2018-03-23 18:33:00

Papa universitarëve Opus Dei: shërbejini botës me talentet tuaja


Papa Françesku u dërgon një mesazh rreth 2500 studentëve, që të Dielën e Larit e gjatë gjithë Javës së Madhe të Pashkëve, do të mblidhen në Romë për Univ Forum 2018 të Opus Dei-t, tashmë në edicionin e saj të 50-të. Ata do të reflektojnë mbi temën “Ta rimendojmë të ardhmen”.

Rast i bukur për t’u takuar me Krishtin

         “Vini edhe një herë në Qytetin e Amshuar”, shkruan Papa, “të shtyrë nga dashuria për Zotin, për Kishën dhe për Papën. Ju jepet kështu, një mundësi e bukur për t’u takuar me Krishtin gjatë Javës së Madhe e për ta bërë më të qëndrueshme fenë dhe impenjimin tuaj, së bashku me atë të të rinjve të tjerë, me kultura dhe përvoja të ndryshme, por të frymëzuar nga e njëjta dëshirë për lumturi, plotësi e dhurim bujar”.

Përgatituni për Sinodin

         Duke kujtuar se ky takim ndërkombëtar bëhet pikërisht në vitin e Sinodit kushtuar të rinjve, Ati i Shenjtë i fton pjesëmarrësit të përgatiten për këtë ngjarje të rëndësishme kishtare. Prandaj, shkruan Papa, “do t’ju bëjë mirë t’i ktheni sytë nga Gjoni, dishepulli i ri që Jezusi e donte, të cilit i dhuroi Marinë si Nënë e tij dhe e jona. Ai do t’ju mësojë ta njihni Krishtin, që kalon në jetën tuaj, dhe ta ndiqni me vrullin e gëzimin, që ‘mbush zemrën dhe krejt jetën e atyre, të cilët e takojnë Jezusin’(Evangelii Gaudium, 1)”.

Vijoni gjithnjë t’i qëndroni pranë Krishtit

         “Zoti – vijon Françesku – na fton të gjithëve ta ndjekim me gëzim e ta duam pa rezerva Atë dhe të tjerët. Do t’ju ndihmojë shumë kjo këshillë e shën Josemaria: ‘Kërkoje Krishtin, gjeje Krishtin, duaje Krishtin (Udha, 382)’”. Që këndej, ftesa e Françeskut për universitarët: “mos reshtni së kultivuari çdo ditë marrëdhëniet e miqësisë me Krishtin, duke e pyetur shpesh veten: ‘Ҫ’do të bënte Jezusi në vendin tim? Ҫfarë mund të bëj për t’i përngjarë gjithnjë e më shumë Atij e për t’ua çuar Atë të tjerëve?’ Kërkojeni në lutje, në sakramente, në të gjitha rrethanat e jetës e edhe ndër njerëzit e afërt: miqtë, familjarët, kolegët e studimit e, në ata që kanë më tepër nevojë e janë më të harruarit e botës, sepse në ta pasqyrohet në veçanti fytyra e Krishtit”.

Shërbejini botës me talentet tuaja

         Në fjalët e Papës edhe ftesa për të dalë nga vetja e “për të fituar mbi rehatinë dhe egoizmin, duke mos menduar vetëm për gjërat personale”. Nevojtarët, sipas Atit të Shenjtë, duhen shërbyer duke përdorur, secili, talentet që i ka dhuruar Zoti. Së fundi, Papa lutet për studentët, që ndjekin universitetet e Prelaturës apostolike Opus Dei nëpër botë, si edhe për aspiratat, projektet, planet e tyre për jetën, në mënyrë që – u thotë – “ta ndjeni në çdo çast dashurinë e Zotit, i cili ju ka thirrur për një jetë dhurimi e shërbimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.