuale”.








All the contents on this site are copyrighted ©.