2018-03-23 13:26:00

Kreshmë, Cantalamessa: vijon revolucioni kundër Zotit, duhet pastri


Fryti i Shpirtit Shenjt është pastria. Pastria e shpirtit. E zemrës! U nis nga ky koncept, atë Raniero Cantalamessa, në predikimin e tij të pestë e të fundit të Kreshmëve, mbajtur në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, në Vatikan, në praninë Papës Françesku dhe të Kuries Romake. Predikatari i Shtëpisë Papnore e përfundoi kështu reflektimin mbi temën: “Rivishuni me Zotin Jezu Krisht (Rom 13,14), shenjtëria e krishterë në nxitjen e Shën Palit”. Predikatari u ndalua kryesisht tek “shthurja seksuale”, të cilën Apostulli e vë fort në dukje, duke i kundërvënë “armën  e dritës, pastrinë”, armë që ngjeshet duke u riveshur me Zotin Jezu Krisht.

“Nuk është e lejueshme - thotë Shën Pali – të jepesh pas flligështisë – (porneia).  Nuk është e lejueshme të shitesh; sepse ‘pernemi’ në greqisht do të thotë “shitem”. E duke e përdorur këtë fjalë për pothuajse të gjitha shprehjet e shthurjes morale, Fjala e Zotit na thotë se, në çdo tip të shthurjes, e jo vetëm në prostitucionin e mirëfilltë, ka një aspekt të shitjes, ka shitje! Porneia, prej nga vjen termi pornografi, në zanafillë kishte kuptimin “shitem”, njëlloj si për para, ashtu edhe për kënaqësi a qëllime të tjera. Prej këndej, nuk është e lejueshme të jepesh pas flligështisë a ta përdorësh trupin tënd  sipas dëshirës, sepse ne nuk i përkasim më vetvetes, nuk jemi më të  vetes, por të Krishtit:

“Nata është në të sosur, lind dita e re. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfrenime, jo në grindje e në smirë. Vishuni me Jezu Krishtin Zot e kujdesuni për trupin, mos i kënaqni prirjet e ulta”(Rom 13, 11-14). Kjo, nxitja e Apostullit.

Pastria e krishterë është sundim i Jezusit mbi njeriun

Pastria e krishterë nuk varet aq nga sundimi i arsyes mbi instinktet, sa nga sundimi i Krishtit mbi gjithë njeriun, mbi arsyen e instinktet, mbi korpin e mbi shpirtin. Nuk bazohet mbi “përbuzjen e trupit”, por “mbi nderimin  e madh për dinjitetin vetjak”. Pastria është stil jete, më shumë sesa virtyt i veçantë. E ka një gamë manifestimesh, që shkojnë shumë përtej sferës “thjesht seksuale”. Sepse pastria është e larmishme, e shumëllojshme: ka pastri korpi e pastri zemre, pastri goje e pastri sysh. Shën Pali e quan pastrinë “armë e dritës”. Por - vërejti predikatari - bota e sotme ka prirje “t’i minimizojë mëkatet kundër pastrisë, duke vënë në plan të parë vëmendjen ndaj të afërmit”.

“I vetmi qëllim i pastrisë dhe i dashurisë së krishterë ndaj të afërmit, është të jetosh ndershmërisht - thotë Bibla - domethënë të jesh i panjollë në të gjitha marrëdhëniet: me Zotin, me vetveten e me të tjerët. Gjithë këtë, Shën Pali e quan: “Të sillesh ndershmërisht, si në pikë të ditës, në dritë”.

Sot rrënohen familjet me lehtësinë më të madhe

Shoqëria bashkëkohore  - vërejti frati kapuçin – me zakonet e reja, ka rënë krejtësisht në paganizëm, në idhujtari të plotë të seksit: bëhen përpjekje për ta përligjur çdo liri morale e çdo çoroditje seksuale, mjafton që - thuhet sot -  të mos e dhunojë tjetrin e të mos ia cënojë lirinë tjetrit.

“Rrënohen, kështu, familjet me një lehtësi të çuditshme. Mandej thuhet: “E ç’të keqe ka këtu? Unë kam të drejtë të jem i lumtur!”. Nuk ka dyshim se disa gjykime lidhur me moralin seksual tradicional duhen rishikuar e se shkencat moderne mbi njeriun kanë kontribuar për të sqaruar disa mekanizma e kushtëzime të psikesë njerëzore, që e përjashtojnë ose e ngushtojnë përgjegjësinë morale të disa lloj sjelljesh, të cilat një herë e një kohë konsideroheshin mëkate, madje mortare, ngaqë, thuhej se në këtë fushë nuk ekziston vlerësimi i materies. Por ky progres nuk ka të bëjë fare me panseksualizmin e disa teorive lejuese, që kanë prirjen të mohojnë çdo normë objektive lidhur me moralin seksual, duke e reduktuar gjithçka në një fakt të evolucionit të vetvetishëm të zakoneve, domethënë, në fakt të kulturës.

Kronika të përditshme skandalesh

Nëse shqyrtohet hollësisht ky, që quhet “revolucion seksual i ditëve tona” - nënvizoi atë Cantalamessa - nuk duhen shumë mend të kuptosh se nuk kemi të bëjmë thjesht me revolucion kundër së kaluarës, por, shpesh herë, edhe me revolucion kundër Zotit e, nganjëherë, edhe kundër vetë natyrës njerëzore. “Seksualiteti nuk është më paqësor”, është bërë forcë me dy kuptime e me shumë kërcënime, që të çon “kundër ligjit të Zotit, në kundërshtim me vullnetin tonë”. Kronikat e përditshme të shkandujve “edhe ndërmjet klerit e njerëzve të kushtuar” - vuri në dukje frati kapuçin – na e kujtojnë këtë realitet të trishtë. Çka duhet bërë në një atmosferë të tillë, shumë larg pastrisë ungjillore, është të pranojmë shtytjen e Shpirtit Shenjt  për t’ia dëshmuar botës “pafajninë, që patën në zanafillë, njerëzit e sendet”: për t’i dhënë fund kësaj narkoze e dehjeje të seksit - përfundoi atë Cantalamessa - duhet ringjallur në zemrën e njeriut malli për pafajsinë dhe thjeshtësinë, të cilat ai i ka që në zanafillë në zemër të vet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.