2018-03-23 13:40:00

Papa takohet me Kapitenët Regjentë të San Marino-s


Papa Françesku priti sot dy Kapitenët Regjentë të San Marino-s, republikë autonome brenda shtetit të Italisë. Matteo Fiorini dhe Enrico Carattoni u takuan më pas edhe me autoritetet e tjera të Vatikanit.

         “Gjatë bisedimeve të përzemërta – nënvizohet në notën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u shpreh kënaqësi për marrëdhëniet konstruktive ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar impenjimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dypalësh. Gjithashtu, u pranua kontributi pozitiv i Kishës lokale në shoqërinë sanmarineze, sidomos në fushën shoqërore dhe edukative. Më pas, u diskutua për tema me interes të përbashkët, ndër të cilat fenomeni i emigracionit, perspektivat për të ardhmen e projektit evropian dhe gjendja ndërkombëtare”.

         Papa Françesku nuk mungoi të shprehë simpatinë e tij, duke shkëmbyer dy fjalë e duke bërë shaka me fëmijën e njërit prej Kapitenëve, të cilët e lënë detyrën më 1 prill, ditën e Pashkëve. Ata i dhuruan Atit të Shenjtë një stampë, që paraqet Shën Marinin si gurgdhëndës, ndërsa punon në muret e qytetit, në këmbët e Malit Titan. E Papa vërejti se sanmarinezët e sotëm janë po aq këmbëngulës sa ç’ishte shenjti themelues i Republikës së tyre, 1700 vjet më parë. Françesku u dhuroi një ikonë mesjetare të Krishtit të Ringjallur, si edhe kopjet e dokumenteve të papnisë së tij: Evangelii Gaudium, Amoris Laetitia dhe Laudato si’. “Shëndeti i planetit është një nga shqetësimet e mia më të mëdha”, u tha Papa Kapitenëve, duke komentuar enciklikën e tij mbi ekologjinë e Gjithësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.